Opinione

“Burrat” e Odës Demokratike

Autori: Gazeta inFokus 16:09 | 24 August 2019

Shkruan: Ibrahim Berisha

“Burrnia” e Odës Demokratike është forma pa përmbajtje e vlerave dhe normave etike, të sintetizuara si sistem aktiv në sferën politike të shoqërisë së Kosovës. Është delikuencë legale, pasi mbahet pa shiku’ për dëmin e saj. Ajo po mbijeton lehtë dhe suksesshëm me rindërtime të imta. E këtillë arrin të kamuflohet edhe në shoqërinë post-krizë duke ndëshkuar tregun e lirë, konkurrencën dhe lirinë e individit në njërën anë dhe në tjetrën, duke i shfrytëzuar boshllëqet e sistemit për t’i marrë të mirat publike për qëllime dhe interesa personale apo të tarafit.

“Burrina” ka hierarkinë e brendshme me në krye “burrin”, i cili me profilin e mësuesit a prindit, mbikqyrë hapësirën që e di për të veten, megjithëse ajo është qartë e përkufizuar me Kushtetutë e ligje se u përket të gjithë qytetarëve.

-Advertisement-

Kjo “burrni” e pushtetit si funksion i joligjshmërisë shpërblen familjarët, tarafin dhe klientelën, duke shtypur dhe thërrmuar një shtyllë themelore të institucioneve të Kosovës: Shtetin e së drejtës. A mund të jetë kjo mungesë e kulturës politike-publike? A mund të jetë kjo pasojë vetëm e papërvojës shtetërore? A mund të gjendet arsyetimi i mjaftueshëm në këtë papërvojë? Apo është vetëm një kapërcim i përkohshëm artificial i problemit?  Një shpjegim të pamohueshëm për këtë problem e kishte dhënë Mit’hat Frashëri para 90 viteve në libërthin “Plagët tona”  kur shkruan në kontekstin e marifeteve në qeverisjen në shtetin shqiptar: “Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente”. Në këtë mendim mund të gjenden përpikshmëri krahasimesh edhe me të sotmen e odë-demokracisë kosovare.

Pse duhet lejuar një sistem i tillë gërryes dhe kurthi me “frymë” mesjetare, në socialitetin kaq të pasur me potencial modern të shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe diasporë? Përkundër mendimit të Kosikut se sistemi nuk i krijon njerëzit, nuk i krijon as aftësitë dhe tiparet e tyre, ai i shfrytëzon dhe i favorizon ato aftësi, ndjenja dhe interesa, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e tij, në Kosovë ngjet e kundërta. “Burri” i pakontrolluar, shfrytëzon sistemin për të mirën e “odës së tij demokratike”.

Ky tipar “burri i pushtetshëm” (qeveritar, politikan, intelektual-akademik, biznismen…), reklamohet, dizejnohet dhe ofrohet si vlerë shtetërore, aq më shumë, si kulturore e ndonjëherë madje “pasuri kombëtare”. E dini sa baba i kombit, a i arsimit, a i dijes, a i trimërisë …është krijuar në këto 50 vjet? Në fakt, këto krijime ishin veçse relikte artificiale, dhe si të tillë, ndeshur me mungesën e autoritetit racional, operonin si autoritete spekulative, mistike, babloke. Ky lloj “autoriteti mekanik”, ka bërë të lulëzojë autokracia provinciale në shoqërinë e Kosovës; thënë ndryshe, funksionalizoi odë-demokracinë apo kafe-demokracinë, punë kjo e marrjes së vendimeve për shtetin dhe qytetarin, duke mos e pasur në vëmendje as shtetin, as qytetarin.

Autoriteti  “burrnor” në institucione dhe në shoqërinë shqiptare (kosovare), është një përsëritje e hakmarrjes institucionale. Një proces i ndëshkimit të fajit të “burrit” dhe “burrave paraprakë”. E mira fillon me “burrin e ri”. Kjo është tradita e poshtërimit politik. Por, në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me një imponim të verbër, siç thuhet shpesh. Kemi të bëjmë me një praktikë dhe ceremoni, e cila përdoret vazhdimisht dhe funksionon po ashtu vazhdimisht. Kjo ndodh, sepse sovrani ëndërron, sikur ata duan të flejnë. Ky profil spekulativ etik, edhe si komunikim autoriteti (monolog) sado i veshur formalisht pjesë-pjesë me rroba demokrati, ushqehet përmbajtësisht nga joligjshmëria dhe udhëheq edhe vetë imponueshëm joligjshmërinë. Ky kontaminues i shtetit, funksionalizon nderin e “odë-demokracisë” dhe provincialitetin kujdestar, si një proces pune dhe kompensim hierarkik për politikat dhe shërbëtorët më të ulët piramidalë.

Në politikën “burrnore” shqiptare (kosovare), autoriteti i liderit ”burrë” ndaj partiakëve, përgjason me autoritetin e prindit ndaj fëmijëve, pra nuk ekziston një nga parimet kryesore të demokracisë, procesi i kontrollit dhe llogaridhënies reciproke. Ky autoritet i kapitalit, nuk njeh pothuajse asnjë lloj të drejte as të anëtarëve, as brenda familjes politike. Është pronari. Është kulti dhe miti i frymëzuar. Është martiri vetë.

Thuhet, mitet bijnë pakufishëm për të kryer misione. E vërteta nuk ka pasur, as nuk do të ketë kohë pa mite, po kështu, nuk ka as mite që zgjasin përgjithmonë. Po, në Kosovë rënia e një miti artificial do të thotë krijim i një miti të ri ende më artificial. Kjo hapësirë boshe ndërmjet një miti të perënduar dhe një miti embrional, mundëson frymëmarrje dhe rivlerësim për ata që janë mësuar të jetojnë brenda kornizave të mitit. Në shoqërinë e Kosovës ka plot mite false. Shih vetëm në këto 30 vjet çfarë ka ngjarë; mite intelektualësh, politikanësh, luftëtarësh, fetarësh, patriotësh…

Miti është mistiku, është autoriteti, burri tradicional, ky konservatori i përhershëm, vendimet e të cilit nuk mund të kontestohen, pasi ato janë të pathyeshme dhe të madhërishme. Si krijohet ky autoritet absolut? Me cilën edukatë ndërlidhet ai? Psikologu e sociologu, Erich Fromm, për këtë profil autoriteti shkruan se ushqen forcën nga burime të ndryshme. Ndonjëherë ky autoritet mund të burojë nga frika, ndonjëherë nga respekti dhe ndonjëherë nga admirimi dhe identifikimi “me prindin”. Pra, me autoritetin “burrë”, ëndrra është e mirë dhe e saktë, prandaj duhet bindur dhe besuar pa pasur nevojë të mendohet.

“Burri” është pushtet dhe nuk shpërndanë dromca pushteti real në duar të mëposhtmëve të vet. Shpërndanë për ta kontraktualitet dhe falsitet sistematik. Fjala vjen, vlerësohet lartë luajaliteti, dëgjueshmëria, besimi, ndershmëria. Nderi, do të ishte në stilin për “mos me ia lanë fjalën tjetrit që nuk është burrë”, apo “që nuk është për të qenë burrë”.  Kjo e bën burrin krenar.

Të gjitha bëhen me miratimin e autoritetit. Komunikimi “burrnor”, përjetohet si betejë etike suksesshëm e fituar nga dikushi, për aq sa është i pasuruar me agresion dhe kauza. Sa më shumë e më joreale kauzat, aq më e madhe bindja dhe dëgjueshmëria!

Nuk duhet harruar, nuk është e re kjo ndjenjë ”burri”, ky inferioritet i kamufluar me krenari fiktive. Kreanaria fiktive në këtë rast është pasion. Pikërisht ajo merr rolin e sistemit rregullues shoqëror. Këtë mizantropizëm me merak të pakufishëm kolltuku të shqiptarit e kishte vërejtur Krist Maloki që në vitet ’30-të të shekullit të kaluar, duke e formuluar kështu: “Nuk e njeh sakrificën dhe vetmohimin për interesin e përgjithshëm; si ushujza i ngjitet trupit kolektiv për t’ia thith gjakun. Në vend të turpërohet për shkatërrimet, ky mentalitet oriental bëhet më krylartë; ma kapadai, më qejfli; Nuk njeh turp a marre; ideali është kolltuku e lokma” (Maloki: 110). Edhe më e keqja: “E shkyen shokun e vet kur sheh se dobësohet.”

Sakrifica dhe vetmohimi “i burrit” për interes personal duke mos zgjedhur mjet as rrugë, pra njësoj sikur ushujza e Malokit, pa u turpëruar për asgjë, kodosh dhe kapadai, po aq qejfli me ideal kolltukun dhe lokmën, ky është njëri nga profilet e zyrtarit lehtë të njohur në shoqërinë e Kosovës mbas vitit 1999.

Aq e dendur sharja, fyerja, urrejtja, për tmerr të fëmijëve, shih si lulëzon që nga Parlamenti, Qeveria, institucionet, partitë politike etj. Zëri i ngritur tregon se “burrnorja” është vlerë publike, është intelektualizëm sa edhe pushtet, e cila hap rrugën për të ecur përpara. Sa më arrogant, bëhesh hero aq më i vlerësuar. Andaj praktikisht në qeverisje nuk ka gra! Gjysma e popullsisë, nuk është në Odën e Demokracisë, përkatësisht të qeverisjes.

Arroganca publike, ky tipar jo i miratuar në kulturën shqiptare, pastaj kërcënimi dhe revolja, tregojnë problemin e madh që ka mbetur nga sistemi i joligjshmërisë një kohë të gjatë dhe që është stimuluar dhe toleruar në shoqërinë e Kosovës. Urrejtja e tillë me burime të shumta hakmarrëse nga paqetësia dhe pasiguria personale, instaluar si politikë e kulturë shtetërore, duket të jetë një nga shkaqet e përkohësisë së simuluar joligjore të shoqërisë dhe të shtetit, në të cilën, armiq janë të gjithtë. Ata që nuk janë si Na. Apo, e vërteta, këta “armiq“ nuk janë tjetër pos të rinjtë e posadiplomuar me rezultate të shkëlqyeshme brenda dhe jashtë, qytetarët që duan të marrin atë që u takon bazuar në aftësitë dhe të drejtat e tyre, pra që duan realizimin e të drejtës më themelore të tyre. Duan punën duke iu shtruar një konkurrence të hapur dhe legjitime.

Pra, realiteti është sfidues; në emër të mbrojtjes së vlerave shtetërore, më saktë të “burrnisë”, të nderit dhe krenarisë, të lirisë dhe të drejtës. Të pushtetshmit publikë dhe jopublikë, ata burra e konsolidojnë dhunën dhe arrogancën, ndonjëherë edhe terrorin e tarafit, duke rikthyer formatin e reliktit provincial, apo të embrionit primitiv klientelist. Andaj, kjo është periudhë e problemeve të mëdha, e krizës dhe e frustrimit, e nevojës për t’u marrë me to, dhe është pika thyese, me dilemën e ndërlikuar se cila rrugë do të zgjidhet, kjo e krizës ciklike, e njohur tash 100 vjet në Shqipëri, apo tjetra, e cila do të hapë perspektivën e konkurrencës, të barazisë së tregut, të vendimmarrjes, të dijes dhe kudo të një konkurrence të hapur dhe legjitime.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera