Lajme

Bislimi: Sot e kuptuam nga Lajçak se letra e Bërnabiq nuk është tërhequr

Autori: Gazeta inFokus 18:04 | 17 September 2024

Ka dështuar edhe një tentim i organizimit të takimit të përbashkët mes Kosovës e Serbisë në nivel kryenegociatorësh.

Nuk kishte pajtim për agjendën e diskutimeve e rrjedhimisht nuk u realizua takimi trepalësh.

Sipas kryenegociatorit kosovar, temat e takimit të përbashkët ishin përcaktuar më herët ndërsa çështjet e reja mund të përfshihen vetëm nëse ka dakordim të të dyja palëve, raporton RTK.

-Advertisement-

Se nuk do të ketë takim trepalësh, këtë e konfirmoi Besnik Bislimi, i cili dy herë është takuar me Lajçakun gjatë ditës.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi.

“Ftesa e Lajçakut ka qenë shumë e qartë që do të ketë së pari takim bilateral dhe kanë qenë të propozuara temat apo agjenda e takimit bilateral. Derisa në takimin trilateral është thënë se do të diskutohet rruga përpara në marrëveshjen e normalizimit dhe mund të vendosen edhe tema të tjera nëse ka dakordim mes dy palëve. Ne jemi pajtuar me këtë ftesë dhe e kemi konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin trilateral. Por, Serbia ka refuzuar të hyjë në takim me atë agjendë dhe ka kërkuar futjen e temave të saj për konsum politik, e për çka ne nuk kemi qenë dakord”, tha Bislimi.

Sa i përket takimit dypalësh me Lajçakun, kryenegociatori kosovar tha se temë kryesore ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023. “Kemi folur edhe për atë se deri ku kemi mbërritur me disa marrëveshje të tjera dhe ku kemi hasur në probleme”, shtoi ai.

Ai tha se është biseduar edhe për Telekomunikacionin, pasi kohë më parë është njoftuar Brukseli për shkeljet që po i bën Serbia duke interferuar në frekuenca brenda territorit të Kosovës, por edhe për problemet që ka rregullatori kosovar me ITU-në.

Bislimi po ashtu tha se letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, kundër zbatimit të pikave të Marrëveshjes që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës nuk është terëhequr.

“Sot e kuptuam nga Lajçak se letra nuk është tërhequr. Por ajo që ka dashur të thotë ai në Prishtinë është se po punohet me Serbinë që e njëjta të tërhiqet. Letra nuk është tërhequr. As nuk ka kërkesë për tërheqje të saj, por po punohet në atë drejtim që e njëjta të tërhiqet”, tha Bislimi.

Homologu i Bislimit, Petar Petkoviq gjithashtu konfirmoi se Beogradi ka insistuar në temat siç janë Formimi i asociacionit i komunave me shumicë serbe, shërbimet postare apo çështja e urës.

Gjithnjë sipas Petkoviqit, pa u trajtuar këto tema, nuk mund të flitet për normalizim.

Kryenegociatorët nga Prishtina e Beogradin nga dy herë kanë zhvilluar takime të ndara me Mirsolav Lajçak.

Për palën kosovare këto diskutime ishin rast që të qartësohet çështja e letrës së Serbisë dërguar Brukselit, për të cilën emisari evropian kishte thënë se është tërhequr:

Duket se ndërmjetësi Lajçak ka në plan që sërish të organizoj një takim të kryenegociatorëve gjatë muajit tetor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera