Lajme

BE nuk gjen gjuhën e përbashkët për rritjen e çmimeve të energjisë

Autori: Gazeta inFokus 14:12 | 17 December 2021

Udhëheqësit e BE-së braktisën përpjekjet për një pozicion të përbashkët për të zgjidhur rritjen e çmimeve të energjisë në të gjithë Bashkimin Evropian pas bisedimeve të gjata, por të ndërprera dje.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në një konferencë për shtyp në Bruksel tha se nuk arritën marrëveshje për konkluzionet e paraqitura.

“Ne e kuptuam se kishte mendime të ndryshme rreth tryezës dhe nuk ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje për konkluzionet e paraqitura”, tha ai, raporton atsh.

-Advertisement-

Çmimet e energjisë – veçanërisht çmimi i gazit natyror – janë rritur me shpejtësi që nga fillimi i vitit.

Konsumatorët tashmë janë prekur, duke nxitur shqetësimet për ndikimin e inflacionit në rimëkëmbjen ekonomike të bllokut pas pandemisë dhe duke rrezikuar një reagim kundër politikës klimatike të BE-së.

Madridi dhe Parisi kanë bërë përpjekje të forta për të ristrukturuar tregun energjetik të BE-së, por Gjermania dhe të tjerët kanë rezistuar.

“Ne duhet të rishikojmë strukturën e çmimeve të energjisë në nivel evropian”, tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez përpara samitit.

Fajësohet gjithashtu Sistemi i Tregtimit të Emetimeve të BE-së.

Sipas sistemit, furnizuesit e energjisë elektrike, për shembull, duhet të paguajnë për emetimin e gazeve serrë si CO2.

Hungaria dhe Polonia pretendojnë se mekanizmi ka shkaktuar rritje të kostove.

Përpara samitit, kryeministri polak Mateusz Moraëiecki krahasoi ndikimin në të ardhurat e njerëzve me ndryshimin e normës së TVSH-së çdo ditë.

Megjithatë, vendet e tjera anëtare të BE-së e refuzojnë këtë analizë dhe e shohin si një zgjidhje kalimin e energjisë së bllokut drejt burimeve të rinovueshme.

Mosmarrëveshja vazhdon që nga samiti i fundit i BE-së në tetor.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron në një konferencë të përbashkët për shtyp thanë se BE do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e çmimeve në tregun e energjisë dhe do të diskutojë përsëri këtë çështje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera