Lajme

Bëhet hapja e Lojërave Paralimpike të Kosovës, merr pjesë edhe Kurti

Autori: Gazeta inFokus 14:53 | 16 July 2022

Ceremonia e hapjes së Lojërave Parasportive të Kosovës për vitin 2022 filloi me lajmin e jashtëzakonshëm që Kosova është bërë anëtare fuqiplote në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe se për herë të parë do të jetë pjesë e Lojërave Paralimpike Paris 2024, si dhe tash e tutje pjesë e çdo aktiviteti tjetër evropian e botëror që organizohet nën patronatin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar.

Fjalën e tij në këtë ceremoni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e nisi duke thënë se nuk ka pasur vend më të mirë për këtë lajm të jashtëzakonshëm dhe se nuk ka pasur lajm më të mirë për këtë ngjarje.

“Më lejoni t’ju uroj të gjithëve pra pranimin e Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Në vitin 2024, siç e tha edhe presidentja Njomza Emini, do ta shënojmë pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat paralimpike. E përgëzoj Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin e tyre drejt realizimit të këtij qëllimi madhor e të përbashkët”, u shpreh kryeministri Kurti.

-Advertisement-

Ai tha se ky sukses përveçse mundëson përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, më e rëndësishmja është që ka hapur dyert e shumta për mundësi të panumërta për zhvillimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara përbrenda vendin tonë. “Sportistët me aftësi të kufizuara të Kosovës, tash kanë mundësinë për të ëndërruar medaljen paralimpike”, deklaroi kryeministri Kurti, duke shtuar se sportistët me aftësi të kufizuara janë konfirmim i gjallë që e pamundshmja bëhet e mundur.

Më tej, kryeministri Kurti rikujtoj se me 3 dhjetor të vitit të kaluar, në ditën ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, viti 2022, u shpall – vit i personave me aftësi të kufizuara. “Si qeveri, ne do të vazhdojmë punën dhe përkrahjen maksimale për një shoqëri me gjithëpërfshirje dhe me shanse, mundësi e të drejta për të gjithë”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, duke iu drejtuar sportistëve pjesëmarrës në Lojërat Parasportive të Kosovës për vitin 2022, ai i ftoi ata që të festojnë arritjet e tyre, të jenë krenarë që aftësitë e tyre mund dhe do të ndryshojnë botën për shumë e shumë njerëz, dhe mbi të gjitha gjatë kësaj fundjave të argëtohen e të luajnë fer. “Sporti është platforma më e mirë përmes së cilës festohet diversiteti dhe përqafohen dallimet” , tha kryeministri Kurti, ndër të tjerash.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera