Bie kostoja e ndërtimit, por jo edhe e banesave

Autori: Gazeta inFokus
10:58 | 24 March 2023
Kostoja e ndërtimit në Kosovë, pas më shumë se një viti rritjeje të vazhdueshme, ka rënë. Megjithatë, kjo nuk ka bërë që të bien edhe çmimet e patundshmërive.
Për një banesë të re në Prishtinë, varësisht lokacionit, blerësi duhet të paguajë nga 900 euro deri në mbi 2.500 euro për metër katror.
Nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës thonë se çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren – rreth 85 kilometra larg kryeqytetit – ndërsa pak më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë.
Inflacioni, si gjetiu në botë, ka nisur të rritet në vitin 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, ndërsa ka vazhduar edhe gjatë 2022-shit, sidomos pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në shkurt të atij viti.
Shtrenjtimi i materialit ndërtimor ka shtrenjtuar më pas edhe banesat – madje mbi 20 për qind.
Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë – gjashtë kilometra larg Prishtinës – ka arritur në 650 euro e më shumë në mars të vitit 2022, nga 500 sa ka qenë vitin paraprak. Çmimi atje vazhdon të jetë i njëjtë, sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se mesatarja e kostos së ndërtimit në vitin 2021 dhe 2022 ka shënuar rritje deri në 16 për qind krahasuar me vitin 2020.
Por, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kostoja e ndërtimit ka rënë për 0.6 për qind, tregojnë të dhënat e ASK-së, të publikuara këtë muaj.
“Çmimi i banesave të reja vështirë se mund të shënojë rënie. Nuk ka pasur rënie [aq të madhe] të kostos së ndërtimit”, thotë kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha, për Radion Evropa e Lirë.
“Pothuajse të gjitha shpenzimet dhe materialet ndërtimore kanë çmime të njëjta. Një rënie të vogël të çmimit ka pasur çimentoja dhe hekuri”, thotë ai.
Në një deklaratë për REL-in në mars të vitit të kaluar, Hoxha ka thënë se çmimi i hekurit është rritur për 40%, krahasuar me një vit më herët, ndërsa i çimentos për 80%.
Të dyja këto produkte, sipas tij, kanë pasur rënie të lehtë në fund të vitit të kaluar – çimentoja për 5% dhe hekuri për 10% – por që, sipas tij, vazhdojnë të jenë çmime të larta krahasuar me vitin 2020.
Meriton Cana, nga një agjenci patundshmërish në Prishtinë, thotë se nuk pret që çmimet e banesave të reja të bien këtë vit, marrë parasysh faktin se ato janë ndërtuar me material më të shtrenjtë.
“Në patundshmëri janë dy çmime – ai ofertues dhe i shitjes. Në tre muajt e parë të këtij viti, kemi vërejtur se çmimet ofertuese nuk kanë rënë, por negocimi në çmim ka nisur të bëhet më i madh sesa më herët”, thotë ai.
Një faktor tjetër që mban lart çmimin e banesave është çmimi më i lartë i tokave.
Sipas ueb-faqeve të disa agjencive të patundshmërive, 4 ari tokë në një lagje të Prishtinës shiten deri në 140 mijë euro.
Agjentë të shitjes së patundshmërive thonë për Radion Evropa e Lirë se çmimet e tokave në Prishtinë janë rritur për 30 për qind e më lart, krahasuar me vitin 2020.
Brahim Selimaj, pronar i një kompanie ndërtimesh në Kosovë, thotë se gjatë tre muajve të parë të këtij viti, kërkesat për blerje të patundshmërive kanë rënë.
“Interesimi i blerjes së banesave është shumë i vogël, sepse diaspora ka një rënie të madhe të interesimit për të blerë banesa. Deri në 70 për qind e blerësve në Kosovë kanë qenë nga diaspora”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Selimaj nuk ofron ndonjë përqindje të rënies së shitjeve, por thotë se nëse ky trend vazhdon, sektori i ndërtimit do të bllokohet.
Edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një raport të publikuar në muajin gusht të vitit të kaluar, ka parashikuar se sektori i ndërtimit dhe i patundshmërive do të përballet me probleme financiare, për shkak të rritjes së kostove të produkteve dhe lëvizjes së çmimeve.
Sipas raportit, përkeqësimi i situatës do të bëhet më evident, për shkak të “pasigurisë në sjelljen e diasporës kosovare”.
Në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, apartamentet më të shtrenjta
Diaspora e Kosovës, sipas BQK-së, zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja, që bëhen kryesisht në patundshmëri.
Nga mbi 600 milionë euro investime të huaja, sa janë bërë në periudhën janar-tetor 2022, mbi 400 milionë euro kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në janar, se inflacioni do të bjerë në pjesën e dytë të këtij viti.
Çmimet e naftës dhe benzinës, që kanë arritur kulmin në gusht, janë liruar tashmë. Se si do të vazhdojë trendi për produktet dhe shërbimet e tjera, mbetet të shihet.

Të tjera
-
Shtëpia e Bardhë, thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se zëvendës këshilltari amerikan për sigu...
-
Haziri: Osmani t’i ulë tensionet në veri – presidentët historikisht kanë pasur role unifikuese
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i ka kërkuar presidentes së vendit, Vjosa...
-
Shkon mbi 280 numri i viktimave nga përplasja e trenave, qindra të plagosur
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Odisha të Indisë, ku një tren pasagjerësh ...
-
Kështu do të mbajë moti sot
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se edhe fundjava do të je...
-
Debati për situatën në veri, çka u tha dje në Kuvend
Në Kuvendin e Kosovës dje është debatuar për veriun e vendit, ku kryeministri...
-
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani, profesionet në të cilat ka më shumë nevojë për punëtorë
Në një ndër gjashtë profesione mungojnë punonjësit e kualifikuar, sipas një s...
-
U raportua i zhdukur, momenti kur shpëtohet 84-vjeçari nga Prishtina që kishte rënë në një gropë
Është gjetur 84-vjeçari, Sinan Duli, i cili ishte raportuar i zhdukur nga fam...
-
Agjenda e Kurtit për sot, merr pjesë në vendosjen e gur themelit të shtëpisë së një familje gorane
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për agjendën e kryeministrit Albin Kurti, pë...
-
Çitaku e quan Kurtin aventurier: Në këtë shekull nuk ka sovranitet të plotë
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka vlerësuar aventureske qasjen politik...
-
Përplasja e tre trenave në Indi, shkon në 80 numri i viktimave
Të paktën 80 persona kanë vdekur dhe 850 të tjerë janë plagosur pasi tre tren...
-
Kurti: Me Escobarin dhe Lajçakun do të flasim për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se javën e ardhshme ...
-
Kurti: Kosova storie suksesi – Serbia direkt ose indirekt ka përkrahje të regjimeve diktatoriale
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka shënuar progres ekonomik d...