Lajme

Bëhet 465 milionë euro buxheti për ministrinë e punës

Autori: Gazeta inFokus 12:43 | 21 November 2018

465 milionë euro do ta ketë buxhetin për vitin 2019, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ministri Skënder Reçica në raportimin para deputetëve anëtarë të komisionit për mbikëqyrjen e ministrisë së tij, theksoi se 10 milionë euro nga buxheti janë shtuar për pensionet kontributdhënës e 3.3 milionë euro të tjera për pensione familjare.

” Për pensionet bazë janë shtuar 20 milionë euro, pensionet e Trepçës janë rritur për 1 milionë euro, 10 milionë euro janë shtuar për pensionet kontributdhënës, pensioni familjar është shtuar për 3.3 milionë euro. Asistenca sociale është zvogëluar për 1, 3 milionë euro, te pensionet e veteranëve është rritur buxheti për 1,8 milionë euro”, tha Reçica.

-Advertisement-

Për procesin e verifikimit të viktimave të dhunës seksuale, Reçica ka tregur se ka shumë raste në rishqyrtim dhe se procesi është shumë i gjatë.

“Fatkeqësisht kemi skema të pensioneve të krijuara ‘ad –hock’, ajo që është evidentuar është që Kosova nuk ka arritur të konsolidojë një skemë të sigurimeve sociale. Ka mungesë të një ligji bazik, ka mos harmonizim të skemave, ka pamjaftueshmëri financiare, ka një strukturë të vjetërsuar, kjo ka bërë që të vijmë deri tek reformimi i sistemit pensional”, tha Reçica.

Deputetja Fatmire Kollqaku, u shpreh se ndalja e ndihmave sociale për familjet, fëmijët e të cilëve kalojnë  moshën 5 vjeçare është diskriminim për fëmijët. Madje ka shtuar se reformimi i sistemit pensional është shumë urgjent.

“Duhet të rregullohet edhe çështja e kontratave të punës, po e shohim sa vdekjet po ndodhin në vendet e punës, të njëjtit nuk figurojnë askund. Punëdhënësit po fitojnë në kurriz të punëtorëve, përkushtimi më i madh i inspektorëve duhet të jetë që të shkojnë jo kur ndodh rasti, por duke tentuar të parandalojnë këto raste”, tha Kollqaku.

Në lidhje me këtë Reçica tha se kontratat kolektive duhet të jenë diçka përtej ligjit, dhe se si e tillë do të jetë e miratuar në muajin nëntor.

Flora Brovina nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka vlerësuar Ministrinë e Punës me shumë probleme. Tutje, ministri Reçica tha se në Kosovë janë 95 mijë punëkërkues, e në anën tjetër kompanitë kërkojnë punëtor profesionist.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera