Lajme

Bislimi takon Lajçakun në Bruksel

Autori: Gazeta inFokus 11:09 | 15 November 2022

Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ndodhet në Bruksel, për të takuar të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Burimet diplomatike thonë se qëllim i këtij takimi është të shihen mënyrat se si të vazhdohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe propozimet për tejkalimin e krizës aktuale.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

-Advertisement-

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe në masë të madhe kontrollohet nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që këto makina të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës, RKS, por Serbia kundërshton, duke këmbëngur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e rritjes së tensioneve, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Zrtarët në BE paralajmëruan takime edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, por, tash për tash, thanë se nuk pritet ndonjë takim Bislimi-Petkoviq.

Një ditë më herët, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia, urgjentisht, duhet të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.

Borrell tha se 21 nëntori – dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme – nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës shtyrjen e planit për riregjistrimin e makinave, me qëllim shmangien e tensioneve.

Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera