Lajme

Bërnabiq e fton Kosovën t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”

Autori: Gazeta inFokus 17:29 | 15 November 2021

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u bëri thirrje të gjitha vendeve në Ballkan, duke përfshirë Kosovën, që t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.

Ajo tha se ftesa për këto vende është “gjithmonë e hapur”.

Nisma e bashkëpunimit “Ballkani i Hapur”, e cila përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, parashikon lirinë e lëvizjes për kapitalin, mallrat, shërbimet dhe njerëzit midis vendeve.

-Advertisement-

“Qytetarët që jetojnë në rajon do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga kjo nismë”, tha Bërnabiq më 15 nëntor, duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë një takimi të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po mbahet në Parlamentin serb.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina kundërshtojnë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur”.

Qeveria aktuale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e hedh poshtë këtë iniciativë dhe u bën thirrje vendeve të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian.

Në Beograd më 4 nëntor është mbajtur takimi i radhës i udhëheqësve të nismës rajonale për bashkëpunim “Ballkani i hapur”.

Në takim morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, si dhe afaristë nga rajoni.

Presidenti Vuçiq tha se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

Çfarë është arritur deri më tani?

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Profesori i shkencave ekonomike, Muhamet Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se nisma “Ballkani i hapur” nuk mund të jetësohet përderisa Serbia ka qasje penguese për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Ndërsa njohësi i ekonomisë nga Tirana, Fatos Cocoli, i tha REL-it se Kosova duhet ta përkrahë këtë iniciativë pavarësisht problemeve politike me Serbinë. /REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera