Lajme

Bisedimet me Serbinë, analistët: Spektri politik të jetë unifikues

Autori: Gazeta inFokus 08:38 | 05 September 2018

Analistët vlerësojnë se spektri politik në Kosovë duhet të jetë unifikues karshi bisedimeve me Serbinë, ndërsa opozita duhet të ndihmojë presidentin e vendit, Hashim Thaçi, në këtë fazë të bisedimeve. Analisti Naim Rashiti tha për Radio Kosovën se Kosova duhet të ketë një ekip negociator gjithëpërfshirës.

Analisti Naim Rashiti tha për Radio Kosovën se në fazën e konsultave të dialogut Kosova duhet të ketë një ekip negociator gjithëpërfshirës i administruar nga qeveria me bartës të procesit presidentin e vendit, Hashim Thaçi , ndërsa kuvendi të miratojë disa nga parimet për procesin e Dialogut me Serbinë.

Rashiti konsideron se pa këto dy pika vështirë mund të arrihet një proces substancial i dialogut.

-Advertisement-

”Besoj që kemi hyrë në një fazë të konsultave të dialogut ku edhe mund të avancohen këto dy pika pa të cilat vështirë të mendohet një proces gjithëpërfshirës dhe substancial i dialogut me Serbinë, i cili mund të përfundojë mirë me një marrëveshjeje në pranverën e ardhshme ose edhe mund të mos ketë marrëveshje”, tha Rashiti.

Ndërkaq, analisti Ramush Tahiri konsideron se opozita duhet të ndihmojë presidentin e vendit, Hashim Thaçi, në bisedimet me Serbinë. Në një intervistë për RTK-në Tahiri tha se me këtë rast Serbia nuk do të kërkonte nga Kina dhe Rusia të pengojnë rekomandimin për Kosovën në Këshill të Sigurimit.

”Dhe, në këtë bazë Kosova përjetësisht është e varur nga Serbia, ne në bisedime duhet të jemi shumë të sinqertë me Serbinë që të mos shikojmë vetëm interesin tonë por të gjejmë me mençuri kompromisin që është i pranueshëm edhe për Serbinë edhe për Kosovën”, tha Tahiri.

Subjektet politike patën organizuar edhe tryeza për arritjen e konsensusit për fazën e fundit të negociatave me shtetin serb. Këto tryeza pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen e afërt, thotë analisti Rashiti.

”Subjektet politike do t’u kthehen edhe tryezave jo formale ashtu që t’i konsolidojnë këto dy pika për të cilat kanë nevojë. Domosdoshmërish më shpejtë të bëhet progres”, tha ai.

Për çështjen e unitetit të spektrit politik karshi negociatave me Serbinë, Qeveria e Kosovës thirri një seancë të jashtëzakonshme, por ajo u bojkotua nga opozita në kuvend.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera