Lajme

Borxh e mosmarrëveshje, dosja e Prokurorisë për vrasjen e 21-vjeçarit në Gjilan

Autori: Gazeta inFokus 12:41 | 10 November 2021

21-vjeçari Egzon Rafuna nga Gjilani ka mbetur i vrarë mbrëmjen e së hënës, pas një përleshjeje me armë zjarri mes gjashtë personave. Motivi i kësaj vrasje dyshohet të jetë një borxh. Por, si përfundoi mosmarrëveshja me vrasje?

Gazeta Express ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve për këtë rast.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se mosmarrëveshja kishte nisur për një borxh në të holla.

Pas kësaj mosmarrëveshjeje, palët thuhet se kanë nxjerrë armët dhe kanë shkrepur në drejtim të njëri-tjetrit, ku nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vdekur Rafuna dhe i plagosur V.H, i cili është dërguar për trajtim në QKUK.

“Me datën 08.11.2021 rreth orës 20:40, në lagjen “Arbëria” në rrugën “Ramize Gjebreja”, në Gjilan, afër shtëpisë së të ndjerit Egzon Rafuna, pas një mosmarrëveshje rreth një brxohi në të holla në mes të pandehurve, të pandehurit me dashje, me veprim të drejtpërdrejtë kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Egzon Rafuna, në atë mënyrë që të pandehurit të pajisur me dy lloje të armëve të zjarrit të llojit “Zoraki” të kalibrit 9mm dhe 7.65 mm, kanë shkrepur shtatë në drejtim të njëri-tjetrit, ku nga shkëmbimi me armë zjarri ka mbetur i vdekur tani i ndjeri Egzon Rafuna dhe plagë të rënda trupore me armë ka pësuar i pandehuri V.H, i cili detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në QKUK në Prishtinë”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Për këtë rast janë të dyshuar pesë persona, përfshirë edhe të plagosurin. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, nën bazat se mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës apo të ndikojnë në njëri-tjetrin dhe dëshmitarët e mundshëm në këtë rast, kërkesë që është miratuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit.

“..ekzistojnë dy baza (kushte) për caktim të paraburgimit: a)kur ka arsye për të besuar se ata do të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprës penale, b)ndërsa në anën tjetër kur rrethanat e posaçme tregojnë se ata do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në njëri-tjetrin (në bashkëkryerje), si dhe dëshmitar të mundshëm, që ka të bëjë në këtë rast me prova personake mbi këtë bazë dhe nga rrethanat e cekura qëndron fakti se me qëndrimin eventual të pandehurve në liri, do të ndikohet në zhvillimin e mëtejmë procedural si dhe do të pengohet rrjedha normale dhe më e drejtë në këtë çështje penale”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Ndryshe, ekipi i Gazetës Express ka qëndruar dje në Gjilan dhe nga atje ka sjell detaje rreth kësaj tragjedie.

Gjashtë persona u përfshinë në një përleshje të armatosur, që përfundoi me një të vrarë dhe një të plagosur. Sipas policisë, personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:40 në afërsi të shtëpisë së viktimës, Egzon Rafuna.

E një ditë pas tragjedisë, lagjja “Arbëria” në Gjilan frekuentohej nga shumë njerëz të cilët vinin për kryeshnosh. Familjarë të viktimës thanë se nuk i dinë arsyet sesi erdhi vrasja, por pohuan se 21-vjeçari i ka vdekur babait në duar.

“Ngjarja ka ndodh shumë afër shtëpisë së tij, babai i djalit i ka dëgju krismat që kanë gjujt nga një veturë e tipit Golf II, ka dal babai edhe e ka pa djalin shtritë në tokë, i ka vdek në krah babës së tij”, tha një familjar i viktimës për Gazetën Express.

I pyetur se cila ishte arsyeja pse 21-vjeçari kishte dalë nga shtëpia, familjari i viktimës tha “Ka pas me shku te axha i tij”.

Familjarët e tij pohuan se nuk kanë qenë në dijeni se i riu ka pasur mosmarrëveshje me dikë dhe se nuk e njohin grupin e të rinjve që u përleshën me armë zjarri.

Familjarët thanë se Egzon Rafuna ishte fëmija i vetëm i familjes dhe lindja e tij kishte ndodhur pas 12 vitesh martesë.

Gazeta Express ka biseduar edhe me familjen e Valdrin Halimit në fshatin Pogragjë të Gjilanit, i cili është plagosur mbrëmë, por familja nuk ka pranuar të prononcohet për media.

Familja ka konfirmuar se 29-vjeçari i plagosur është në gjendje të mirë shëndetësore.

Të tjera