Lajme

BIK-u ende pa status ligjor

Autori: Gazeta inFokus 14:42 | 31 May 2021

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka për qëllim organizimin e jetës fetare të mbi 95 për qind të popullsisë së Kosovës, që i takojnë besimit Islam, vazhdon të funksionojë pa status juridik. Ligji për lirinë fetare, që u miratua më 2006, nuk e përcakton statusin juridik të bashkësive fetare.

Ndër vite është bërë përpjekje që të plotësohet dhe ndryshohet ky ligj, por kjo ende nuk ka ndodhur. Rrjedhimisht, sipas BIK-ut, me ligjin ekzistues, nuk zgjidhet statusi juridik i bashkësive fetare dhe sipas tyre, moszgjidhja e statusit është një nga mangësitë më të mëdha të Ligjit për lirinë fetare.

“Ne mendojmë se ligji duhet të hartohet duke u nisur nga premisat vendore, duke u nisur fillimisht nga historiku i organizimit të jetës fetare nga bashkësitë tradicionale fetare në vend, duke marrë parasysh harmoninë e bashkëjetesën fetare në Kosovë, e jo që për bazë të merren shembuj nga vende dhe shtete që historikun dhe rrethanat e atyre vendeve, nuk janë aspak të njëjta me kushtet dhe rrethanat tona, aq më pak me historikun tonë shekullor të organizimit fetar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.

Bashkësitë Fetare në Kosovë janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e Besimit Hebrej dhe Kisha Evangjeliste. Këto bashkësi fetare e rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur organizimin e tyre të brendshëm.

Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar dhe dërguar në parlament Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, që do t’iu lejonte grupeve fetare ta fitonin statusin ligjor, por ndryshimet nuk janë votuar në parlament, për shkak të mungesës së vazhdueshme të kuorumit.

Në raportin për liritë fetare ndërkombëtare të Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2020, zyrtarët e Ambasadës amerikane vazhduan ta inkurajojnë qeverinë të miratojë ndryshime që u lejojnë grupeve fetare ta fitojnë statusin ligjor.

Sipas këtij raporti të DASH-it, ligji përcakton që nuk ka fe zyrtare, por i rendit pesë bashkësi “tradicionale” fetare që marrin mbrojtje dhe përfitime shtesë, përfshirë taksat e reduktuara.

“Ligji nuk kërkon regjistrimin e grupeve fetare, por as nuk parashikon ndonjë mekanizëm ligjor ose udhëzim specifik që grupet fetare të fitojnë status ligjor përmes regjistrimit apo mënyrave të tjera. Pa status ligjor, komunitetet fetare nuk mund të posedojnë pronë, të hapin llogari bankare, të punësojnë personel, të kenë qasje në gjykata si entitet”, thuhet në raportin e DASH-it.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, pas dështimit në Kuvendin e Kosovës, është rikthyer në Qeverinë e Kosovës. Në programin legjislativ për vitin 2021, ekzekutivi ka paraparë që këtë projektligj ta procedojë tutje në muajin shtator.

Në BIK thonë se deri tash ka pasur disa drafte të projektligjit dhe se aktualisht, ata nuk e dinë se çfarë drafti do të sjellë qeveria e re.

“Ne presim që ligji të rregullojë raportet dhe marrëdhëniet mes shtetit dhe bashkësive fetare në vend. Ne nuk presim që ligji të rregullojë Bashkësinë Islame të Kosovës, ajo është kompetencë e organeve të Bashkësisë Islame, gjegjësisht e Kuvendit të Bashkësisë Islame”, tha ai.

Duda Bale, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në një prononcim dhënë për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se projektligji nuk është diskutuar nga legjislatura e re e kuvendit.

“Ne kemi dy mundësi ligjore. Tash kur nuk është votuar në lexim të dytë në kuvend, pasi që nuk është përkrahur, ky projektligj është kthyer përsëri në qeveri. Por, ne si kuvend kemi mundësi të iniciojmë një ligj, por duhet të krijohen kushtet”, tha Bale.

Çka thotë Projektligji për lirinë fetare?

Sipas këtij projektligji, në pajtim me legjislacionin në fuqi, bashkësitë fetare ekzistuese dhe ato të reja që regjistrohen, kanë statusin e personave juridikë dhe kanë të drejtë themelimin e institucioneve të ndryshme brenda tyre me karakter humanitar, fetar, edukativ, arsimor apo karakter tjetër të ngjashëm, të cilat institucione mund të fitojnë statusin e personit juridik.

Përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, sipas projektligjit, do të jetë njësia përkatëse për bashkësitë fetare në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Më këtë projektligj, nga pesë bashkësi fetare sa kanë qenë, shtohet edhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës. Bashkësitë fetare, sipas këtij projektligji, janë të obliguara që të gjitha të hyrat, duke përfshirë edhe donacionet e jashtme, t’i bëjnë sipas sistemit legal financiar.

Po ashtu sipas këtij projektligji, bashkësive fetare u njihet e drejta e sponsorizimit nga persona fizikë e juridikë vendorë apo të huaj, që sponsorizojnë projekte dhe aktivitete të bashkësive fetare, përmes të cilave, sponsorizuesit lirohen nga tatimi në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi.

Bashkësia Islame e Kosovës është institucion fetar i pavarur dhe si e tillë vepron dhe funksionon me shekuj. Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti, thotë se BIK-u funksion dhe i përgjigjet kushtetutës së vetë dhe ligjeve pozitive të Kosovës.

Buxheti i BIK-ut: Dhjetë milionë euro në vit

Financimi i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka qenë vazhdimisht pjesë e debatit publik. Në Projektligjin për lirinë fetare është paraparë që bashkësitë fetare të obligohen që të gjitha të hyrat, duke përfshirë dhe donacionet e jashtme, t’i bëjnë sipas sistemit legal financiar.

Sahiti ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se organet dhe institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës, kanë buxhetet dhe parallogaritë e ndara.

“Buxheti i planifikuar i Kryesisë së Bashkësisë Islame, i miratuar nga kuvendi (i BIK-ut), për këtë vit është rreth dhjetë milionë euro. Ky projeksion buxhetor vështirë se mund të realizohet, për shkak të mungesës së organizimit të haxhit dhe pandemisë globale”, tha Sahiti.

Sipas kryeimamit Sahiti, burimet financiare të Bashkësisë Islame të Kosovës përbëhen nga: vakëfet – pasuria e paluajtshme dhe të ardhurat nga këto pasuri–zekati, sadakatul fitri, haxhi, anëtarësia, të ardhurat nga shërbimet fetare si dhe ndihma nga donacione të ndryshme nga besimtarë dhe njerëz të vullnetit të mirë.

Sahiti thotë se të hyrat nuk janë të mjaftueshme.

Çka është BIK-u?

Bashkësia Islame e Kosovës është institucion i pavarur i myslimanëve të Kosovës. Kjo bashkësi ka për qëllim organizimin e jetës fetare islame të myslimanëve në Kosovë. BIK-u është ideator, bartëse, prezantuese, predikuese dhe realizuese e jetës fetare islame në Kosovë. BIK-u udhëhiqet nga myftiu i cili është autoriteti më i lartë fetar mysliman. Për organizmin e jetës fetare në vend, kjo bashkësi bazohet në Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës e cila mbështetje kryesore ka Kuranin, synetin e të dërguarit të Allahut Muhamedit a.s dhe rregullat e shkollës juridike hanefite si dhe rregulloret e miratuara nga organet e Bashkësisë Islame të Kosovës. Organizimi i Bashkësisë Islame fillon përmes xhematëve të cilat përbëjnë këshillin e një xhemati të një xhamie të caktuar. BIK-u ka krijuar edhe institucionin edukativ-arsimor, nga niveli parashkollor deri tek arsimi i lartë.

A duhet të ketë verifikim në BIK?

Por, a do të duhej që BIK-u të mbikëqyrej nga autoritetet e Kosovës dhe a mund të bëhet verifikimi i njohur në termin ndërkombëtar edhe si “vetting” në këtë institucion?

Imami Labinot Maliqi, i cili drejton organizatën joqeveritare Qendra Kosovare për Paqe, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e statusit ligjor për bashkësitë fetare, e pamundëson çfarëdolloj verifikimi që do të mund të bëhej në to.

Megjithatë, ai shton se verifikimin e imamëve në vazhdimësi e bën punëdhënësja e tyre, Bashkësia Islame e Kosovës, “duke u bazuar në parimet e Kuranit dhe Sunnetit, më pas në rregulloren e saj si dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Vetëm disa vite pas aprovimit të Ligjit për lirinë fetare, mund të vlerësojmë nëse do të jetë i nevojshëm një proces i tillë, për të bërë vlerësimin e performancës, se kush po e kryen punën mirë dhe kush po performon dobët, duke i mbajtur përgjegjës nëse janë të paaftë dhe të sigurohet që çdo person që mban një post publik, të jetë i besueshëm”, thotë ai.

Imami nga Gllogoci, Osman Musliu, pajtohet se ka nevojë për vetting në bashkësitë fetare. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ky proces do të shërbente për të pastruar figurat, siç thotë ai, të dyshimta, që janë brenda bashkësive fetare.

“Jo vetëm në Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe duhet të ketë vetting edhe verifikim të të gjithave figurave të udhëheqësve të bashkësive fetare. Ndoshta janë institucionet numër një që duhet të verifikohen dhe kontrollohen. Tani e sa vite, gati të njëjtit njerëz janë duke i udhëhequr bashkësitë fetare. Nëse ia duam të mirën këtij vendi duhet të ketë vetting edhe në bashkësitë fetare”, thotë ai.

Vetting-u, shton Musliu, do të ndalte financimet e dyshimta, që siç thotë ai, hyjnë në bashkësitë fetare.

Në të kaluarën, Bashkësia Islame e Kosovës ka përjashtuar nga puna imamë me arsyetimet se kanë shkelur parimet e Kuranit dhe rregulloret e BIK-ut. Një nga imamët e shkarkuar ishte Drilon Gashi. Ai u shkarkua pas deklaratës së tij, ku tha se Teoria e Evolucionit mbi prejardhjen e njeriut, është e vërtetuar nga shkencëtarët.

BIK-u po ashtu ka pasur edhe disa imamë problematikë, siç është ish-imami Zeqirja Qazimi, i cili më 2016, u dënua me dhjetë vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke shpërndarë publikisht urrejtje, mosdurim ndërmjet grupeve të ndryshme racore, etnike dhe fetare. Në një video të publikuar në Youtube, në vitin 2013, kishte thënë se “gjaku i të pafeve është pija më e mirë për ne”.

Po ashtu, ish-imami në Gjilan Ravan Haqifi thuhet se ishte udhëheqës i luftëtarëve shqiptarë në kuadër të grupit militant Shteti Islamik. Mediat kanë transmetuar se ai është vrarë në Siri.

Kosova numëron rreth 800 xhami dhe rreth 2 mijë të punësuar në Bashkësinë Islame.

Të tjera