Lajme

Bundestagu pritet t’ia vazhdojë ushtarëve të saj misionin në Kosovë, vendimin qeveria gjermane e ka arsyetuar me situatën në veri

Autori: Gazeta inFokus 13:13 | 05 May 2023

Të mërkurën e kësaj jave, qeveria gjermane ka marrë vendim që mandati i ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë, të vazhdohet dhe për një vit.

Në fakt ky është misioni më i gjatë i Gjermanisë jashtë territorit të saj.
Me këtë vendim, qeveria ka vendosur ta vazhdojë mandatin e rreth 70 ushtarëve që veprojnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

“Ndonëse Gjermania mundet që të dërgojë në afat të shkurtër në Kosovë, deri 400 ushtarë në rast nevoje”, tha Bahri Cani, gazetar nga Deutsche Welle, në një raportim të drejtpërdrejtë nga Boni për RTK-në, në programin e mëngjesit.

-Advertisement-

Sipas tij, vazhdimin mandatit të ushtarëve të saj në Kosovës, qeveria gjermane e ka arsyetuar me tendosjen e situatës sidomos në veri të vendit.

“Në shpjegimin e autoriteteve gjermane thuhet se vazhdimi i mandatit është i një interesi të madh strategjik, në veçanti nga perspektiva e agresionit rus në Ukrainë”, u shpreh Cani.

Ai shpjegoi se sigurinë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, Gjermania e shikon si një çështje të interesit gjeostrategjik.

“Megjithatë, ky vendim i qeverisë duhet të konfirmohet dhe në Bundestag në javën që vjen”, tha ai, ndonëse Cani sqaroi se kjo konsiderohet më shumë si diçka formale, sepse vendimi tashmë është marrë.

Në lidhje me këtë ai sqaroi se vazhdimin e misionit të ushtarëve gjermanë në Kosovë e mbështesin jo vetëm partitë në pushtet, si socialdemokratët, ekologjistët dhe liberalët, por edhe unioni CDU/CSU në opozitë.

“Kundër vazhdimit të misionit janë partitë e majta dhe Alternativa për Gjermanisë, AFD. Por këto parti nuk kanë fuqinë e pengimit, prandaj vazhdimi i misionit ushtarak gjerman në kuadër të KFOR-it mund të konsiderohet si punë e kryer”, tha ai.

Në këtë rast, për dallim nga misionet e tjera të ushtrisë gjermane, misioni ushtarak i saj në kuadër të KFOR-it në Kosovë është pa kufizim kohor, ndonëse duhet që të konfirmohet çdo vit.

Aktualisht misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO në Kosovë ka rreth 3 mijë e 800 pjesëtarë, nga 27 shtete të ndryshme.

Në fillim të tij në qershor 1999, KFOR-i numëronte rreth 40 mijë ushtarë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera