Lajme

Besnik Mustafaj i bashkohet Bashës nesër në protestë

Autori: Gazeta inFokus 18:45 | 26 January 2018

Megjithëse me qëndrime shpesh herë kritike ndaj vendimeve të kreut të PS-së, Besnik Mustafaj do i bashkohet kauzës së opozitës në protestën e nesërme kundër qeverisë.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Mustafaj tha se nuk do jetë në krah të Bashës por në turmë për të protestuar kundër metodës qeverisëse dhe arsyeve të tjera.
“Unë vetë do shkoj në protestë. Unë besoj se dhe ju do protestoni nesër në kuptimin që ka 1000 arsye që shqiptarët të protestojnë nesër. Nuk do jem në krah të Bashës, do jem në turmë me mijëra vetë. Mua më shqetëson metoda qeverisëse, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar”, deklaroi Mustafaj.

Ai bëri një koment edhe për deklaratat e kreut të PD-së se protesta nuk është për t’u bërë ai kryeministër duke u shprehur se distancomi është shprehje e frikës nga vetvetja por edhe një reflektim nga protagonizmi që tregoi në çadër.

-Advertisement-

“Basha ka thënë se nuk bëhet për mua që të bëhem kryeministër, këto deklarata kapin një thelb shumë të rëndësishëm dhe ky thelb ka të bëjë me një lloj frike nga lidershipi i opozitës se po të marrin ata përgjegjësinë e kësaj proteste, ajo politizohet. Situata sot në Shqipëri kërkon protesta. Të gjithë ata që do dalin, dalin me bindjen se politika i jep zgjidhje. Nga ana tjetër marrja e një distance nga lidershipi politik me qëllim për ta depolitizuar protestën nuk i bën mirë. Kjo protestë do të shtrojë disa probleme.Ka qenë një diskurs, ligjërim politik shumë i ashpër radikal i fokusuar tek zgjedhja e prokurores së përgjithshme dhe reforma në drejtësi. Besoj zbutja ose lënia pas dore e kësaj teme tregon një realizëm nga lidershipi i opozitës të cilët kuptuan se kjo nuk përbënte një kauzë, nuk nxiste. Tani dalim tek një ligjërim që nuk është i sinqertë sepse nuk mund të thuhet se opozita do të dalë në protestë jo për të bërë politikë. Tregon një frikë nga vetvetja”, deklaroi Mustafaj.

Lidhur me pjesëmarrjen në protestën e nesërme, Mustafaj tha se është i paparashikueshëm dhe do të shihet se sa popullaritet ka Basha brenda PD-së.“Dua të them që është i paparashikueshëm masiviteti sepse PD vjen pas një proteste të gjatë dhe të dështuar që ishte çadra. Kthesa e fundit në diskursin e Bashës ka të bëjë me një reflektim se protagonizmi i tij i shfaqur në çadër është tashmë jo produktiv sepse ai do gjendet përballë një mase shumë të madhe njerëzish. Ai del vetë në plan të dytë dhe nxjerr arsyet në vend të parë.Basha i ka mobilizuar të gjitha strukturat, kjo përkon me fushatën e vetë të analizës. Ka qenë e mobilizuar dhe protesta nesër do tregojë edhe popullaritetin e Bashës brenda PD-së”, tha ai.Për sa i përket forcave të policisë dhe mundësisë për dhunë në protestë, Mustafaj u shpreh se PD ka treguar se proteston brenda standardeve demokratike dhe se edhe LSI do të jetë brenda kësaj filozofie.
“Unë nuk jam paranojak dhe nuk besoj se ka më shumë se sa thuhet. Besoj se PD në këto 27 vjet ka bërë aq shumë protesta dhe ka treguar se është një forcë që proteston brenda standardeve demokratike. Besoj se edhe LSI do jetë brenda kësaj filozofie proteste. Edhe LSI ka një forcë të caktuar në opinionin publik por e paprovuar në protesta”, u shpreh ai.

Mustafaj deklaroi se në qoftë se protesta nuk ka masivitet, Rama nuk do nxjerrë konkluzione nga kjo protestë. “Qëllimi i protestës është të përmirësojë qeverisjen”, tha ai.Lidhur me atë çfarë do ndodhë pas protestës, Mustafaj u shpreh: “Duke shpresuar se gjërat do normalizohen, shpresoj që protesta të bëjë efektin e saj duke nxitur kryeministrin të analizojë defektet e punës së tij. Opozita krahas protestës duhet të ripunojë komplet strategjinë e saj politike që të jetë atraktive. Një opozitë që nuk prezanton alternativën e saj para qytetarëve është një opozitës e dështuar”./bw

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera