Lajme

Betohet Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Nano: Sfidat të shumëfishta, do të çojmë përpara reformat

Autori: Gazeta inFokus 11:18 | 07 October 2021

Gledis Nano me të marrë postin e drejtori të Policisë së Shtetit në Shqipëri ka premtuar se do të rrisë bashkëpunimin mes policisë dhe qytetarëve.

Kështu tha ai në fjalën e tij të parë përshëndetëse gjatë ceremonisë së betimit.

Ai është shprehur se është në dijeni të sfidave që e presin në këtë post të ri dhe u angazhua se do të çojë përpara reformat në Policinë e Shtetit.

-Advertisement-

“Besimi i detyrës së drejtorit të Policisë së Shtetit, përtej privilegjit, më ngarkon me përgjegjësinë për të qenë në lartësinë e detyrës në shërbim të qytetarëve dhe në nderim të gjakut të derdhur nga çdo dëshmor. Falënderoj ministrin dhe kryeministrin për besimin e dhënë. Profesioni im është një pasion i frymëzuar nga babai im. Ky institucion është një pjesë e jetës sime që kërkon angazhim. Sfidat janë të shumëfishta, puna duhet të çohet para. Qytetarët presin standard, ne do të bëjmë maksimumin për t’i arritur. Kërkoj nga qytetarët ta konsiderojnë policinë si partner. Bashkëpunimi qytetar-polici të forcohet sa më shumë. Ne synojmë një polici më të trajnuar, mirëmenaxhim të burimeve njerëzore të bazuara nga meritokracia. Do të çoj përpara reformat në policinë e shtetit. Kërkoj angazhim maksimal nga çdo efektiv”, u shpreh Gledis Nano, shkruan A2.

Por kush është është Gledis Nano i cili tani do të jetë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit:

Gledis Nano u emërua në detyrën e kreut të drejtorisë të Antiterrorit që prej 17 shkurtit 2016 pas një pune të gjatë dhe eksperiencë 17-vjeçare si pjesë e policisë së shtetit.

Gjatë të gjithë karrierës Nano ka kryer detyra të ndryshme në polici ku ka pasur rezultate në zbulimin e ngjarjeve të rëndësishme.

Në vitin 2013 ka kryer hetimet e dosjes se “Imameve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin.

Gledis Nano po ashtu drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit një muaj më parë të diplomatëve iranian nga Shqipëria.

Së fundmi në emër të të Qeverisë Amerikane, ambasadorja Yuri Kim i dorëzoi Gledis Nano, një certifikatë vlerësimi për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit global.

Në certifikatën e dorëzuar shkruhet “Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit. Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara tek vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera