Opinione

Buxheti “3 miliard “ i dëshiruar i Qeverisë Kurti

Autori: Dr.sc Medain Hashani 13:55 | 24 February 2020

 

Buxheti i premtuar në shumën prej 3 miliard nga Qeveria Kurti, është një buxhet që dëshiron të ketë çdo Kryeministër në Kosovë. Mirëpo ky buxhet ne bazë të ndyshimit të politikave tatimore të cilat i ka cekur Kryeministri Kurti, gjatë prezentimit të programit Qeverisës është pothuaj se i parealizueshëm.

Në bazë të përvojes sime akademike dhe profesionale, mund të konstatoj se ky buxhet për mua mund të quhet vetëm buxhet i dëshiruar, mirëpo jo edhe i realizuar. Jo që nuk kam dëshirë që të realizohet mirëpo në vazhdim do të ceki argumentet të cilat e hedhin poshtë mundësinë që të bëhet realizimi tij.

-Advertisement-

Une si Ekspert i fushës së auditimit, financave dhe kontabilitetit bazohem në të dhënat financiare, trendet e rritjes së të hyrave publike dhe matjen e efektit të ndryshimeve të politikave tatimore. Nëse e analizojme buxhetin e Kosovës nga viti 2017 deri në fund të vitit 2019 ka qenë si vijon: ne vitin 2017 të hyrat publike në total kanë qenë 1 miliard e 684 milion, ne vitin 2018, të hyrat publike në total kanë qenë 1 miliard e 817 milion dhe në vitin 2019 të hyrat publike në total kanë qenë 1 miliard e 949 milion.

Nëse vitin 2017 e marrim si bazë rezultati është si vijon viti 2018 nga viti 2017 ka pasur rritje prej 7.89 %, ndërsa viti 2019 nga viti 2018 ka pasur rritje prej 7.26 %. Andaj nëse rritja dyfishohet në vitin 2020 nga rritja 7.26 % që ka qenë në vitin 2019 dhe bëhet 14.52 % në vitin 2020 prapë të hyrat publike do të jenë prej 2 miliard e 231 milion. Pra edhe nëse kemi rritje prej të dyfishtë që është e pamundur me këto politika tatimore rritja prej 14.52 % do të jetë e pamundur, buxheti prej 3 miliard do të jetë vetëm i dëshiruar.

Risku tjetër që tregon pamundësinë e buxhetit 3 miliard në bazë të programit Qeverisës të prezentuar nga Kryeministri Kurti është , që të hyrat publike të realizuara nga TVSH të mos paguhen në kufi, mirëpo të paguhen në vend dhe të eliminohet tatimi në paga për të ardhurat deri në 350 euro në muaj. Në vitin 2019 të hyrat publike të cilat janë realizuar nga Dogana janë 1 miliard e 234 milion, ndërsa nga ATK-ja 516 milion, kjo tregon një diskrepancë mjaft të madhe në raport me të hyrat të cilat mbledhen në kufi ne raport me ato që mbledhen në vend pasi që përqindja e pjesëmarrjes nga dogana në Buxhetin total të Kosovës është 63.31 % ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës është 26.47 %.

TVSH-ja në doganë, në bazë të statistikave të mëhershme e inkasuar në doganë ka qenë si vijon në vitin 2017 në kufi është inkasuar në shumën 564 milion ndërsa në vend 184 milion apo në përqindje pjesëmarrja e inkasimit në gjithsej TVSH-në e inkasuar në kufi është 83 % ndërsa 17 % e TVSH-së inkasohet në vend, në vitin 2018 në kufi është inkasuar në shumën 616 milion ndërsa në vend 204 milion apo në përqindje pjesëmarrja e inkasimit në gjithsej TVSH-në e inkasuar në kufi është 85 % ndërsa 15 % e TVSH-së inkasohet në vend, po të analizohet viti 2019 TVSH nuk është i ndarë sipas inkasimit por është i prezentuar në total del se janë inkasuar 905 milion që nëse e marrim përqindjen më të vogël të pjesëmarrjes të vitit 2017 del se 751 milion është inkasuar në kufi ndërsa 154 milion në vend. Andaj ky risk është mjaft i lartë për të orientuar që TVSH-ja të inkasohet në vend pasi manevrimi me stoqe i ndërmarrjeve do të rritet dhe risku do të jetë aq i lartë sa vështirë se do të kemi inkasim të nivelit të njejtë me vitin 2019.

Risk tjetër i lartë është edhe tatimi në paga që parashihet të eliminohet për të ardhurat deri në 350 euro. Kur dihet se të hyrat me të larta nga tatimi ne paga janë në këtë kategori bazuar në pagën minimale që është 170 euro dhe bazuar në pagën mesatare të Kosovës që sillet rreth 250 euro. Eliminimi i kësaj të hyre publike do të paraqes risk buxhetor pasi që pjesëmarrja e kësaj kategorie buxhetore është në kuadër të tatimit në të ardhura personale e që shuma e të hyrave publike nga kjo kategori në vitin 2019 është 163 milion e nëse vetëm 20 % në këtë shumë ka pjesëmarrje kjo kategori që mendoj se është më e lartë, por nëse vetëm 20 % do të jetë 33 milion në minus si e hyrë buxhetore për vitin 2020.

Argumentet e cekura më lartë tregojnë në mënyrë shumë analitike pamundësinë e realizimit të buxhetit 3 miliard, por unë propozoj që Qeveria Kurti duhet të orientohet në politika zhvillimore ekonomike, pasi që Kosova ka mjaft sfida në fushën ekonomike. Sfidat të cilat janë momentale janë këto:

Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik
Mungesa e strategjisë së zhvillimit ekonomik në një periudhë të caktuar afatgjate
Mosfunkzionalizimi i zonave ekonomike
Mosaktualizimi i partneritetit publiko privat
Sistemi monetar
Risku buxhetor i Kosovës
Mungesa e besimit ne Institucionet e drejtësisë dhe vonesat në zgjidhjen e kontesteve ekonomike.

Për të eliminunar këto probleme, Qeveria e Kosovës duhet të ndërtoj objektiva në mënyrë që Lidershipi politik të ndërmerr hapa në eliminimin e këtyre problemeve dhe orientimin e politikave zhvillimore, sepse mendoj se çelësi i suksesit të zhvillimit ekonomik është orientimi i këtyre politikave ne investime të përbashkëta ndërkombetare (Joint Venture) në prodhim, zvogëlimin e deficitit tregëtar dhe zvogëlimin e papunësisë.

Andaj krijimi i strategjisë nacionale të zhvillimit ekonomik do të ndikonte në masë mjaft të madhe në eliminimin e këtyre problemeve. Prandaj duhet të kryhet këtë vit në një kohë sa më të shkurtër si dhe në Qeveri duhet të angazhohen ekspert kompetent në zhvillimin e strategjisë dhe zbatimin praktik të saj dhe jo militant partiak të cilët kanë mbetur papunë dhe t’iu sigurohet një vend i punës i pozicionojnë si këshilltar.

Autori është profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera