Lajme

Biden, Trump përdorin migracionin, të drejtat e riprodhimit për të bërë për vete votuesit

Autori: Gazeta inFokus 07:40 | 12 March 2024

Ndërsa votuesit amerikanë përgatiten për një raund të ri zgjedhjesh paraprake të martën, Presidenti amerikan Joe Biden dhe rivali i tij republikan Donald Trump udhëtuan gjatë fundjavës në shtetin e Xhorxhias, në tubime paralele me mbështetësit e tyre.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës,Veronica Balderas Iglesias njofton lidhur me argumentet kryesore të dy politikanëve, që janë më pranë se kurrë marrjes zyrtarisht të kandidaturës së partive të tyre për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Në zgjedhjet e nëntorit votohet për liritë amerikane, theksoi Presidenti Joe Biden gjatë një aktiviteti me përkrahësit e tij në Atlanta të Xhorxhias.

-Advertisement-

Para zgjedhjeve paraprake në këtë shtet të martën, ai u kujtoi votuesve politikat e rivalit të tij republikan, ish-Presidentit Donald Trump mbi të drejtat e abortit.

“Ai erdhi në detyrë i vendosur për ta përmbysur ligjin Roe kundër Wade. Në fakt, ai mburret me këtë. Ai e përmbushi dëshirën e tij dhe shtetet po miratojnë masa që kriminalizojnë mjekët, duke detyruar viktimat e përdhunimit dhe incestit të largohen nga shtetet e tyre për të marrë ndihmë“, tha zoti Biden.

Por Xhorxhia, tha zoti Biden, mund të ndihmojë në mbrojtjen e të drejtave riprodhuese të grave.

“Më siguroni një Kongres që mbështet të drejtën për të zgjedhur dhe ju premtoj, se do ta rikthej ligjin Roe kundër Wade”, shtoi zoti Biden.

Ish-Presidenti Trump bëri gjithashtu fushatë të shtunën, por në Xhorxhian veriperëndimore, ku kritikoi ashpër fjalimin e Presidentit Biden mbi gjendjen e vendit.

“Pavarësisht nëse je republikan, i pavarur apo demokrat i zhgënyer, nga të cilët ka shumë, mjafton të shohësh gjendjen e tmerrshme të vendit. Mashtruesi Joe Biden foli për Ukrainën para se të fliste për Amerikën. Joe Biden nuk duhet t’i flasë Amerikës me zemërim, Amerika duhet t’i drejtohet atij me zemërim”, tha zoti Trump.

Ish-Presidenti dënoi gjithashtu politikat e migracionit të Presidentit Biden dhe përmendi vrasjen e studentes së infermierisë Laken Riley më 22 shkurt. Ajo dyshohet se u vra nga një emigrant nga Venezuela që hyri jashtëligjshëm në tokën amerikane.

“Ai ishte një emigrant i jashtëligjshëm që nuk duhej të ishte në vendin tonë dhe nuk do të ishte kurrë nën udhëheqjen time. Bideni ka zbatuar një politikë që të huajve të paligjshëm që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, u jep imunitet nga dëbimi”, tha zoti Trump.

Presidenti Biden, i cili përdori shprehjen “i paligjshëm” gjatë fjalimit të tij mbi gjendjen e vendit kur iu referua vrasësit të dyshuar të zonjës Riley, më vonë kërkoi falje dhe të shtunën mbrojti politikat e tij të migracionit.

“Kam prezantuar një plan gjithpërfshirës, për ta rregulluar sistemin tonë të migracionit, për ta siguruar kufirin tonë, për të ofruar një rrugë shtetësie për të padokumentuarit dhe familjet e tyre, punëtorët e fermave, punonjësit thelbësorë që na ndihmuan gjatë pandemisë dhe që janë pjesë e strukturës së komunitetit tonë“, tha zoti Biden.

E përbashkëta e komenteve të fundjavës së të dy kandidatëve presidencialë ishte theksi tek domosdoshmëria që votuesit të dalin për të votuar dhe të ndihmojnë ata në marrjen e kandidaturës së partive të tyre për president.

“Ju kërkoj që të bashkoheni me ne, në misionin tonë fisnik për ta shpëtuar vendin tonë. Së bashku do ta tejkalojmë përgjithmonë makthin e presidencës së Bidenit”, tha zoti Trump.

“Është një betejë për shpirtin e këtij kombi, mes atyre që duan ta tërheqin Amerikën prapa dhe atyre që duan ta çojnë vendin drejt së ardhmes”, tha zoti Biden.

Të martën mbahen zgjedhjet paraprake në Hauai, Misisipi, Uashington dhe Xhorxhia. Sigurimi i të gjithë delegatëve ose e vetëm një pjese të tyre, mund t’u sigurojë të dy rivalëve kandidaturën e partive për president. /VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
-Advertisement-

Të tjera