Lajme

“Bravo dajë, ke avancuar në karrierë”

Autori: Gazeta inFokus 13:26 | 11 June 2021

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij rreth dialogut, duke thënë se në vend që Kurti të vijë në Kuvend për të raportuar për planin e tij rreth dialogut, ai ka ardhur që të akuzojë Qeveritë e kaluara.

Hoxhaj ka ironizuar me seancën duke e cilësuar si ‘shkollë verore’, ndërsa Kurtit i ka uruar mirëseardhje në këtë ‘seminar’.

“Z.Kurti keni pasur një prezantim të shkëlqyeshëm, ujin e keni pa gaz, kafen e keni pa pare, mirë se keni ardhur në këtë seminar. E dëgjova me shumë vëmendje prezantimin e Kurtit, dhe kam menduar se një kryeministër që ka marrë 50% të votave, do të vinte këtu të flisnim për dialogun, ndërsa mënyra si ka folur për dialogun ky sot, quhet sharlatanizëm”, ka thënë Hoxhaj.

-Advertisement-

Tutje, ai ka thënë se Kurti nuk është i përgatitur politikisht për dialogun Kosovë-Serbi.

“Pritja ime ka qenë që sot, ne do të flasim për dialogun ku kryeministri do të sjellte temat, afatet dhe do të diskutohej rreth këtyre temave. Sot pasi që e dëgjova kryeministrin, qytetarët duhet ta dijnë se dialogu nuk është i përgatitur politikisht fare. Nuk është i përgatitur as në rrafshin diplomatik, Kurti duhej të tregonte se sa letra i ka quar para se të shkojë në Bruksel. Çfarë keni marrë ju, janë raporte të Edita Tahirit… Besnik Bislimi vitin e kaluar ka qenë këtu ekspert financiar, tash është ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare, krejt çfarë mund të them është ‘Bravo dajë, ke avancuar në karrierë’”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se ka pritur nga Kurti që sot t’ju tregonte deputetëve për gabimet që janë bërë më herët rreth dialogut, por kjo nuk ka ndodhur.

“Ne prisnim nga kryeministri Kurti që ky sot të na tregonte cilat janë gabimet që ne kemi bërë me shkrim në raport. Ju e dini që ky njeri ka ardhur në pushtet me një premtim kolosal, që kur të vie në pushtet do të përmirësojë gabimet. Të nderuar deputet, ju e dini se kur ndryshojnë faktet, njerëzit ndryshojnë opinionet, kur ndryshojnë informatat, ndryshojnë opinionet, ndërsa sot Kurti ka ardhur sot në Kuvend që të na thotë se ne nuk kemi arritur t’ia ndryshojmë opinionin, andaj ka ardhur vetëm të na tregojë gabimet tona. Po shkoni në dialog duke shkelur zotimet e juaja, kur keni thënë se nuk shkoj në dialog pa kërkuar falje Serbia, pa u gjetur të zhdukurit. Keni thënë se do t’i anuloj marrëveshjet paraprake, sjelli në Kuvend dhe anuloj marrëveshjet”, ka deklaruar Hoxhaj.

Tutje, ai ka kërkuar nga Kurti që të dërgojë zotimin për themelimin e Asosacionit të Komunave me shumicë serbe në Komisionin e Venecias.

“Kërkoni falje qytetarëve sepse keni ardhur në pushtet duke na sharë neve, duke na thënë se e kemi gabim. Çfarë është dialogu i ri i Albinit? Dialogu i ri është një foto e Albinit me Vuçiqin. Dialogu i ri është ajo çfarë ndodhi dje te Kisha në Prishtinë, pra një status i ri për mbrojtjen e kishave. Paketimi i ri, produkti i vjetër. Unë do të kisha dëshirë që të kemi një debat të shtruar për dialogun, sepse e keni nisur gabim. E keni nisur duke iu nënshtruar Serbisë. Keni ardhur në Qeveri duke bërë filma për 15 vite, andaj skenarët që i ke nëpër mend, të kërkoj që të mos bëhesh pjesë e atyre skenarëve…”, ka thënë Hoxhaj.

Për qasjen e Kurtit ndaj dialogut, kritikat nuk kanë munguar as nga partia tjetër opozitare LDK, kryetari i së cilës ka thënë se Kurti po shkon në Bruksel pa asnjë kusht, për çfarë më herët i kishte akuzuar Qeveritë e kaluara.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera