Lajme

Bugajski: Nëse nuk përfshihet në takim njohja, takimi është humbje kohe

Autori: Gazeta inFokus 07:58 | 03 May 2022

Pasditja e 4 majit do ta gjejë kryeministrin Albin Kurti në kryeqytetin gjerman, Berlin në takim me kancelarin Olaf Scholz.

Kancelarin do ta takojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç do të bëjë edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, MIroslav Lajcak.

E këta tre të fundit mbrëmja do t’i bëjë bashkë, ku pas një kohe të gjatë pritet të zhvillohet takim mes kryeministri Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ndërmjetësuar nga emisari Lajçak.

-Advertisement-

Por, njohësi amerikan i rrethanave ndërkombëtare, Janusz Bugajski thotë se takimi nuk do të zgjidhë asgjë.

“Takimi nuk do të zgjidhë asgjë, pasi është kryesisht një politikë simbolike me tre qëllime. Së pari, BE-ja dëshiron të jep përshtypje se po lehtëson dialogun dhe zgjidhjet paqësore, edhe pse ky ritual mund të vazhdojë pafundësisht pa asnjë rezultat. Së dyti, Beogradi mund të pretendojë se është i interesuar për një zgjidhje, ndërsa në realitet po manipulon bisedimet për të krijuar mosmarrëveshje dhe për të shmangur njohjen e Kosovës. Së treti, Prishtina duhet të marrë pjesë në takimet simbolike në mënyrë që të mos fajësohet se është mosbesuese dhe të mbajë mbështetjen ndërkombëtare.”, tha ai.

I pyetur nëse ka një simbolikë vendi i takimit, që po i bën bashkë Kurtin e Vuçiqin pas gati një viti, Bugjaski thotë se vendtakimi bëhet pak i rëndësishëm pa një politikë të BE-së që i bën presion apo bind Beogradin drejt njohjes së Kosovës.

“Ka një qeveri të re në Gjermani e cila me sa duket dëshiron të tregojë se është e përkushtuar për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në Ballkan. Megjithatë, pa një përkushtim të vendosur nga të gjithë anëtarët e BE-së për shtetësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe pa një politikë që i bën presion apo bind Beogradit drejt njohjes së Kosovës, vendtakimi bëhet i parëndësishëm. Pika e rëndësishme për t’u vëzhguar është tema e çdo takimi në vijim. Nëse ata nuk përfshijnë njohjen reciproke, atëherë janë humbje kohe.”, tha ai.

Por, a sheh amerikani Bugajski marrëveshje të shpejtë mes shteteve bazuar në rrethanat aktuale?

“Nuk shoh vullnet të mjaftueshëm nga BE-ja apo SHBA-ja për ta shtyrë procesin drejt zgjidhjes përfundimtare. Administrata amerikane është e fokusuar në luftën Rusi-Ukrainë dhe ende nuk e ka kuptuar plotësisht se pa njohje reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Ballkani mund të destabilizohet. Brukseli dhe Uashingtoni madje nuk kanë arritur të bindin qeverinë e Vuçiqit që të vendosë sanksione ekonomike kundër regjimit kriminal të luftës të Rusisë dhe të mbyllë bazën ruse në Serbi. Logjike do të ishte se nëse nuk mund ta bindësh Serbinë të njohë Kosovën, atëherë e anashkaloni shtetin pengues e ecni përpara drejt njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e mbetura të BE-së dhe të ndihmohet të anëtarësohet në BE dhe NATO”, tha ai.

Takimi i fundit mes kryeministri Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ishte zhvilluar në korrikun e vitit të shkuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera