Lajme

Britanikët lëvizin pa viza, edhe nëse s’ka marrëveshje për Brexit

Autori: Gazeta inFokus 20:47 | 01 February 2019

Ambasadorët e Bashkimit Europian ranë dakord këtë të premte që shtetasve britanikë t’iu mundësohet lëvizje e lirë dhe pa viza në vendet e bllokut, edhe në rastin e një “Brexit”-i pa marrëveshje.

Propozimi i Këshillit Europian do t’iu japë kështu britanikëve qasje të lirë në zonën pa kufij të “Schengen”-it, që përbëhet nga 26 vende europiane, për udhëtime të kufizuara kohore prej maksimumi 90 ditë.

“Duke marrë në konsideratë afërsinë gjeografike, lidhjet mes ekonomive tona, nivelit të shkëmbimit tregtar dhe rastet e lëvizjeve afatshkurtra të personave mes Britanisë dhe vendeve të bllokut për çështje biznesi, për të kaluar kohën e lirë, apo edhe qëllime të tjera, udhëtimi pa viza do të lehtësonte turizmin dhe aktivitetin ekonomik, duke sjellë kësisoj përfitime për unionin”, thuhet në tekstin e hartuar nga shtetet propozuese.

-Advertisement-

Në një deklaratë shpjeguese për këtë lëvizje, Këshilli Europian tha se rregullat e BE-së theksojnë se përjashtimet nga regjimet e vizave jepen “me kusht reciprocitetin”.

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është shprehur se nuk ka ndërmend t’u kërkojë viza qytetarëve të BE-së që udhëtojnë drejt Britanisë për qëndrime afatshkurtra”, thuhet më tej në propozim.

Por, masa e reciprocitetit mund të aplikohet kurdo që të konsiderohet e nevojshme

“Në rast se Britania e Madhe do të vendosë vizat për shtetasit e të paktën një shteti anëtar në të ardhmen, mekanizmi ekzistues i reciprocitetit do të aplikohet menjëherë”.

Vendimi për këtë propozim do t’i kalojë tashmë për miratim Parlamentit Europian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera