Lajme

Blakaj: Bizneset nga diaspora përballen me korrupsion në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 12:31 | 01 December 2019

Korrupsioni, mos funksionimi i gjykatave dhe brishtësia në funksionimin e ligjeve janë pengesat dhe arsyet kryesore që bizneset nga mërgata, të cilat janë një fuqi e madhe ekonomike, nuk po arrijnë të investojnë në Kosovë.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Evropë, Yll Blakaj, i cili shtoi se vonesa e zgjidhjes së kontesteve nëpër gjykata, është rreziku i parë për investitorët e huaj dhe atyre nga diaspora.

Klima e të bërit biznes, sipas Blakajt nuk është e kënaqshme asnjëherë, përderisa bizneset në vazhdimësi janë kontribuues të rritjes së punësimit dhe zhvillimit në Kosovë.

-Advertisement-

“Bizneset nuk ngopen me klimën e të bërit biznes, ne kërkojmë vazhdimisht më shumë punë rreth nesh, sepse ne krijojmë vend të punës, megjithatë problem numër një është zbatimi i ligjshmërisë. Kemi ligje të mira, kemi tatime të ulëta, kemi kontribute për punëtorë mjaft të ulëta, megjithatë kjo nuk mjafton. Ky është hendikep i parë që ligjet nuk zbatohen. Pra, në qoftë se kemi konteste ekonomike, ndarja e përgjegjësisë nëpërmes gjyqësorit zgjatë gjashtë shatë vjet, ku njëri prej partnerëve mundet mos me ekzistuar deri atëherë. Ky është rreziku numër një”, deklaroi Blakaj.

Ai thotë se dështimi i realizimit të projektit për pesë vjet për ndërtim i kombinuar edhe me shërbime, lë për të dyshuar se ka kërkesa për haraç nga ana e komunës së Prishtinës.

“Kemi ende biznese që ankohen te ne. Unë vetëm sa i pata dy, tri raste që kërkojnë ndihmë prej Rrjetit të Biznesit lidhur me këtë, që është fatkeqësi. Fatkeqësi, sepse Rrjeti i Biznesit është për me ndihmuar një aktivitet të tillë, me bërë punë të tjera, e jo të merret me çështjen e bllokimit të investimeve (nga korrupsioni e haraçi). Sikur investitorët të vijnë dhe të bllokohen, polik-bërësit duhet të angazhohet që brenda një ose dy jave t’ia zgjidhë problemet, edhe në qoftë se investimi bie në kundërshti ta zëmë me komunën e Prishtinës ose me komuna të tjera. Arkitektët ose njerëzit që bëjnë urbanizimin ta shqyrton projektin dhe ta përshtatin projektin me strukturën e urbanizmit, e jo të lihen nga shtatë-tetë vjet investime me nga 200 milionë. Unë sot dëgjova që veç ka filluar të gjendet zgjidhja e këtij projekti, që unë e përmendi qe pesë vjet për komunën e Prishtinës. Duket se në pranverë fi llon zbatimi i atij projekti, edhe pse ishte dashur që të jetë i përfunduar. Por, kjo është ajo klima, se ne nuk kemi nevojë për barriera, ato vijnë vetvetiu”, thotë Blakaj.

Kreu i rrjetit të bizneseve shqiptare për Evropë, ka edhe një kërkesë për qeverinë e re të Kosovës, për një qendër të bizneseve nga diaspora, që do të jetë urë lidhëse e bizneseve shqiptare, Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Kjo për faktin, se sipas Blakajt, Ministria e Diasporës dhe ajo e Tregtisë e Industrisë nuk janë treguar efikase ndaj diasporës.

“Kërkesa e parë, ne e kemi edhe si projekt të shkruar që në takimin e parë që do e bëjmë me qeverinë e re, kërkojmë ta bëjmë një Qendër për Bizneset e Diasporës këtu në Prishtinë. Ideja është që në Prishtinë të bëhet një Qendër e biznese, të bëhet në Tiranë dhe në Shkup ose eventualisht në Tetovë dhe në momentin që të ofrohet nga Qeveria lokacioni, ne do t’i sjellim ekspertët që do i paguajmë për të punuar 24 orë në shërbim të investitorëve nga diaspora, por edhe në shërbim të prodhuesve në Kosovës, të cilët kanë nevojë për tregun evropian. Kjo do të ishte kërkesa e parë, të ciline veç e kemi përpunuar që tri vjet”, deklaron ai.

Qëllimi i Rrjetit, sipas tij, është rrjetëzimi i gjithë afaristëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë nëpër botë, që pastaj të nisin bashkëpunimet mes nesh, të rritemi e të fuqizohemi duke ndihmuar njëri – tjetrin përmes shkëmbimeve të punëve mes nesh, dhe qëllimi final është investimi në trojet tona.

Për investimet nga diaspora, Blakaj në fund thekson se prijnë Gjermania dhe Zvicra, shtete këto që janë promotor jo vetëm i ekonomisë së Kosovës, por edhe të Shqipërisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera