Uncategorized

Britani, fjalimi i Elisabeth në Parlament. Nuk përmendet Trump

Autori: Gazeta inFokus 17:38 | 21 June 2017

Mbretëresha Elisabeth II tha të mërkurën se, prioritet i qeverisë ishte të sigurohej marrëveshja më e mirë e mundshme për Britaninë, ndërsa ajo largohet nga Bashkimi Europian.

Duke mbajtur fjalimin e saj tradicional, të përgatitur nga ministrat për llogari të saj, shefja e shtetit nënvizoi planet e qeverisë për dy vitet e ardhshme.

Kryeministrja konservatore, Theresa May është detyruar të heqë nga fjalimi disa premtime të spikatura gjatë fushatës elektorale, pasi humbi shumicën e saj parlamentare në zgjedhjet e 8 qershorit, që e lanë atë më të dobët politikisht.

-Advertisement-

Fjalimi përmendte vizitën e pritshme shtetërore të Mbretit Felipe VI dhe Mbretëreshës Letizia të Spanjës, por nuk ndalej te vizita e mundshme e presidentit amerikan Donald Trump.

Një zëdhënës i kryeministres May tha se, vizita e Trump nuk ishte përmendur, pasi asnjë datë nuk është caktuar për të. Mediet kanë raportuar ndërkohë se Trump është në dilemë për vizitën, për shkak të protestave masive të mundshme që mund ta presin atë në Londër.

Qeveria britanike dhe Shtëpia e Bardhë nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë. Fjalimi po ashtu premtonte edhe një hetim publik për zjarrin në kullën “Grenfell” në Londër, ku humbën jetën 79 persona.

Kryeministrja May është kritikuar gjerësisht për mënyrën sesi e menaxhoi tragjedinë dhe është konsideruar e pandjeshme. E gjithë ngjarja, e njohur si hapja shtetërore e Parlamentit, ishte relativisht e një profili të ulët, krahasuar me pompozitetin e zakonshëm. Mbretëresha nuk kishte veshur mantelin dhe nuk kishte vënë kurorë, e kishte mbërritur në ndërtesën e Parlamentit me makinë, e jo me një karrocë me kalë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka po ndodh me DITËLINDJEN e Viva Fresh Store?!
-Advertisement-

Të tjera