Lajme

Britania prezanton ndryshime në ligj, burgim i përjetshëm për shoferët që e mbysin dikë në rrugë me automjet

Autori: Gazeta inFokus 16:52 | 26 June 2022

Javën e ardhshme, në Mbretërinë e Bashkuar pritet të ndodhin ndryshime që mund të rezultojnë në dënimin me burgim të përjetshëm të shoferëve që e kanë mbytur dikë me automjet. Ndryshimet hyjnë në fuqi të martën sipas ligjit të policisë, krimit, gjobave dhe gjykatave.

BBC shkruan se gjyqtarët do të mund të shqiptojnë dënime me burgim të përjetshëm për shoferët e rrezikshëm që kanë mbytur dikë në trafik dhe shoferët që e kanë bërë këtë nën ndikimin e drogës dhe alkoolit. Dënimi maksimal për ata që fshehin një aksident me fatalitet aktualisht është 14 vjet.

“Ata që janë përgjegjës tani do të përballen me mundësinë e të jetuarit pas hekurave”, tha ministri britanik i Drejtësisë, Dominic Raab, përcjell Gazeta Express.

-Advertisement-

Ligji i ri e bën vepër penale shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore nga drejtimi i pakujdesshëm. Kjo do të thotë se drejtuesit e automjeteve që i shkaktojnë dikujt lëndime afatgjata ose të përhershme do të dënohen gjithashtu me dënimet më të rënda. Amendamenti i propozuar i ligjit u publikua për herë të parë në vitin 2017.

Rritja e gjobave do të zbatohet për shkeljet në Angli, Skoci dhe Uells, por jo në Irlandën e Veriut, e cila ka ligje të veçanta për sigurinë rrugore.

“Shumë jetë janë humbur për shkak të sjelljes së pamatur pas timonit… Familjet janë shkatërruar”, tha ministri Raab.

“Shoferët që sillen keq në rrugë janë një rrezik për të gjithë ne. Ata meritojnë dënimet më të rënda sepse veprimet e tyre marrin jetën e të tjerëve. Shpresoj se kërcënimi me burgim të përjetshëm do të jetë i mjaftueshëm për t’i detyruar drejtuesit e pamatur ta ndryshojnë sjelljen e tyre në trafik. Vrasja nga pakujdesia tashmë parashikon një dënim të përjetshëm, që do të thotë se vrasja e një personi me makinë mund të jetë subjekt i të njëjtit dënim”, tha Steve Gooding, drejtor i organizatës humanitare RAC.

Qeveria britanike ka thënë se dëshiron të sigurohet që dënimet të pasqyrojnë peshën e krimit dhe se prokurorët do të vazhdojnë t’i akuzojnë ata për vrasje nga pakujdesia ose vrasje nëse ka prova që automjeti është përdorur si armë për ta vrarë ose për të shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera