Opinione

Bota është nën këmbët e nënës

Autori: Mehdi Mulaj 16:31 | 30 August 2021

Kushtuar vajzave, grave e nënave të vrara nga dhuna në familje në Kosovë

Nga: Mehdi Mulaj

E groposur, provoj të bërtas e t’jua them dhembjen që kam, por zëri im nuk depërton dot në veshët tuaj! S’e dëgjoj as veten, madje s’e kuptoj se si heshtja ime buron nga plaga – nga plaga e një nënë që s’arriti ta shijonte aromën e vajzës që lindi!

-Advertisement-

Po i jap trupit të ngrihem, por s’kam fuqi! Shoh një grup grash…, më duket sikur i njoh. Nga ajo që shoh në fytyrat e në trupat e tyre, duket se e kemi pasur fatin e njëjtë.

Ah, po, qenkan Dafina, Diana, Donjeta e Antigona! Oh lule të bukura të rinisë, nëna e nuse me qëllimin për t’u bërë nëna, për të nxjerrë në dritë engjëjt e bashkë me ta edhe arsyet për të jetuar.

Si ka mundësi të rri shtrirë këtu kur tash është koha ta ushqej vocërraken time?!

Bijë, bijë, ta dëgjoj zërin që qan, por s’arrij të dal nga dheu që aq shumë ma rëndon gjoksin e gjiri im shtrydhet e rrjedh kot, por ti s’e shijon dot!

Edhe nëse do të mund të dilja, do të më vinte turp të paraqitesha para syve tu me trupin e mavijosur nga dhuna e një burri që s’arrin ta kuptojë rolin e një nëne!

Në vend të gjirit tim, pi nga lotët e tu – aty do ta gjesh kuptimin!

Në dhomën tënde, mbi dollap është një fotografi imja me barkun e fryrë, brenda të të cilit je ti. Vetëm ashtu kisha mundësi të të mbroja.

Më fal që për ecjet e para nuk do të mbështetesh në duart e mia, më fal që gëzimin e hidhërimin nuk ke me kë ta bisedosh, mbase edhe për sherrin më të vogël mund të ndëshkohesh, sepse do të mungojë mburoja e quajtur NËNË!

Ndoshta nesër do të thuash përse nëna më kërkonte kaq shumë falje edhe pse ajo nuk kishte kurrfarë faji!

Sepse zgjodha njeriun e gabuar! E përveç kësaj, zgjodha të robërohem, të dhunohem e edhe të vritem, për ta ruajtur nderin e familjes, për të cilën gjë me shumë vonesë e kuptova se nuk kisha vepruar drejt.

Bija ime, vocërrakja ime! Koha e lodrave kalon shumë shpejt sa hap e mbyll sytë dhe do të përballesh me jetën që nuk është edhe aq e lehtë, sidomos në një shoqëri që assesi s’po arrin të dalë nga mentaliteti patriarkal.

“Bota është nën këmbët e nënës!” – thotë një fjalë religjioni.

Prandaj bota sundohet nga nënat, por tash do të sundohet edhe më fuqishëm.

Drejtësia do të vijë në vendin e vet! Të paktën këtu ku jemi bashkë me Dafinën, Dianën, Donjetën e Antigonën ka drejtësi dhe hakun do ta marrë secili.

Të fala shoqeve! Uroj të mos e kesh fatin tim!

Vocërrakja ime, në mungesë përqafimi, të do nëna!

(Kushtuar vajzave, grave e nënave të vrara nga dhuna në familje në Kosovë)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera