Lajme

Biden tenton t’i ulë shqetësimet pas rrjedhjes së dokumenteve sekrete të Pentagonit

Autori: Gazeta inFokus 19:03 | 13 April 2023

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka tentuar t’i zbusë shqetësimet lidhur me rrjedhjen e supozuar të dokumenteve të klasifikuara amerikane javën e kaluar.

Biden tha se rrjedhja e këtyre dokumenteve – ku jepen detaje rreth aftësive ushtarake të disa aleatëve dhe kundërshtarëve të SHBA-së – nuk zbuloi asgjë shumë të vlefshme.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hapur një hetim zyrtar për këtë çështje pasi iu referua ky rast nga Pentagoni, që po vazhdon të punojë në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga rrjedhja e dokumenteve.

-Advertisement-

Mediumi amerikan Washington Post raportoi më 12 prill se personi që dyshohet se publikoi dokumentet në platformën për komunikim Discord, ishte një entuziast i armëve i cili punonte në një bazë ushtarake. Ky medium raportoi duke u bazuar në intervista të bëra me dy anëtarë të këtij grupi të paidentifikuar.

Dokumentet thuhet se u postuan muaj më parë, por nuk tërhoqën vëmendje deri kur mediumi amerikan The New York Times raportoi për këto dokumente.

“Po zhvillohet një hetim i plotë, siç e dini, në komunitetin e inteligjencës dhe Departamentin e Drejtësisë. Dhe ata po afrohen”, u tha Biden gazetarëve në Dublin më 13 prill, duke komentuar për herë të parë publikisht pas rrjedhjes së dokumenteve.

Biden, i cili është duke e bërë një vizite katër-ditore në Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës, shtoi se ai “nuk është i shqetësuar për rrjedhjen”.

Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se Biden nuk diskutoi për këtë çështje gjatë takimit të kësaj jave me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, në Irlandën e Veriut.

Numri i dokumenteve të zbuluara, disa prej të cilave thuhet se shënoheshin me etiketën “top sekret”, nuk është i ditur.

Ato supozohet se përfshijnë informacione të ndjeshme rreth Ukrainës, Koresë së Jugut, Izraelit dhe shumë vendeve të tjera. Administrata e Bidenit ka frikë se rrjedhja e informacionit mund t’i dëmtojë marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët kryesorë dhe partnerët strategjikë të saj.

Grupi në Discord dyshohet se përfshinte njerëz nga Rusia dhe Ukraina, sipas mediumit, dhe ishte i fokusuar në një “dashuri reciproke për armët, pajisjet ushtarake dhe Zotin”. Platforma Discord është e famshme në mesin e adhuruesve të video lojërave online.

Personi që postoi dokumentet, i cili përdorte një llogari me nofkën OG, dyshohet se u tha anëtarëve të grupit se ndonjëherë punonte në një pjesë të bazës ushtarake “që ndalonte telefonat celularë dhe pajisjet e tjera elektronike”.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha në televizionin ukrainas më 12 prill se “rreziku i rrjedhjeve është shumë minimal” sepse vetëm një “rreth shumë i ngushtë njerëzish” është në dijeni të planifikimeve ushtarake ukrainase./REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera