Lajme

Blloku B2 del jashtë funksionit një muaj pasi iu krye remonti

Autori: Gazeta inFokus 20:25 | 10 August 2023

Të enjten ka dalë jashtë funksionit Blloku B2, të cilit së fundi iu krye remonti. Në KEK thonë se në funksion i kanë vetëm dy blloqe të Kosovës A, meqë edhe blloku B1 është në remont. Në KESCO thonë se situata me furnizim të energjisë është stabile.

Vetëm një muaj pasi i është kryer remonti njësisë B2 të termocentralit Kosova B, ky bllok ka dalë jashtë funksionit për shkak të rrjedhjes në gypa.

E me bllokun B1, që është në remont, Korporata Energjetike e Kosovës ka mbetur me vetëm dy blloqe të “Kosovës A” në funksion.

-Advertisement-

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, thotë se 260 megavatët për orë që prodhon B2-shi kur është në funksion, duhet të sigurohen nga importi

“Njësia B-2 është ndalur për shkak të rrjedhjeve të ujit, sot në orët e para të mëngjesit dhe pritet të riparohet edhe të kthehet nesër në prodhim. Nuk ka mungesë të energjisë, sepse KEK-u është duke e kontraktuar energjinë, rrymën në kapacitetet që do ta prodhonte njësia B-2. Dy njësitë e Kosova A, A-3 dhe A-5 janë duke prodhuar 260 megavatë për orë (MWh), edhe 260 të tjera i siguron KEK-u, në total 520 MWh”, tha Bucolli për KTV.

Nga kompania përgjegjëse për furnizim me energji elektrike, KESCO, thonë se reduktime nuk do të ketë.

“Aktualisht furnizimi është në gjendje stabile, të gjithë konsumatorët po vazhdojnë të furnizohen me energji elektrike. Nga periudha 1 gusht deri më sot, konsumi mesatar ditor ka arritur deri në 13,476 MWh, ndërkaq piku më i lartë i arritur është 775 MWh, rrjedhimisht i bie që edhe është importuar energji në vlerë prej 2.4 milionë eurosh”, tha Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s.

Infrastruktura e vjetruar e termocentraleve Kosova A dhe B, bën që blloqet e saj shpesh të dalin jashtë funksioneve edhe pas remonteve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera