Lajme

Bisedime në territorin e luftës/ Sot mbahet takim i nivelit të lartë BE-Ukrainë në Kiev

Autori: Gazeta inFokus 08:45 | 03 February 2023

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Kiev sot ku do të angazhohen për sanksione të reja kundër Rusisë, por ka gjasa ta zhgënjejnë Ukrainën lidhur me shpresën e saj për anëtarësim të shpejtë në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërriti në Kiev me tren të enjten, një udhëtim simbolik për të demonstruar mbështetjen për Ukrainën ndërsa afrohet përvjetori i parë i agresionit rus që filloi më 24 shkurt 2022.

Anëtarët e lartë të ekzekutivit të BE-së takuan homologët e tyre në qeverinë ukrainase dhe zonja von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, do të mbajnë bisedime me zotin Zelenskiy të premten.

-Advertisement-

Presidenti Zelenskiy bëri thirrje për më shumë masa ndëshkuese kundër Rusisë nga Bashkimi Evropian, por sanksionet e reja që po përgatit blloku mund të mos përmbushin plotësisht kërkesat e qeverisë së Kievit.

“Sot arritëm një mirëkuptim të ndërsjellë shumë të rëndësishëm,” tha zoti Zelensky në fjalimin e tij në video të enjten mbrëma. “Vetëm së bashku – një Ukrainë e fortë dhe një Bashkimi Evropian i fortë – mund të mbrojmë atë jetë që vlerësojmë dhe nëpërmjet integrimit tonë të mëtejshëm, të ofrojmë energji dhe motivim për njerëzit tanë që të luftojnë pavarësisht nga pengesat dhe kërcënimet.”

Ndërsa BE-ja mbështet Ukrainën dhe reformat demokratike dhe ekonomike të vendit, ajo nuk është e gatshme të anëtarësojë një vend që është në luftë dhe sidoqoftë një proces i tillë zgjat me vite. Vendi i fundit që iu bashkua BE-së ishte Kroacia në vitin 2013, një dekadë pas aplikimit zyrtar. Fqinjit të Ukrainës, Polonisë iu deshën 20 vjet deri sa u anëtarësua në vitin 2004.

Ukraina dorëzoi kërkesën për anëtarësim, menjëherë pasi filloi agresioni dhe në qershor mori statusin zyrtar të kandidatit nga BE-ja.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë premtuan në janar ndihmë të mëtejshme me armë për Ukrainën./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera