Lajme

Biden dhe McCarthy pajtohen të vazhdojnë bisedimet për rritjen e tavanit të borxhit

Autori: Gazeta inFokus 09:42 | 10 May 2023

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ligjvënësi kryesor republikan u pajtuan të martën për të vazhduar bisedimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për rritjen e tavanit për borxhin prej 31.4 trilionë dollarësh.

Zyrtarët kanë afat edhe tri javë për të arritur marrëveshje ose vendi do të hyjë në procesin e paprecedent të falimentimit.

Për një orë e gjysmë, në Zyrën Ovale, demokrati Biden, dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, diskutuan për një marrëveshje të mundshme para afatit të 1 qershorit.

-Advertisement-

Biden, McCarthy dhe tre liderë të tjerë të lartë të Kongresit amerikan pritet të takohen sërish të premten.

Presidenti amerikan tha se bisedimet ishin produktive dhe duket se ai u ka ofruar republikanëve disa kompromise të mundshme, përfshirë edhe fondet që nuk janë shfrytëzuar për ndihmë për pandeminë, me qëllim që të ulen shpenzimet qeveritare.

Por, ai përsëriti se republikanët duhet ta marrin seriozisht kërcënimin që paraqet një mosarritje e marrëveshjes. Ai nuk e përjashtoi as mundësinë që të përdorë Amendamentin 14 të Kushtetutës amerikane, një amendament që nuk është përdorur më parë dhe mund të cilësohet si veprim antikushtetues.

“Çdonjëri në atë takim e kuptoi rrezikun e falimentimit”, tha Biden, duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë.

McCarthy tha se në takim pati mungesë të përparimit.

“Nuk kam parë asnjë lëvizje të re”, tha ai, duke shtuar se Biden nuk u pajtua që bisedimet të vazhdojnë deri në afatin e fundit.

Ekonomistët kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet marrëveshje dhe shteti shkon në falimentim, atëherë ekonomia amerikane do të futej në një recesion të thellë, që do të destabilizonte sistemin global financiar.

Biden po kërkon nga ligjvënësit që të rrisin tavanin e huamarrjes pa asnjë kusht. McCarthy, partia e të cilit ka shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se ky institucion nuk do të miratojë asnjë marrëveshje që nuk shkurton në mënyrë dramatike shpenzimet për të adresuar rritjen e deficitit buxhetor./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera