Lajme

Bislimi: Propozimi franko-gjerman është ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, Kurti ua jep përgjigjen Scholzit e Macronit të enjten

Autori: Gazeta inFokus 19:31 | 01 November 2022

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është deklaruar sërish rreth propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur për këtë propozim, Bislimi ka thënë se të enjten, Kryeministri Albin Kurti do të jetë në Berlin, ku do ta ketë mundësinë që në detaje të informojë Kancelarin e Gjermanisë dhe Presidentin e Francës, për qëndrimin e palës kosovare për këtë propozim, shkruan Reporteri.net.

Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje.

-Advertisement-

“Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”, ka deklaruar Bislimi për Radion Evropa e Lirë.

Bislimi ka thënë se ky propozim parasheh që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, e pjesa tjetër më vonë.

“Është një propozim që mendoj, pak a shumë, si pikënisje ka një brengë ndoshta te vendet mike si Gjermania dhe Franca, që procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur, që situata gjeopolitike në Ballkan nuk është edhe aq e mirë. Andaj, edhe propozimi që del nga aty, është në kontekst të këtyre zhvillimeve. Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi.

Bislimi e ka konfirmuar se e kanë parë këtë dokument, por ka thënë se në këtë fazë s’mund të jap vlerësimet apo propozimet e tyre. Vetëm ka deklaruar se propozimet ia kanë dërguar tashmë Kancelarit Olaf Scholz dhe Presidentit Emanuel Macron.

“Natyrisht që është parë. Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron”, ka thënë Bislimi.

I pyetur nëse do të bëhen publike këto qëndrime pas takimit në Berlin, Bislimi ka thënë se kjo është në dorë të krerëve të shtetit dhe propozuesve.

“U takon krerëve të shtetit të vendosin, por edhe atyre që kanë propozuar se kur është momenti që përmbajtja e idesë (propozimit franko-gjerman) të bëhet publike”, ka deklaruar Bislimi./Reporteri.net

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera