Ekonomi

Biznesmeni që bleu dy herë të njëjtën tokë kërkon mbështetje nga shteti për investitorët

Autori: Gazeta inFokus 18:26 | 04 January 2021

Kompania “Relux”, që merret me prodhimin e ngjyrave dhe fasadave, e që ishte i vetmi eksportues nga Kosova për në Kinë, tanimë nuk e posedon këtë marrëveshje, kjo si pasojë e masave anti-COVID që i morën vendet për të frenuar përhapjen e kësaj sëmundjeje. Po ashtu, pronari i kësaj kompanie, që vet kishte blerë dy herë të njëjtën tokë, kërkon nga shteti më shumë mbështetje për investitorët.

Pronari i kompanisë “Relux”, Ramiz Gashi, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se përpos ndërprerjes së marrëveshjes për eksport në Kinë, kompania që drejton ka regjistruar humbje rreth 40 përqind gjatë vitit të vështirë 2020.

Ai tregon se si të gjitha sfidat që i solli pandemia i përballoi i vetëm pasi nuk ka pasur mbështetje nga askush.

-Advertisement-

“Kemi pasur humbje të mëdha, duke e ditur që ne jemi një firmë eksportuese, nuk kemi mundur t’i përmbushim të gjitha kërkesat që kemi pasur. Si humbje kryesore, ne vitin e kaluar vetëm patëm filluar me eksportin për në Kinë, ku jemi e vetmja kompani në rajon që kemi pasur mundësi për eksport në Kinë, kur dihet se të gjithë blejnë prej Kine, dhe ne e patëm filluar këtë, por tash e kemi humbur. Përndryshe, mund të themi se 30 deri 40 për qind kemi humbje totale krahas me qarkullimin”, ka thënë Gashi.

Përveç këtyre dëmeve, kjo kompani është ballafaquar edhe me mungesë së lëndës së parë, mungesës së transportit por edhe mungesës së punëtorëve.

Gashi ka thënë se vitin e kaluar ka pasur edhe eksport me të vogël, krahasuar me vitet e kaluara.

“Sfidat kryesore ishin mungesa e lëndës së parë, mungesa e transportit, mungesa e punëtorëve. Këto sfida i ka pasur çdo firmë tjetër, por ne i kemi pasur me të mëdha, kur dihet që jemi prodhues vendor dhe nuk kemi mbështetje prej askujt. Këtë vit kemi eksportuar për mbi 1000 tonë, që është një shifër shumë e vogël kjo për një prodhues. Kemi nevojë për ndihma financiare, të kemi makineri të tjera, pak me të sofistikuara”, deklaroi Gashi.

Gashi bëri thirrje që politikanët e Kosovës t’i vizitojnë prodhuesit vendorë, ndërsa kërkon mbështetje financiare.

Gjithashtu, ai apelon për më shumë siguri për investitorët, pasi që vet ishte detyruar të blinte të njëjtën tokë për të ngritur fabrikën e tij.

“Politikanët që udhëheqin shtetin të vijnë të na vizitojnë, jo që neve na ka marrë malli për ta, por të bisedojnë me ne, t’i shohin hallet që kemi ne si prodhues, pra të kemi ndihmë financiare prej tyre, kur dihet se jemi prodhues që eksportojmë. […]Unë personalisht jam investitor nga jashtë, (shteti) të na mundësojë të kemi siguri dhe të mos biem pre e mashtrimeve të ndryshme siç kemi hasur disa nga ne, shembull, mua më është dashur ta blejë këtë tokë dy herë. Këtë investim që kemi bërë ne, e kemi bërë duke rrezikuar dhe të mos bëjmë rrezikime të panevojshme, mirëpo të kemi mbështetje dhe siguri”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se kjo kompani ka mbi 30 punëtorë, dhe përkundër dëmeve të mëdha gjatë kësaj kohe, punëtorët janë paguar me rregull dhe në kohë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera