Kulturë

“Beethoven”, shkolla e nxënësve që po shkëlqejnë në gara ndërkombëtare (VIDEO)

Autori: Gazeta inFokus 21:43 | 07 April 2021

E hapur më pak së dy vjet më parë, Shkolla e Muzikës, Artit dhe Baletit, “Beethoven” në Prishtinë ka arritur të jetë një prej institucioneve më të kërkuara në vend.

Me shumë programe shkollor dhe staf të kualifikuar, kjo shkollë private ka arritur të nxjerrë edhe fitues të disa çmimeve në garat ndërkombëtare të talenteve të reja të muzikës.

Shkolla ka pothuajse të gjitha drejtimet, sipas kurrikulës shkollore, duke përfshirë edhe kurse baleti.

-Advertisement-

Kjo shkollë ofron mësime për piano, violinë, kitarë, violonçel, këndim, etj.

Pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj, drejtoreshë e kësaj shkolle, thotë për Kallxo.com se shkolla “Beethoven” ka filluar punë në vitin shtator të 2019, me fillimin e vitit shkollorë 2019/2020.

Sipas saj, shkolla është e licencuar në MASHTI dhe ofron shumicën e drejtimeve që sot kërkohen nga nxënësit-fëmijët.

“Natyrisht si fillim kemi filluar goxha mirë, po thuajse me të gjitha drejtimet – instrumentet: piano, kitarë, violinë, violonçela, balet, etj. Po ashtu edhe këndimin si lëndë e integruar. Pra themi janë përfshirë shumica e drejtimeve, ato më të kërkuara nga ana e fëmijëve dhe prindërve”, ka thënë ajo.

Megjithatë, disa muaj pas fillimit të punës, për shkak të pandemisë së Coronavirusit edhe kjo shkollë u detyrua të ndërpresë mësimin dhe rifillojnë me metodën e kombinuar, me prezencë fizike dhe online.

Drejtoresha Qarri-Haxhiaj thotë se metoda e mësimit online krijon probleme të natyrave të ndryshme.

“Nëse gjithçka mund të bëhet online përmes kompjuterit, muzika dhe arti nuk mund ta transmetojnë atë energjinë e duhur, pa marrë parasysh këto, të themi pjesët teknike, vështirësitë teknike që paraqiten gjatë mësimit online; tingulli, zëri, përçimi i zërit, etj., janë vështirësitë të cilat, të themi, kemi pasur më tepër pengesa për një zhvillim të mirë”, ka thënë ajo.

Por, pavarësisht sfidave që ka shkaktuar COVID-19, Qarri – Haxhiaj ka thënë se rezultatet e nxënësve të kësaj shkolle nuk kanë munguar, sidomos në garat ndërkombëtare.

“Kemi nxënësin tonë, Ledion Halitaj, një kitarist në rritje, një kitarist i shkëlqyer, i cili tregoi menjëherë rezultat në garat në Transilvani-Rumani, po ashtu në Shkup, në Maqedoni, etj., një sukses shumë i mirë për këtë nxënës. Gjithashtu edhe disa vajza të drejtimit të pianos që morën pjesë në garën online në Idria të Sllovenisë. Ato morën pjesë, për herë të parë dolën me shumë sukses dhe fituan çmimet e dyta”, ka thënë Qarrin-Haxhiaj.

Ledion Halitaj ka më shumë se një viti që studion kitarën në shkollë e muzikës ‘Beethoven”.

Talentin e tij në këtë instrumente ai e tregoi vitin e kaluar në garat ndërkombëtare, të mbajtura në shtator, tetor dhe nëntor.

“Kam marrë pjesë në tre gara dhe kam fituar 4 çmime. Njëra prej garave ishte në Transilvani të Rumanisë, ku kam fituar çmimin e parë, pastaj në Temallo në Maqedoni kam fituar dy çmime, në kategorinë time kam fituar çmimin e parë, ndërsa në kategoritë e moshave më të mëdha e kam fituar çmimin e dytë, dhe në Pleven të Bullgarisë e kam fituar çmimin e dytë”, ka thënë ai.

Halitaj shton se i pëlqen të luajë në kitarë dhe nuk mendon të ndahet prej saj.

Edhe Viola Berisha, është një nga nxënëset e kësaj shkolle.

Ajo studion për piano dhe këtë e bën me shumë dëshirë.

“Më pëlqen se është një mënyrë tjetër me i shpreh ndjenjat. Të jep shumë pasion, në një kohë duhet me pas edhe përkushtim për të, por, si një gjuhë tjetër që e njeh krejt bota dhe mundesh me përshkruar shumë nga ajo”, thotë pianistja Berisha.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera