Opinione

Brenda apo përtej pragut

Autori: Gazeta inFokus 10:42 | 25 July 2020

Shkruan: Agron HOTI

Autorët Rondo Cameron dhe Larry Neal në librin e tyre “Histori e ekonomisë botërore (prej epokës paleolitike deri në ditët tona)” thonë që “tregtia ndërkombëtare në distancë të largët ka ekzistuar që në fillimet e civilizimit, rëndësia e saj u rrit në mënyrë të jashtëzakonshme dhe me shpejtësi në shekullin 19… vëllimi global i tregtisë së jashtme për kokë banori në vitin 1913 qe më shumë se 25 herë më i madh në krahasim me vitin 1800.”

Shekulli 19 përbën kthesën më të madhe për tregtinë botërore. Edhe pse bazat e ekonomisë botërore qenë bërë qysh në shekullin 17 dhe 18 – siç ishte ndërtimi dhe navigimi i anijeve të mëdha transportuese që ndihmuan në “zbulimin” e Amerikës nga evropianët, hapja e rrugëve për në Azi rreth Afrikës si dhe lundrimi rreth botës i Magelanit – ishte revolucioni industrial në fillim të viteve 1800, ai i cili nxiti ekspansionin masiv të tregtisë, kapitalit, teknologjisë, migrimit dhe komunikimeve.

-Advertisement-

Era e parë e globalizimit përfshinë periudhën prej revolucionit industrial në shekullin 18 deri në Luftën e Parë Botërore, ku tregtia ishte dëmtuar masivisht, standardi i arit kishte rënë, kontrollet ekonomike dhe kufizimet ishin përhapur çdo kund, duke lënë Evropën – qendrën e ekonomisë globale – të shkatërruar. Pra, synimi i ekonomisë botërore ishte që të rritej tregtia ndërkombëtare edhe pse në fillim të shekullit 19 pengohej nga kushtet e vështira natyrore dhe mungesa e teknologjisë adekuate si dhe pengesat tarifore e jo tarifore.

Megjithatë, vetëm në fillim të shekullit 20 e tutje u bë e mundur të flitej për një ekonomi botërore, në të cilën u përfshi pothuaj çdo cep i globit, me Evropën (në fillim shekulli) dhe më pas edhe SHBA-në si qendrën e ekonomisë globale. Ekonomia botërore asnjëherë më parë në historinë e saj nuk ka qenë më e integruar se sa që është sot. Zelli për të globalizuar ekonominë botërore që nga viti 1990 ka çuar në integrim ekonomik ndërkombëtar në nivele të papara. Por, në të njëjtën kohë kjo ka prodhuar dez-integrimin e ekonomive vendore në masë të konsiderueshme. Kjo sepse elitat profesionale, korporative dhe financiare janë lidhur me homologët e tyre anembanë globit duke krijuar distancë me bashkë-vendasit e tyre, me një fjalë politika në glob nuk është duke shkuar më afër qytetarit po sa më larg tij. Popullizmi i sotshëm mes qarqeve të ndryshme politike është rezultat i këtij fragmentimi.
Ka një përshtypje të pranuar globalisht sot që tregjet janë të lira dhe se shteti ka shumë pak ndikim në to. Shtetet për të mbrojtur ekonomitë e tyre aplikojnë masa të ndryshme, të cilat në njërën anë ruajnë ekonominë vendore, por dëmtojnë ekonomitë tjera, sidomos ato të vendeve eksportuese. Është e vështirë të gjendet një ekonomi e vetme sot në glob që nuk aplikon masa proteksioniste për segmente të caktuara të ekonomisë edhe pse përshtypja është që tregjet janë tërësisht të liberalizuara.

Gjithsesi, profesori i famshëm për ekonomi ndërkombëtare Ha-Joon Chang, në librin e tij bestseller “23 Çështje rreth kapitalizmit të cilat nuk ua thonë” thotë se “tregu i lirë është një iluzion dhe se nëse disa tregje duken të lira, kjo ndodh vetëm sepse ne i pranojmë pa asnjë diskutim rregulloret që i mbështesin saqë ato bëhen të padukshme”. Realiteti në glob tregon se tregjet janë goxha mirë të rregulluara, bile ato rregulla janë aq të shumta sa që është tepër e vështirë që të gjitha ato të zbatohen në tërësinë e tyre pa prekur interesat të ekonomive të ndryshme në glob.

Përderisa bota që nga Lufta e Parë Botërore deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore po përjetonte recesionin më të madh ekonomik që kishte ndodhur ndonjëherë, si rezultat i të cilit kishte shpërthyer proteksionizmi, i cili pashmangshëm hapte rrugë për në Luftën e Dytë Botërore, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në glob filloi fryma liberale, e cila si synim kishte reformat drejt politikave tregut siç janë kontrollet e çmimit, de-rregullimi i tregut të kapitalit, reduktimi i barrierave tregtare dhe reduktimi i ndikimit të shtetit në ekonomi, veçanërisht përmes privatizimeve dhe zvogëlimin e shpenzimeve publike.

Për të jetësuar këtë frymë SHBA – si përcaktuese e rendit të ri ndërkombëtar – kishte filluar konsultimet për të krijuar bazat e institucioneve ekonomike multilaterale në shkallë globale. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur edhe fillon era e dytë e globalizimit, mendohej që duke rritur tregtinë ndërkombëtare anekënd globit do të ulej varfëria dhe pabarazia nëpër rajone të ndryshme të botës, me një fjalë pritej që të rritej mirëqenia e përgjithshme në glob.
Përgjithësisht, kishte dy rryma kryesore që tentonin të orientonin ekonominë globale. E para ishte Konferenca e Havanës e 21 nëntorit 1947 deri më 24 mars 1948, e cila – ndër të tjera – parashihte praninë e masave proteksioniste për të favorizuar zhvillimin e industrive që po lindnin dhe atyre tashmë të konsoliduara. Karta që u miratua në këtë konferencë (Karta e Havanës) parashihte në radhë të parë qëllimet e saj sociale dhe ekonomike, kurse liberalizimin e shkëmbimeve tregtare e shihte si dytësore dhe mund të zbatohej vetëm për aq sa i kontribuonte përparimit ekonomik dhe social. Kjo Kartë nuk u ratifikua nga SHBA dhe dështoi si iniciativë.

Rryma e dytë filloi menjëherë pas mosratifikimit nga ana e SHBA-së të Kartës së Havanës, pas së cilës menjëherë në vitin 1948 dominoi fryma liberale, e cila fillon nga ajo që sot e njohim si Sistemi Bretton Woods që përfshinte: Fondin Monetar Ndërkombëtar (IMF), Bankën Botërore (WB) dhe Marrëveshjen e Përgjithshme për Tarifa dhe Tregti (General Agreement on Trade and Tariffs –GATT-). Kjo nomenklaturë globale zgjati deri në fund të viteve 90-ta, pra deri në rënien e komunizmit. Pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore dhe KNER-it (Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke) u krijua një realitet i ri në glob, prandaj edhe filluan negociatat për krijimin e një mekanizmi të ri global, i cili do të orientonte ekonominë globale. Pas 8 rundeve të bisedimeve nga GATT më 1 janar 1995 u formua Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) si platforma kryesore globale për rregullimin e tregtisë globale, organizatë kjo me seli në Zvicër.

Lidhur me atë se a ka fituar bota apo jo nga liberalizimi i tregjeve autori francez Jacques Sapir në librin e tij “Çmondializimi” tregon që – përkundër përshtypjes ende ekzistuese që liberalizimi i mëtejmë i tregjeve është duke e ulur papunësinë, pabarazinë dhe varfërinë në glob – “ekonomia globale është duke u tkurrur ku vetëm nga viti 2002 deri në vitin 2005 fitimet e prodhuara nga liberalizimi i tregtisë ranë nga 800 miliardë dollarë në vetëm 290 miliardë, nga të cilat vetëm 90 miliardë ishin nga vendet në zhillim… në fakt nëse do të hiqej Kina, atëherë fitimi global i vendeve në zhvillim do të ishte zero.” Kjo dëshmon më së miri se kah është duke shkuar ekonomia globale.

Pakënaqësitë e mëdha të vendeve në zhvillim kanë bërë që shumë raunde negociatash të Organizatës Botërore të Tregtisë, siç quhen edhe si “Doha Development Round”, të dështojnë në vitin 2008 pas një kronologjie duke filluar në Kankun të Meksikës në vitin 2003, Hong Kong në vitin 2005, në Paris dhe Potsdam në vitin 2007. Arsyet e dështimit ishin subvencionet bujqësore, tregtia e shërbimeve dhe pronësia intelektuale. Kriza financiare e vitit 2008 ka bërë që tregtia ndërkombëtare të bie për 13% dhe kjo ka ndodhur para se shtetet të marrin masa proteksioniste. Kjo krizë na sjell te fakti se rritja ekonomike ndërtohet mbi tregje të brendshme të fuqishme dhe të qëndrueshme. Sigurisht që kjo nuk nënkupton fundin e tregtisë ndërkombëtare, por do të sjellë në mënyrë shumë të sigurtë një ide më realiste për zhvillim, ulje të papunësisë, pabarazisë dhe varfërisë në glob.

Sipas Jacques Sapir “globalizimi i tregjeve nuk ka promovuar aspak interesin e përgjithshëm ose interesin e më të varfërve”. Njëra prej arsyeve është se firmat e mëdha perëndimore dhe japoneze janë shndërruar që 40 vite në shumëkombëshe dhe duke pasur si synim parësor prodhimin masiv dhe praninë në sa më shumë tregje kanë bërë presion për zbutjen e rregulloreve të tregtisë ndërkombëtare që nxirren nga Organizata Botërore e Tregtisë. Mbi këtë bazë të liberalizimit të tregut është arsyetuar edhe zgjerimi i BE-së nga 6 në 28 shteteve. Por, faktet janë kokëforta dhe e dëshmojnë që përkundër zgjerimit nuk janë ulur pabarazitë mes shteteve anëtare të BE-së si rezultat i “tregut unik”. Mjafton të shohim sot pabarazitë e theksuara në zhvillim ekonomik mes Evropës Qendrore dhe Veriore me Evropën Jugore, Lindore dhe Juglindore. E kriza financiare globale e vitit 2008 vetëm sa i ka shpërfaqur edhe më shumë këto pabarazi të theksuara brenda për brenda BE-së.

Të bazuarit në rritje të eksporteve në nivel global, si rezultat i së cilës është rritur pabarazia, papunësia dhe varfëria në glob, kanë rritur pasigurinë në rajone të ndryshme të botës si në vende të pasura ashtu dhe në ato të varfra. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE do të ketë efekte negative për ekonominë e Gjermanisë, sepse Britania përbën vendin e 5-të në të cilin eksporton Gjermania dhe vendin e tretë (pas Kinës dhe SHBA-së) për eksportin e veturave.

Duhet theksuar që një Brexit për BE-në nënkupton rritje të masave tarifore për eksportet gjermane, vetë zhvlerësimi i stërlinës angleze ka reduktuar eksportet gjermane në Britani për 21% në çerekun e dytë të vitit 2019. Në anën tjetër, rritja e masave proteksioniste mes Kinës dhe SHBA-së, dhe mes SHBA-së e BE-në do të kenë efekte negative nëpër ekonomitë e vendeve eksportuese të BE-së, sidomos Gjermanisë, si motori kryesor i ekonomisë evropiane. Një recesion në ardhje në Gjermani do të jetë dërmues për tërë ekonominë evropiane.

Virusi Covid-19 vetëm sa e ka rënduar këtë gjendje, të cilën Gjermania si kryesuese e Presidencës së BE-së nga 1 korriku deri më 31 dhjetor 2020 do të përpiqet që ta ri-mëkëmbë ekonominë e Evropës. Se sa do të arrijë Gjermania stabilizimin e ekonomisë evropiane mbetet të shihet në muajt dhe vitet që vijnë. Dakordësimi mes Zonjës Merkel dhe Zotëriut Macron për buxhetin rimëkëmbës të BE-së përbën shpresë për të ardhmen e vetë BE-së, e sidomos për sigurimin e likuiditetit brenda tregut të BE-së. Kjo sepse Gjermania mbi 50% të eksporteve të saj i shet në Evropë dhe se një mungesë likuiditeti brenda Evropës do të ishte fatal për ekonominë Gjermane, kjo për faktin se pa buxhetin rimëkëmbës të BE-së, shtetet anëtare të BE-së, sidomos pjesa jugore, lindore dhe juglindore e BE-së nuk do të jetë në gjendje të blejë mallra gjermane. E kur motori i ekonomisë evropiane, pra Gjermania, është në krizë, atëherë në krizë është tërë Evropa. Pra, duke qenë se Gjermania është e varur nga eksporti, atëherë buxheti rimëkëmbës i BE-së do të jetë jetik për të ardhmen ekonomike të Gjermanisë, interesi i së cilës është kuptohet hapja e ekonomisë e jo mbyllja e saj.

Edhe sot, sikur në vitet e 70-ta dhe 80-ta kur nxitej tregtia ndërkombëtare si motori i rritjes ekonomike, bota është duke u përballur me dy rryma. Njëra rrymë përbën epshin e korporatave shumëkombëshe që synojnë de-rregullimin e gjithëçkaje duke synuar hapjen e pragjeve kombëtare për mallra nga jashtë dhe njëra rrymë që përbëhet prej shteteve, të cilat kanë filluar me masa proteksioniste për të mbrojtur ekonomitë nga jashtë. Kjo garë vetëm sa do të ashpërsohet në vitet që vijnë. Se si do të duket Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) në të ardhmen dhe sa do të jetë në gjendje të rregullojë ekonominë globale, kjo mbetet të shihet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera