Lajme

Burdushi rrëfen se si provoi të kryejë vetëvrasjen në burg

Autori: Gazeta inFokus 17:51 | 09 March 2019

Pas informatës se mjeku popullor Hysri Peqani-Burdushi, i cili po mbahet në paraburgim, ka tentuar të vetëvritej, zyrtarë të KMDLNJ në Prizren e kanë vizituar Qendrën e Paraburgimit në Prizren me qëllim që të njihen me gjendjen e tij, përcjell inFokus.

Sipas kumtesës së lëshuar nga Qendra Rajonale e KMDLNJ në Prizren, zyrtarë të kësaj qendre e kanë vizituar dhe e kanë intervistuar Burdushin në Qendrën e Paraburgimit.

Gjatë intervistimit ai ka deklaruar se “jam shumë mirënjohës për sjelljet dhe trajtimin tim në Qendrën e Paraburgimit nga ana e stafit të oficerëve dhe menaxhmentit në përgjithësi. Këta njerëz janë për t’u komplimentuar. S’kam asnjë vërejtje”.

-Advertisement-

Duke iu referuar rastit kritik, të datës 25.02.2019, kur edhe tentoi të vetë vritej, Burdushi ka thënë se “kam qenë me disa narkomanë në dhomë dhe nga ta të shumtën e kohës kam patur presion psikik, duke ditur problemet që mund të sjellin vartës të tillë”, shkruan Telegrafi.

“Ditën kritike, 25.02.2019 në ora 5.30 kam qenë shumë i shqetësuar dhe akumulimi i saj arriti kulmi, kur tentova të kryej aktin e vetëvrasjes. E kam lidhur një çarçaf në formë litari dhe e kam varur në mbajtësen e televizorit, e më pas e kam vënë në qafë. Për fatin tim të mirë janë liruar mbajtëset e ramit të televizorit e bashkë me ta pas rreth 10 sekondash kamë rënë në tokë, duke mos mundur ta kryej aktin e vetëvarjes. Në moment janë zgjuar shokët e dhomës, ku A.S. më ka heq litarin dhe i kanë rënë derës, dhe menjëherë kanë ardhur oficerët që bashkë me stafin mjekësor më kanë dhënë ndihmën, për çka i falënderoj shumë. Pas kësaj kam patur të vjella dhe jam stabilizuar, pas marrjes së terapisë. Po ashtu, dua të theksoj se pas 30 minutash komplet stafi menaxherial ka ardhur në punë bashkë me drejtorin, duke u interesuar për gjendjen time”, ka sqaruar Burdushi.

Më tej ai ka deklaruar se është trajtuar me barëra dhe është stabilizuar.

“Jam vëzhguar për 24 orë rresht tërë kohën, duke patur derën e qelisë të hapur, derisa kam kërkuar ndërkohë që të kaloj në një qeli i vetëm. Edhe për këtë rast, pas kërkesës sime, drejtori më ka mundësuar dhe të njëjtën ditë, kur kam bërë kërkesën, 06.03.2019 e ka aprovuar dhe tanimë ndjehem shumë më mirë dhe jam qetësuar sa i takon gjendjes shpirtërore’, ka thënë Burdushi.

Sipas KMDLNJ, Burdushi ka një apel për organet e drejtësisë, që të ndihmojnë në vendosjen e një mase tjetër, arresti shtëpiak apo paraqitje në polici, ku ai do të ishte afër familjes, si dhe do të jetë përherë bashkëpunues me organet.

Ndërsa, sa i takon epilogut përfundimtar të procesit gjyqësor dhe akuzës me të cilën ngarkohet, Burdushi ka thënë se është tërësisht i pastër.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera