Lajme

Buzhala thotë se Kurti dëshiron ta kthejë vendin në diktaturë e të insistojë se jemi vend demokratik

Autori: Gazeta inFokus 19:21 | 29 July 2023

Gazetari dhe drejtuesi i medias “Nacionale”, Berat Buzhala, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti në një postim që ky i fundit e ka bërë në Twitter në lidhje me rastin e Klan Kosovës, televizion të cilit të premten, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ia refuzoi ankesën e bërë në ARBK në lidhje me pezullimin e certifikatës së biznesit.

Kurti, duke tentuar të arsyetojë vendimin e MINT-it dhe duke tentuar të thotë se mbyllja e Klan Kosovës nuk ka të bëjë me lirinë e medias, ka thënë se në Kosovë janë “468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive”.

Ndërkohë Buzhala i ka thënë atij se mijëra media ka të regjistruara edhe në Rusi, Serbi, Turqi e Hungari.

-Advertisement-

“Ai mund të mbyllë edhe 10 stacione të tjera televizive, sigurisht më të mëdhatë dhe më kritiket ndaj tij, dhe prapë të pretendojë se janë mbi 400 media të tjera të regjistruara në Kosovë. Sa media janë të regjistruara në Rusi, Serbi, Turqi dhe Hungari? Mijëra”, thotë ndër të tjera Buzhala.

“Kryeministri Kurti nuk do ta kuptojë kurrë se nuk është ai dhe ministrat e tij që vendosin se cilat media duhet të mbyllen e cilat jo. Kurti është deluzional; ai do ta kthejë vendin në diktaturë, por do të insistojë ta quajë një vend demokratik”.

Tutje, gazetari Buzhala ia përmendi atij edhe skandalin për marrjen e miliona eurova nga Serbia nga ambasadori Martin Berishaj, teksa i tha se atë po e mbron ndërsa Klan Kosovën, për një gabim teknik, po e sulmon bashkë me tërë pushtetin e autoritetin.

“Ambasadori i tij i preferuar, Martin Berishaj, u kap duke marrë miliona euro nga Serbia, por Kurti e mbron atë me fanatizëm, ndërsa i gjithë pushteti dhe autoriteti i ra TV Klan Kosova, vetëm për një teknikë”, potencoi Berat Buzhala.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera