Lajme

Besa Ismaili e PDK-së: Banorët e Veriut nuk duhet të bëhen kurban me fatin e tyre

Autori: Gazeta inFokus 19:43 | 29 October 2020

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili ka dalë me një qëndrim sa i përket asociacionit të komunave serbe.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se zgjerimi i kompetencave të Asociacionit të Komunave Serbe, drejt kompetencave ekzekutive duhet të jetë alarmi ynë më i madh institucional

“Implikimin direkt i politikave të tij, cenueshmërisë së çështjeve substanciale shtetërore, ai do të vështirësojë tutje veprimtarinë politike, e cila lidhet direkt me jetën e banorëve të veriut. Nga takimet dhe informimet direkte me banorët e veriut, jam e vetëdijshme që situata është e rënduar atje, e cila ende bartë plagë të së kaluarës, probleme elemetare me veprimtari jetësore, të tilla siç janë mirëqenia, vendbanimi, politikat institucionale e shumë e shumë çështje të tjera”, ka shkruar Ismajli.

-Advertisement-

Ajo ka vënë në dukje se banorët e Veriut madje janë anashkaluar edhe në pandemi, duke përjetuar një shtypje të dyfishtë nga mënjanimi gjatë përfshirjes në skema ndihmëse nga organet e nivelit lokal dhe ai qendror.

“Por, kjo nuk mjafton me kaq. Shqetësimi i tyre nga një rikolonializim serb, ndërtimi i hapësirave sportive përreth lagjeve ku ata veprojnë, është i madh. Kjo pasiguri e tyre, do të duhej të ishte shqetësim edhe për kryeministrin, i cili as zotimin për kompetenca ekzekutive të asociacionit nuk po e garanton”, ka shkruar ndër të tjera deputetja e PDK-së.

Ajo ka theksuar se banorët e Veriut nuk duhet të bëhen kurban me fatin e tyre, pronat e tyre si dhe veprimet e tyre sociale dhe ekonomike për një marrëveshje përfundimtare, e cila po na premtohet me njohje të ndërsjellë nga qeveria jonë, por duhet të gëzojnë gjithëpërfshirje, siguri dhe ndihmesë institucionale, ta cilat, fatkeqësisht nuk i kanë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera