Lajme

Berisha: LDK duhet t’i kthehet burimores dhe të punojë në kthimin e besimit të qytetarëve

Autori: Gazeta inFokus 12:48 | 21 December 2022

Zyrtari i LDK-së, Anton Berisha, në prag të 33 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se ideja e themelimit të një partie politike me koncepte perëndimore ishte një kërkesë e kohës sa i përket palës shqiptare por edhe kërkesë euro-amerikane, për ne ishte çlirim dhe kthim në rrënjë përderisa për perëndimin si betejë e kombeve të ish-Jugosllavisë për shkëputjen nga koncepti serb që synonte bashkangjitjen e atij shteti botës ruse.

Por Berisha, thotë se  Lidhja Demokratike e Kosovës, në prag të 33 vjetorit të saj, duhet të analizojë thellë situatën që nga themelimi i saj, t’i kthehet burimores dhe të punojë shumë që të rikthejë besimin e qytetarëve se koncepti tradicional, demokratik si dhe qasja profesionale dhe përgjegjësia janë vlera të panegociueshme dhe më të theksuara brenda saj, në mënyrë që të udhëheqë vendin deri në integrimin e plotë euro-atlantik të shqiptarëve.

Postimi i plotë:

-Advertisement-

NË PRAG TË 33 VJETORIT TË THEMELIMIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Ideja e themelimit të një partie politike me koncepte perendimore ishte një kërkesë e kohës sa i përket palës shqiptare por edhe kërkesë euro-amerikane, për ne ishte çlirim dhe kthim në rrënjë përderisa për perendimin si betejë e kombeve të ish-Jugosllavisë për shkëputjen nga koncepti serb që synonte bashkangjitjen e atij shteti botës ruse.
Ndonëse është detyrë e shkencës e sidomos historianëve për të zbardhur detajet e asaj periudhe, secili prej nesh me njohuritë e përvojën vetanake mund të ndihmojë që kjo periudhë e ndritshme dhe përcaktuese të pasqyrohet në dritën e së vërtetës.

Atëbotë, ajo çfarë kërkohej prej nesh, ishte identifikimi i intelektualëve, studentëve dhe individëve të shtresave të ndryshme me koncepte perëndimore marrë parasysh indoktrinimin ideologjik jugosllav, por edhe enverist që me konceptin e irridentizmit ideologjik revolucionar nuk shihej nga ata si alternativë për çështjen shqiptare në përpjekjet për liri, barazi dhe demokraci.

Falë përpjekjeve të pakursyera të elitës intelektuale u arritë bashkëpunimi i tyre në formimin e partisë politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, e ndihmuar sidomos nga bota gjermane dhe zgjedhja e kryetarit të saj Ibrahim Rugova si një përzgjedhje e përbashkët, por me ndikim të theksuar nga amerikanët.

Në anën tjetër, secili prej nesh, për fatin e mirë edhe unë isha njëri nga ata, duhej të angazhoheshim në domenin përkatës për masivizimin e këtij koncepti si alternativë e domosdoshme për të marrë përkrahjen e botës euro-atlantike që ishte e pamundur të konceptohej me organizime ilegale e ideologjike të bashkimit kombëtar.
Formimi i LDK-së, Deklarata e 2 Korrikut 1990 dhe Kushtetuta e Kaçanikut do të jenë produkt i drejtpërdrejt i orientimit tonë perëndimor , shkëputje ideologjike dhe bazament i shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës që hap pas hapi krijonte realitetin e njohjes për ta përmbyllur de jure në vitin 2008.

Dominimi i kësaj fryme ishte përcaktim historik dhe fat i madh që bota shqiptare të identifikohet me shtetin e dytë Kosovën, përderisa Shqipëria të anëtarësohet në NATO, dhe të dyja së bashku të kanalizohen në procesin e integrimit europian.

Natyrisht, se i gjithë ky proces ka qenë i vështirë, i rëndë, me shumë vuajtje e sakrifica, dhe vazhdon të jetë i tillë për shkak të ndikimit “të botës ruse” dhe “botës serbe”, por gjithashtu edhe për shkak reminishencës ideologjike që për fat të keq mbetet sot e gjithë ditën prezente brenda faktorit shqiptar.

Për këtë arsye, Lidhja Demokratike e Kosovës, në prag të 33 vjetorit të saj, duhet të analizojë thellë situatën që nga themelimi i saj, t’i kthehet burimores dhe të punojë shumë që të rikthejë besimin e qytetarëve se koncepti tradicional, demokratik si dhe qasja profesionale dhe përgjegjësia janë vlera të panegociueshme dhe më të theksuara brenda saj, në mënyrë që të udhëheqë vendin deri në integrimin e plotë euro-atlantik të shqiptarëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera