Opinione

“Bretkoca” që do të na ndryshojë

Autori: Ben Apolloni 16:05 | 05 November 2019

Shfaqja “Bretkoca” sipas tekstit të dramaturgut kroat, Dubravko Mihanovic, në regji të Burbuqe Berishës, e hapi festivalin Prishtina International Theater Fest, në edicionin e tij të tretë.

Nga Ben APOLLONI

“Bretkoca”, ishte një shfaqje e vogël por që kishte një peshë të madhe sepse ashtu siç thot personazhi i Zekos,  bretkoca  e ndryshon botën. Ajo e ndryshon botën tonë si artistë teatri që do të duhej ta shihnim e ta lexonim këtë vepër dhe të mësojmë se si duhet trajtuar njerëzit e vegjël me probleme të mëdha, ata njerëz të margjinave që përbëjnë shumicën e vendit tonë dhe të të gjitha vendeve.

-Advertisement-

Autori Dubravko Mihanovic kishte vendosur personazhet e tij një një dyqan berberi, dhe regjisorja Burbuqe Berisha shfaqjen e fillonte me personazhet para pasqyrës e duke i vendosur personazhet në atë pozitë, rrjedhimisht edhe audiencën e vite para pasqyrës (fundja teatri është pasqyrë e shoqërisë) dhe derisa Zeko e qethte Tonin, mendja mund të na çonte tek vargjet e poetit shqiptar, Azem Shkreli: “Sikur të takoheshim me vetën sy më sy, do të putheshim apo kishim për tu pshty?”. Dhe gjatë rrjedhës së kësaj shfaqjeje, të vendosur në skenë kamertale, ndonjëherë kishim përshtypjen që pshtymat e aktorëve-personazhe do të na binin në fytyrë dhe atë me meritë.

Duke e shikuar dramën e tyre, ne shihnim dramën e mijëra ushtarëve që kanë shkuar në luftë, kanë dhënë krejt çfarë kishin dhe ne kurrë nuk jemi treguar të kujdesshëm me ta, kurrë nuk kemi pyetur se çfarë kanë parë ata, çfarë kanë përjetuar ata kur u kanë fluturuar bombat e plumbat mbi koka, kur kanë humbur shokët e shoqet, kur kanë lidhë plagët e njëri-tjetrit apo i kanë hapur varrin njëri-tjetrit, që t’ua raujnë kujtimin. Ne kërkojmë që ata të jenë normal edhe pse jeta e vepra e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Edhe ata duan të jenë normal, por si të jenë normal me ne që çdo gjë e abnormale e konsiderojmë normale, por jo ata njerëz të vegjël që kishin guxuar të ngritën e të bëjnë ndryshime të mëdha? Jo, ne ata i konsiderojmë jo normal?

Berberi, Zeka, një ish luftëtar ishte i fiksuar pas një tregimi, të cilin e kishte lexuar në një gazetë, që fliste për bretkocën e vogël që donte ta ndryshonte botën. Zeka edhe vetë i vogël me trup, ishte idealist si bretkosa dhe kishte bërë çmos për ta ndryshu botën e tij dhe të njerëzve të tij. E ky idealizëm e kishte bërë që ai të humbte në luftë të gjithë shokët dhe në paqe të humbte gruan e djalin, që e kishin braktisur. Zekën po e braktisnin të gjithë, edhe vëllai i tij që edhe ai i humbur ishte në alkool e në lojra fati, por edhe miku i vetëm, Grga, taksisti.

Këto pak personazhe: berberi, taksisti, kumarxhiu dhe librashitësi, ishin mjaftueshëm për autorin Mihanovic,  për të paraqitur jetën në gjithë plotninë e saj në një vend që kishte dalë nga lufta, në një vend që kishte humbur shumë në luftë, por më e dhimbshmja dhe e padurueshmja ishte se kishte humbur edhe idealet. Nga katër “bretkocat” e kësaj shfaqjeje, vetëm një besonte që mund ta ndryshonte gjendjen në vend, të tjërët ishin dorëzuar dhe jetonin me “rregullat” e kënetës.

Shfaqja “Bretkocat”, ishte vënë në skenë thjesht, por pikërisht thjeshtësia e vënies në skenë ishte edhe gjetje mjeshtrore. Fokusi ishte vënë mbi lojën e katër aktorëve, ku secili dëshmoi mjeshtri në krijimin e personazhit të tij, duke na berë që dramën ta ndjejmë dhe ta besojmë 100%. Sepse të luash në një skenë të tillë të vogël, ku spektatori është aq afër sa që, jo vetëm se ta dëgjon secilën fjalë e pëshpërimë, por t’i ndjenë edhe frymëmarrjet e rrahjet e zemrës, kërkon shumë përkushtim, shumë punë dhe shumë profesionalizëm. Prandaj me të drejtë aktori dhe profesori, Enver Petrovci, në fund të shfaqjes doli në skenë i entuziazmuar dhe i përqafoi aktorët Ilir Tafa (Zeko), Donat Qosja (Toni), Basri Shala-Virusi (Grga) dhe Valmi Krasniqi (Librashitësi), për punën e tyre të shkëlqyer. Por edhe salla e mbushur përplot me sektatorë, i duartrokiti gjatë.

“Bretkoca” është shfaqje që duhet të luhet gjatë në Kosovë dhe të shikohet nga disa herë. Sidomos nga aktorët, sidomos nga regjisorët dhe SIDOMOS nga dramaturgët.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera