Buxheti 2024, “social e aspak zhvillimor”
Autori: Gazeta inFokus 10:19 | 06 November 2023
Duke parë reagimet e shpërfaqura që në ditën e miratimit të këtij Projekt-buxheti që parasheh që në vitin vijues, më 2024 pra, projeksionet buxhetore të arrijnë të jenë 3 miliardë e 314 milionë euro, bie në sy vlerësimi dominues se buxheti i pritshëm “është buxhet social e aspak zhvillimor”. Ndërsa, kreu i Qeverisë thotë se Buxheti 2024 do të jetë për një ekonomi më të fortë dhe me më shumë vende pune.
Ende pa u miratuar mirë Projektbuxheti për vitin 2024, kanë zënë të “shpërthejnë” reagimet prej më të ndryshmeve, të cilat dominohen nga përfaqësues të opozitës, por edhe nga ekspertë, me prirje të theksuara kritikuese ndaj shumë vendimeve të Qeverisë aktuale rreth zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend.
Duke parë reagimet e shpërfaqura që në ditën e miratimit të këtij Projekt-buxheti që parasheh që në vitin vijues, më 2024 pra, projeksionet buxhetore të arrijnë të jenë 3 miliardë e 314 milionë euro, bie në sy vlerësimi dominues opozitar se buxheti i pritshëm “është buxhet social e aspak zhvillimor”.
Edhe njohësi i zhvillimeve ekonomike, Safet Gërxhaliu ka thënë për medie se “ky buxhet është më shumë social dhe se rritja e proklamuar nga ekzekutivi vjen si pasojë e inflacionit të lartë që ka qenë sivjet”.
“Ky buxhet do të jetë edhe shumë më tepër i natyrës sociale apo ekzistenciale sesa buxhet zhvillimor dhe në rend të tretë duhet të kuptohet se një buxhet i tillë nuk mund të jetë krenari institucionale kur kemi parasysh që viti 2023 ka qenë vit i inflacionit dhe një vit i ngritjeve së çmimeve”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, e konteston dhe e bënë të diskutueshme rritjen e proklamuar të Buxhetit 2024.
Sipas saj, “rritja e buxhetit për vitin tjetër, është më e ulët sesa që ka thënë qeveria”.
“Projektbuxheti i votuar dje në qeveri është në terma të shpenzimeve 3 miliardë e 314 milionë derisa buxheti i rishikuar i këtij viti është 3 miliardë e 238 milionë, që i bie diferenca në mes të vitti 2023 dhe 2024, është vetëm 76 milionë euro”, ka deklaruar Bajrami duke bërë krahasimet buxhetore në shifra në këtë vit me ato të vitit në vijim.
Ajo thotë se “ky buxhet nuk përmban asnjë nga premtimet që ka dhënë Ekzekutivi, duke bërë publike edhe premtimet dhe kauzat konkrete të bëra me programin qeverisës të Qeverisë aktuale dhe që nuk figurojnë në projeksionet buxhetore për vitin e ardshëm.
“Ky buxhet nuk reflekton kauzat dhe premtimet që ka dhënë qeveria as edhe programin qeverisës, për shembull kanë qenë të premtuara edhe 160 çerdhe nuk janë asgjë kundi, ministri Murati dje tha që edhe banimi social do të realizohet brenda mandatit, jemi në vitin e tretë të qeverisjes – banimi social ende nuk ka nisur”, ka thënë ai.
Tashmë, edhe Avdullah Hoti (LDK), njëri nga deputetët e zëshëm dhe me vlerësime të shpeshta kritike për huqjet në zhvillimet ekonomike të pushtetit aktual, duke kritikuar projekt-buxhetin 2024, ka thënë për medie se “problem madhor i buxhetit është përkeqësimi i strukturës së buxhetit”.
Sipas tij, “është e pakuptimtë të thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike, kur buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht”. Ndërsa ka vijëzuar si huqje evidente të theksueshme “rënien e investimeve kapitale”.
“Investimet kapitale kanë rënë në nivele shumë të ulëta, si në planifikim, ashtu edhe në realizim. E në anën tjetër, buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht, që është e pakuptimtë nëse thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike. Rritja ekonomike duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale”, ka deklaruar Hoti.
Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se buxhetet e kësaj qeverie janë bërë dokumente abstrakte të padobishme.
“Pavarësisht se mund të parashihen projekte në buxhet, ato nuk po realizohen. Në tri vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset. Nuk ka asnjë projekt madhor që së paku ka nisur të realizohet”, ka shkruar Hoti.
Projekt-buxhetin për vitin 2024, Hoti ka thënë se do ta analizojnë gjatë ditëve në vijim, derisa buxhetet e Qeverisë Kurti i quan “dokumente abstrakte të padobishme”, meqë thotë se projektet s’po realizohen.
“Pavarësisht se mund të parashihen projekte në buxhet, ato nuk po realizohen. Në tri vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset. Nuk ka asnjë projekt madhor që së paku ka nisur të realizohet”, thotë Hoti.
Ai ka vrejtje edhe te shpërndarja e projekteve të ministrive nëpër komuna, dhe duke vënë në dukje shpërndarjen e projekteve gjatë tri viteve të fundit, ka aluduar se “është bërë në baza partiake”. Sipas tij, vitin e kaluar, gjysma e projekteve të reja të futura në buxhet kanë shkuar vetëm për komuna që ‘rastësisë’ të qeverisen nga VV-Guxo”.
Edhe PDK-ja nëpërmjet deputetes, Ganimete Musliu, është shprehur për medie se “ ky buxhet nuk i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, duke u kërcënuar, madje, me mosvotim. Musliu i ka bërë të diskutueshme edhe mjetet e ndara për investime kapitale, duke theksuar se “vetëm 49 milionë janë për projekte të tjera”.
“Nuk ka ndonjë risi krahasuar me vitet e kaluara. Nga 858 milion euro të planifikuara në vitin 2024 për investime kapitale, vetëm 49 milionë janë projekte të reja. Të gjitha projektet tjera janë projekte të bartura nga viti 2023 dhe vitet tjera”, ka deklaruar për Gazetën Express Musliu.
Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duke bërë vërejtje për projekt-buxhetin, ka thënë se “ky projekt-buxhet është bërë me direktiva të partisë”.
“Në këtë Buxhet, mbizotëron më shumë strategjia e Qeverisë me direktiva të Partisë, ku janë lënë anash nevojat dhe kërkesat buxhetore të komunave, shoqërisë civile, institucioneve qendrore publike, sindikatave, njësiteve tjera buxhetore dhe propozimeve të partive opozitare”, ka thënë Lekaj, duke kritikuar edhe për mungesë bashkëpunimi gjatë përpilimit të Projekt-buxhetit 2024.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë në ditën e fundit të tetorit, kur shpalosi fushat që do t’i kenë prioritet me buxhetin e pritshëm potencoi se “sa i përket kategorive të shpenzimeve, tek kapitalet ka një rritje, ndërsa vlera është 860 milionë euro tek investimet kapitale (saktësisht, 859 milionë e 176 mijë e 429 euro për shpenzime kapitale), ndërsa tek pjesët tjera kryesisht është mirëmbajtur në nivele të përafërta, apo një rritje të lehtë tek kategoria mallra dhe shërbime dhe një tkurrje të lehtë tek subvencionet dhe transferet”.
Për dallim nga zërat opozitar, kryeministri vuri në dukje se Buxheti 2024 do të jetë për një ekonomi më të fortë dhe me më shumë vende pune. ”Për vitin 2024, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Për një ekonomi më të fortë e me më shumë vende pune. Për rritje të mbështetjes së sektorëve prioritarë dhe në zbatim të programit tonë qeverisës. Për drejtësi i kemi dedikuar 31% më shumë buxhet në mënyrë që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësi”, ka thënë ai.
”Për arsim, që bashkë me grantin që u ndahet komunave, mbështetja buxhetore do të arrijë në 370 milionë euro apo rreth 20% më shumë sesa viti 2023. Për shëndetësi, që si sektor i kemi ndarë 340 milionë euro përfshirë edhe grantin për komunat, kurse ShSKUK do të ketë 25% më shumë buxhet. Për sport e infrastrukturë, që vetëm vitin tjetër do të kenë mbi 58 milionë euro investime kapitale në përgatitje të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030”, ka thënë Kurti.
”E megjithatë, me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë. Për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë. Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë vlerën prej 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro, apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht. Si Qeveri, e kemi për detyrë që paratë që mbledhim, t’i mirëmenaxhojmë, e t’i rishpërndajmë ashtu që të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, shtim të vendeve të reja të punës, dhe mirëqenie e dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit”, ka deklaruar kryeministri.
Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati tha se “ky buxhet parashihet të ndikojë te qytetari. Sipas tij, do të përfundohen edhe disa investime kapitale që janë në proces apo do të ketë edhe projekte të reja.
“Janë rruga për Pejë, autostrada Prizren-Tetovë, zgjatja e autostradës deri te Dheu i bardhë”, ka saktësuar Murati.
Sidoqoftë, se kush ka të drejtë dhe cilat vlerësime janë më të qëndrueshme rreth projeksioneve buxhetore për vitin në vijim, do të shihet gjatë vitit 2024. Me fjalë të tjera, kosovarët më konkretisht do të binden dhe do të besojnë kur të shohin dhe të prekin më konkretisht projeksionet buxhetore dhe do të binden a ka më shumë primesa sociale buxheti i pritshëm, siç konsiderojnë opozitarët, apo do të ketë në fokus një ekonomi më të fortë dhe me më shumë vende pune, siç thotë kryeministri.
Duhet thënë se vlera prej 860 milionë euro e parashikuar për investimet kapitale për rrethanat aktuale dhe potencën financiare të Kosovës, nuk është e vogël, as për t’u nënçmuar. Me gjithë këto para mund të bëhet punë e madhe te investimet kapitale. Mund të ndërtohen disa projekte që do t’i sillnin Kosovës zhvillim ekonomik, por me gjithë këto para fare lehtësisht do të krijoheshin të gjitha parakushtet për të përmbyllur edhe shumë e shumë projekte të mbetura në gjysmë të rrugës për vite të tëra me radhë.
Pse mos të nisin më 2024 dy – tre projekte për prodhimin e energjisë së rinovueshme, qoftë solare, qoftë në bazë të erës, kur dihet dhe akoma llogaritet se një projekt i energjisë solare 100 megavatësh, bie fjala, nuk kalon investimet 100 milionë euro. Me fjalë të tjera, paratë e parashikuara për investime kapitale, është mirë, më në fund, më 2024, të aktivizohen te projektet që i duhen Kosovës, dhe të mos ndodhë që të mbesin në stoqe, siç ndodhi më 2022 dhe në shumë vite të tjera. Shpenzimi i këtyre mjeteve në projekte të sigurta zhvillimore dhe të nevojshme për vendin, do të mund të sillte një ekonomi të fortë dhe me më shumë vende pune. /Buletini Ekonomik/
Të tjera
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...
-
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni
Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrai...
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...
-
Ndalohet një autobus në Merdare, në një valixhe kapet nga Dogana një armë me 50 fishekë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare gjatë kontrollit...
-
Kurti: Viti 2024 është viti i pasaportës sonë, ajo renditet më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në lidhje me ngritjen e Kosovë...
-
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë, kolona 500 metra
Foto ilustrim Në pikën kufitare në Jarinje ka deri në 2 orë pritje për të ...
-
Besnik Tahiri zyrtarëve të Jordanisë: Decentralizimi proces afatgjatë dhe jo i lehtë, konteksti i vendit ka rëndësi të madhe
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka zhvilluar takim me gr...
-
Pse po i ndanë Kurti pensionistët e FSK-së nga 100 euroshi? Pyetja e zyrtarit të lartë të AAK-së
Zyrtari i lartë i AKK-së, Lahi Brahimaj ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë ...
-
TikTok-u i kërkoi sqarime Shqipërisë, i kundërpërgjigjet Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj kërkesës së TikTok për “...
-
Nitaj: Ç’është kjo mesele? Veç vitrat jepen para se të falet Bajrami, por vitrat s’janë para të taksapaguesve
Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj e konsideron komuniste sjel...
-
Aksident mes tri veturave në Prishtinë, lëndohen dy persona
Një aksident trafiku mes tri veturave ka ndodhur pasditen e së dielës në rrug...
-
Një orë pritje për të hyrë te Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë
Pritjet për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare te Dheu i Bardhë, dhe në...