Lajme

Bogdanoviq pas lirimit të Radoiçiqit, kërkon nga Kosova të garantojë sigurinë e serbëve në veri

Autori: Gazeta inFokus 12:58 | 04 October 2023

Politikani opozitar serb Boban Bogdanoviq, njëherit sekretar i përgjithshëm i Institutit për Strategji Euro-Atlantike, u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe zyrtarëve tjerë të Kosovës që të garantojnë paqen dhe sigurinë për serbët në veri.

“Ju lutem mbroni popullin tim serb, nuk është faji i tyre që terroristi Radoiçiq është i lirë! Më ndihmo!” – ka shkruar Bogdanoviq në gjuhën shqipe në platformën “X”.

Bogdanoviq ndërkohë ka thënë se “një terrorist ndërkombëtar u lirua nga paraburgimi për të ndikuar te dëshmitarët”.

-Advertisement-

“Serbia dhe presidenti i saj janë definitivisht sponsor të terrorizmit ndërkombëtar! Kosova është në rrezik!” – ka shkruar Bogdanoviq.

Ai më pas ka hedhur dyshime të tjera për lirimin e Radoiçiqit.

“Lirimi i Radoiçiqit nga paraburgimi mund të ketë synim vrasjen e tij! Ai është një dëshmitar shumë i papërshtatshëm që do të dëshmonte për pjesëmarrjen e presidentit Aleksandar Vuçiq në përgatitjet për sulmin terrorist në Kosovë. ‘Gojët e vdekura nuk flasin’. Për këtë insistoj në një urdhërarrest ndërkombëtar!” – ka shkruar Bogdanoviq.

Radoiçiq është liruar të mërkurën nga autoritetet e serbisë. Atij i është ndaluar shkuarja në Kosovë.

Radoiçiq kishte pranuar se ishte organizator i grupit që kreu sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku e u lënduan tre policë tjerë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera