Lajme

Brenda mureve të Burgut të Sigurisë së Lartë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 10:25 | 14 March 2020

Për vite të tëra, ai pa vetëm dyert e hekurta, grilat e trasha e muret e pakapërcyeshme të burgut. Hyri brenda mureve të ftohta si një djalosh para 13 viteve, e do të dal si një profesionist i disa fushave të ndryshme, pas 7 vitesh kur edhe i përfundon dënimi që Gjykata ia dha për veprën që e kishte kryer. 34-vjeçari gjatë kohës brenda burgjeve kreu shkollën e mesme dhe kurse të ndryshme, aftësime profesionale, të cilat shpreson se do t’i hyjnë në punë pas 7 vitesh kur do të dal jashtë.

Iu deshën vetëm 2-3 ditë të mësonte punën në makinën e përpunimit dhe ambalazhimit të letrës së tualetit, ku edhe punon tashmë me dy kolegët e tij, të cilët e kanë fituar këtë privilegj për shkak të sjelljeve të mira që kanë pasur në burg.

Por, tre të burgosurit të cilët kanë të drejtë të punojnë në punëtorinë e përpunimit të letrës së tualetit, nuk janë të vetmit që e shfrytëzojnë këtë privilegj në Burgun e Sigurisë së Lartë, që gjendet mes fshatrave Dyz e Gërdovc të Podujevës.

Nga 156 të burgosur në këtë burg, 86 prej tyre janë të angazhuar në punë të ndryshme të cilat i kryejnë brenda burgut, për të cilën punë marrin edhe një pagë simbolike nga shteti.

-Advertisement-

E për mënyrën se si ka ndikuar në jetën e tij brenda, puna e ofruar në Burgun e Sigurisë së Lartë, për Telegrafin ka rrëfyer njëri nga të burgosurit që do të vuajë dënimin prej 20 vitesh brenda këtij burgu.

“Normal puna ndikon pozitiv, për shkak se arrin me të hjek psiqik prej asaj që je tu vujt, edhe sa je në orar të punës nuk mendon ku je. Edhe është normale që është si profesion shtesë”, thotë ai.

Të tre personat të cilët punojnë në këtë punëtori kanë sjellje korrekte, gjë e cila edhe u mundësoi të shfrytëzojnë shumicën e beneficioneve që ua mundëson Ligji.

“Këtu punojmë tre persona, në njëfarë mënyrë jemi të pavarur, dy prej treve jemi me sjellje korrekte dhe i shfrytëzojmë të gjitha beneficionet që ofron burgu”, tregon ai.

Ata po ashtu kërkojnë që tu mundësohet të bëhen të pavarur financiarisht duke qenë se janë të aftë dhe kanë vullnet të punojnë, në mënyrë që edhe të mos bëhen barrë e familjes.

“Pagat i kemi simbolike, sepse punojmë vetëm për nevoja të brendshme. Por, nëse është nevoja ne mundemi me bo prodhim edhe më shumë, sepse luksin e kohës e kemi më shumë se ata jashtë. Por ne këtë e marrim më shumë si projekt për edukim sepse si punësim”, thotë ai.

E përveç tre të burgosurve të cilët punojnë tashmë në këtë punëtori, të trajnuar për të njëjtën punë janë edhe pesë të tjerë, por që për shkak të kërkesave të vogla për prodhim, tash për tash nuk janë të angazhuar.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Burgun e Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj për Telegrafin ka thënë se për momentin furnizimi me letër higjienike nga kjo punëtori bëhet vetëm për Shërbimin Korrektues të Kosovës, prandaj edhe angazhimi është më i vogël.

“Janë të trajnuar 8 të burgosur por vetëm tre punojnë në këtë fabrikë, për shkak se nuk ka kërkesa të mëdha, duke qenë se punohet vetëm për tu furnizuar Shërbimi Korrektues i Kosovës. Në punëtorinë këtu ku kemi letrën higjienike, ku bëhet prodhimi i dhe ambalazhimi i letrës higjienike, i kemi tre të burgosur për momentin të kyçur, janë të trajnuar një numër më të madh, janë 8 të burgosur të cilët deri më tani janë trajnuar për këtë prodhimtari, por për shkak që nevojat e shërbimit për momentin nuk janë të mëdha, derisa të fillojmë edhe me shitje. Njëra ndër prioritetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës, është ta zgjerojnë njësinë ekonomike në burgje”, tha Buleshkaj.

Por, ai shpreson se së shpejti do të rrisin prodhimin dhe do të zgjerojnë edhe sektorët e tjerë të prodhimit, si me plastikë dhe dru.

“Pikërisht për këtë qëllim Burgu i Sigurisë së Lartë, po synon të pajiset edhe me një makinë për prodhim të plastikës, saktësisht për enë plastike të cilat mund të përdorën nga të burgosurit”, u shpreh Buleshkaj.

Burgu i Sigurisë së Lartë është institucion i nivelit të lartë të sigurisë, i cili gjendet 25 kilometër larg nga qyteti i Prishtinës në një hapsirë prej 11 hektarësh. Kapaciteti është 390 shtretër ku secili i dënuar është i vendosur veç në një dhomë ku një dhome ka një hapësirë rreth 9 metër katrorë.

Është  ndërtuar në vitin 2013, kurse në maj të vitit 2014 ka filluar me pranimet e para  të dënuarve me rrezikshmëri të lartë. Burgu i Sigurisë së Lartë është ndërtuar në bashkëfinancim të Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera