Lajme

BE shpërndan vaksina për 70% të popullatës së rritur

Autori: Gazeta inFokus 12:41 | 10 July 2021

Bashkimi Evropian ka shpërndarë mjaftueshëm vaksina kundër koronavirusit, në mënyrë që vendet anëtare të vaksinojnë së paku 70 për qind të popullatës së rritur, tha të shtunën presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen.

Ajo u bëri thirrje vendeve të BE-së që t’i intensifikojnë fushatat e vaksinimit dhe tha se rreth 500 milionë doza vaksinash do të jenë të shpërndara në të gjithë bllokun deri më 11 korrik.

“Këtë fundjavë, ne do të kemi të shpërndara mjaft vaksina në vendet anëtare, për të vaksinuar plotësisht së paku 70 për qind të popullatës së rritur. Deri nesër, rreth 500 milionë doza do të jenë të shpërndara në të gjitha rajonet e Evropës”, tha von der Leyen.

Njëzeteshtatë qeveritë e BE-së janë përgjegjëse për administrimin e vaksinave te qytetarët e tyre dhe disa po punojnë shumë më shpejt se të tjerat, por von der Leyen tha se “BE-ja e mbajti fjalën e saj”.

“COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi] nuk është mundur ende. Por, ne jemi të përgatitur t’i vazhdojmë furnizimet me vaksina – gjithashtu kundër varianteve të reja”, tha von der Leyen.

Varianti Delta i koronavirusit është duke shkaktuar rritje të numrit të rasteve në disa vende.

Ky variant, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është më ngjitës se ato të mëparshmet.

Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins tregojnë se koronavirusi ka prekur mbi 186 milionë njerëz në të gjithë botën.

Prej tyre, mbi 4 milionë kanë vdekur.

Deri më tash, në të gjithë botën janë dhënë mbi 3.3 miliardë vaksina kundër koronavirusit.

Të tjera