Lajme

Befason Abrashi: Do ta hiqja taksën para se të mbërrinte Grenell në Serbi

Autori: Gazeta inFokus 19:26 | 23 January 2020

Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të arrihet sa më shpejt, sepse zvarritja e këtij procesi i konvenon Serbisë.

“Unë jam një prej ithtarëve më të mëdhenj që të kemi marrëveshje Kosovë-Serbi sa më shpejt dhe sa më herët. Zhagitja e marrëveshjes që në fund e sjell njohjen e Kosovës nga Serbia i ka konvenuar më së shumti Serbisë dhe ka bërë çmos që ta shtyjë”.

“Ka gjetur shumë arsye, shpesh edhe të pakuptimta, që të largohet nga tavolina e dialogut. Por, edhe ne si Kosovë kemi dhënë arsye që ata të veprojnë ashtu”.

-Advertisement-

“Koha nuk po punon për neve. Sikur ta arrinim marrëveshjen me Serbinë shumë më herët, gjithsesi se do të dilnim më mirë. Çfarëdo vonese neve na vë në një pozitë më të keqe. Pozicioni dhe imazhi i Kosovës është vështirësuar në BE, derisa ai i Serbisë është përmirësuar”.

“Koha është shumë esenciale. Ne duhet sa më herët që ta zëmë këtë hap dhe ofansivën amerikane që e kemi parë ditëve të fundit duhet ta shfrytëzojmë që të arrijmë marrëveshjen finale me Serbinë dhe të sjellim njohjen e Serbisë për Kosovën”.

Abrashi në Info Magazine të Klan Kosovës ka folur edhe për taksën 100 për qind – të cilën  I Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell ka kërkuar që të hiqet.

Ai ka thënë se sot do ta hiqte taksën, para se ambasadori Grenell të nisej nga Kosova për ne Beograd.

“Taksa që u përmend nga ambasadori Richard Grenell dhe ndalesa e fqinjësisë së keqe të Serbisë – duke përfshirë bllokadën në UNESCO, INTERPOL, BE dhe tërheqjen e njohjeve – kanë qenë dy kërkesa të tij, përpos përkrahjes që do të na japin në dialog dhe zhvillim ekonomik”.

“Këto të dyja janë shumë të lehtë për t’u bërë. Zgjedhjet në Kosovë janë kryer, efekti i taksës është prodhuar dhe është përmbyllur. Çmimet janë rritur, derisa eksportet e Kosovës janë zvogëluar”.

“Çfarë po na duhet ajo taksë, posaçërisht kur largimin e saj po e kërkon vet presidenti i SHBA-ve Donald Trump?”.

“Qeveria e cila është në detyrë, nëse do të dinte të reagonte mirë, sot para se të shkojë Grenell atje që t’i japë një armë të fuqishme atij dhe presidentit Donald Trump karshi politikës në Ballkan do të duhej ta tërhiqte taksën. Kështu, krejt barra politike në Ballkan do t’i binte Ivica Daçiqit, Aleksandar Vuçiqit dhe krejt asaj administrate pse ata po punojnë kundër Kosovës”.

“Nuk e di se çfarë po ju duhet kjo taksë. Unë do ta hiqja sot taksën – para se të shkonte Richard Grenell në Serbi për t’i thënë që ne i kryejmë detyrat tona dhe Serbia duhet të ndalë pengesat kundrejt Kosovës dhe të garantojë fqinjësi të mirë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera