Uncategorized

Bie numri i fëmijëve të sapolindur që braktisën

Autori: Gazeta inFokus 06:57 | 20 May 2022

Kosova ka kaluar në periudha të ndryshme që nga paslufta. Bashkë me rritjen e Kosovës në liri dhe shtet është rritur edhe vetëdija e shoqërisë sa i përket shtatëzanive të padëshiruara dhe braktisjes së fëmijëve. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve nga viti në vit, vendi ynë po shënon rënie të numrit të fëmijëve të braktisur. Nga 41 raste sa ishin në vitin 2014 në vitin 2021 ky numër ka rënë në 15 raste të braktisjes së fëmijëve.

Jo secili fëmijë që vjen në këtë botë, ka fatin të të rritet nga prindërit, Ka prej tyre që braktisën që në momentin e parë të lindjes.

”Jemi të paralajëmruar kur dikush do ta braktisë foshnjën dhe punëtori ynë zakonisht rri me nënat kur e ushqen, por kur ka raste që nuk do fare me marrë në dorë, kujdeset motra për të”, thotë për RTK doktoresha Teuta Hazbada, neonatologe në QKUK.

-Advertisement-

Pavrësisht se ka raste kur nëna nuk do ta shohë fare fëmijën, duke u bazuar në gjendjen e saj emocionale e psikike, stafi I QKUK-së bashkë me Qendrat për Punë Sociale foshnjën e mbajnë në përkujdesje për 21 ditë në Neonatologji, ndërkohë punojnë shumë me nënën.

“Aktualisht në vitin 2022, i kemi 15 raste. Vitin e kaluar i kemi pasur 37, por 29 prej tyre është arritur të bëhet bashkimi familjar”

Por në rastet kur nëna deklaron përfundimisht që do ta braktisë foshnjën, atëherë Qendrat për Punë Sociale fillojnë procedurat e strehimit.

“Fillimisht fëmija duhet të qëndrojë 21 ditë në spital, dhe nëse është në gjendje të mirë i caktohet një kujdestar ligjor dhe vendoset se ku do ta vendosim në familje strehuese ose në SOS fshatrat e Kosovës”, thotë për RTK Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.

Gjatë periudhës së pritjes për bashkim familjar, strehimin e fëmijëve të braktisur dhe pa përkujdesje prindërore, Kosova e ka të rregulluar me ligj. Megjithëse, ata fëmijë nuk janë me familjen biologjike, përkrahja dhe dashuria prindërore nuk iu mungon, fal familjeve strehuese të cilat duhet të plotësojnë disa kushte.

“Për me qenë familje strehuese ka disa kritere duhet të mos jenë në asistencë sociale, familje e kompletuar, të jenë të shëndoshë të kenë fëmijë biologjik, e numri që lejohet më shumë se 3 fëmijë, strehim nuk mund t’i ketë, vetëm në rastet kur fëmijët janë janë motër dhe vëllezër”, thotë Fata Rexhepi Mehmeti, Kordinatore e Psikologëve OFAP.

Familje strehuese nënkupton mbajtjen e fëmijëve të braktisur dhe pa përkujdesje prindërore për një kohë të caktuar deri në zgjidhjen e statusit te fëmijës.

Çdo familje strehuese në Kosovë merr edhe një pagë mujore për fëmijën nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, gjithashtu mbështeten me një shumë edhe nga komunat në disa qytete.

“Kur kemi të bëjmë me rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta është mjaft sfiduese në vazhdimësi bëjmë përpjekje që ti identifikojmë familje potenciale adoptuese edhe jashtë vendit sepse adoptimi me prioritet është brenda Kosovës dhe kemi raste që pavarësisht përpjekjeve nuk rezultojnë me sukses”, thotë Makbule Koci zyrtare e lartë në Departament të POlitikave sociale dhe familjes.

Ganimetja dhe Feridja nga Prizreni janë në rolin e nënës të cilat, përkujdesën për këta femijë të braktisur nga prindëritë biologjik, deri në zgjidhjen e statusit të tyre, edhe pse ndarjen më pas nuk e kanë të lehtë!

“Kur ka ardh fëmija i parë isha shumë e lumtur sepse me vetë dëshirë e kam marrë, familja më ka përkrah shumë, por pastaj ndarja nga këta fëmijë është shumë e rëndë. Atë javë që shkon i shoh lodrat e tij, teshat, vendin ku ka qëndruar, mirëpo më mirë që po i zgjidhet statusi në moshën më të vegjël sa janë para një viti”, thotë Ganimete Kryeziu Familje strehuese Prizren.

Kështu mendon edhe Feride Kabashaj, familje strehuese Prizren.

“Kur ma kanë sjell çikën për herë të parë njëherë u gëzova shumë, pastaj më hyri frika, thosha nese i ndodhë dicka, por tani shumë mirë u rritë, e kur jemi nda nga ajo e gjithë familja kemi qajtë e jemi mërzitë shumë”, thotë Feride Kabashaj.

Këto familje përveç përkujdesjes që ofrojnë për këta fëmijë, lidhen emocionalisht me ta, mirëpo adoptimi I tyre nuk u lejohet derisa janë familje strehuese.

Fëmijët e braktisur dhe pa përkujdesje prindërore me shëndet të mirë, nuk janë në mëshirën e fatit. Kosova e ka të rregulluar mirë legjislacionin për këtë kategori. Një rol të rëndësishëm që vazhdojnë ta luajnë janë edhe SOS Fshatrat e Kosovës.

“Nga viti 2002 e deri tash janë themeluar familjet e para për kujdes afatgjatë janë familje që kanë nevojë për strehim më afatgjatë, aktualisht i kemi tetë SOS familje në SOS në përkujdesje të kujdesit alternative edhe programin e gjysme pavarësimit”, thotë Besnik Peci, udhëheqës I kujdesit alternative në sos fshatra të Kosovës.

Dukuria e braktisjes së fëmijëve nga familja biologjike ndër vite ka pësuar rënie dhe ngritje, ka qenë periudha e pasluftës kur numri I fëmijëve të braktisur ka qenë më I lartë ndërsa kërkesa për adoptim ka qenë e vogël, ndërsa tani numri I fëmijëve të braktisur është më i vogël kurse kërkesa për adoptim është shumëfish më e madhe.

“Me vetë faktin që ka rënie të braktisjes së fëmijës tregon që është ngritur vetëdija te familjet tona ne si Prishtinë deri në vitin 2010 kemi pas deri 12 raste të braktisjes, brenda vitit viteve të fundit kemi dy ose tri raste brenda vitit. Shumë herë kemi kërkesa nga gjyshërit që ai fëmijë të mbetet në përkujdesjen e tyre”, thotë Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale Prishtinë.

Duke e pasur parasysh numrin e vogël të fëmijëve të braktisur, familjet potenciale për adoptim shpesh herë janë shprehur të mllefosur për shkak të pritjes së gjatë, por zyrtarët institucional thonë se pritja është për shkak të numrit të vogël të fëmijëve dhe jo për shkak të procedurave të adoptimit.

Deri tani, sos fshatrat e Kosovës mbeten e vetmja adresë që përkujdeset për fëmijë të braktisur dhe pa përkujdesje prindërore edhe pas moshës 18 vjeçare. Pavarësisht sfidave, në Qendrën për punë Sociale në Prishtinë, bëjnë thirrje te të gjitha nënat që mendojnë të ndërprenë shtatzëninë që mos ta bëjnë një gjë të tillë e cila me ligj është vepër penale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera