Lajme

Berisha kundër rikandidimit të prokurorëve të SPAK: S’do ndërrojmë Kushtetutën se ka frikë Dumani! Rama e ironizon nga Luksemburgu

Autori: Gazeta inFokus 19:57 | 14 April 2025

Kreu i PD Sali Berisha ka reaguar ndaj kërkesës së kreut të SPAK, Altin Dumani, për mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të posaçëm, duke e cilësuar këtë si një përpjekje personale për të zgjatur mandatin.

“Nuk mund të ndërrojmë Kushtetutën për frikën e një prokurori nga puna e tij. Nëse ke kryer detyrat sipas ligjit, nuk ke pse të kesh frikë”, deklaroi Berisha në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se “Kushtetuta do ndryshojë, por për të hequr të drejtën që prokurori të kontrollojë gjykatësin e dosjes. Kjo nuk ndodh askund në botë.”

-Advertisement-

Berisha, paralajmëroi ribërjen e reformës në drejtësi në rast të një fitoreje të Partisë Demokratike, duke premtuar rikthimin e disa prej figurave të larguara nga sistemi i drejtësisë si Gjin Gjoni, Adriatik Llalla dhe Arben Ndoja.

“Reforma në drejtësi do ribëhet. Ata që u larguan padrejtësisht, sepse ndëshkuan krimet e socialistëve, do rikthehen,” tha ai.

Më tej, Berisha akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama për përdorim të bandave në fushatën elektorale, duke përmendur emra si Suel Çela, Altin Hajri dhe Safet Bajri. “Krimi elektoral do konsiderohet krim i rëndë dhe do dënohet deri në 20 vite burg”, paralajmëroi ai.

Ndërkohë, kryeministri Rama, në një reagim nga Luksemburgu ku ndodhet për të marrë pjesë në Konferencën e Katërt Ndërqeveritare me BE-në, ironizoi akuzat e Berishës.

“Ja ku jam rrugës nga Brukseli në Luksemburg, ku sot pasdite hapet grupkapitulli i tretë i negociatave me BE. Po si thanë ‘qua qua qua-të e kënetës’? Nuk ka më hapje kapitujsh? E pra, sot është një tjetër dëshmi kokëfortë se po ecim drejt majës së Shqipërisë 2030”, u shpreh Rama në një video-mesazh.

Ai i cilësoi pretendimet për bllokim të integrimit si lajme të rreme dhe bëri thirrje për unitet kombëtar. “E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk është më thjesht aspiratë, por proces konkret. Ky është momenti që ta fitojmë së bashku bastin historik të Shqipërisë me Evropën”, tha kreu i qeverisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova Nënshkruan Parimet për Fuqizim të Grave (WEPs)
-Advertisement-

Të tjera