Lajme

BE nuk e harron Serbinë, i parashtron kërkesë për sanksionet ndaj Rusisë

Autori: Gazeta inFokus 16:28 | 22 March 2022

Bashkimi Evropian ka vlerësuar faktin se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si vende kandidate për anëtarësim në BE, kanë harmonizuar 100% qëndrimet dhe sanksionet ndaj Rusisë, ndërsa thotë se ende pret Serbinë që ta bëjë një gjë të tillë. Në fakt, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e kanë harmonizuar politikën e sanksioneve kundër Rusisë me Bashkimin Evropian.

Në të vërtetë, Serbia ka qenë vendi i vetëm në Evropë që madje me marshe ka mbështetur Rusinë në agresionin e saj në Ukrainë, ndërsa vet kryeparlamentari i saj, Ivica Daçiq kishte pranuar se nuk do të vënin sanksione pasi kështu prekeshin interesat e Serbisë.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, në një konferencë për media deklaroi se nuk ka një afat përfundimtar që mund të ketë Serbia për të vënë sanksione ndaj Rusisë, pasi paraprakisht ishte raportuar se pas zgjedhjeve shteti fqinj mund të harmonizonte sanksionet ndaj Putinit.

-Advertisement-

Stano tha se zakonisht kur BE-ja miraton sanksione ose masa kufizuese, vendet tjera ftohen të rreshtohen njëjtë brenda një periudhe të caktuar. Sipas tij, kjo është zakonisht një periudhë prej disa ditësh, disa javësh, në varësi të rrethanave.

“Maqedonia e Veriut, Shqipëria, bëjnë harmonizim 100% me të gjitha vendimet e fundit, gjë që vlerësohet absolutisht nga Bashkimi Evropian, Serbia deri tani ka vendosur të mos përafrohet me të gjitha deklaratat, qëndrimet dhe vendimet. Ne presim, natyrisht, që Serbia si vend kandidat të përafrohet me vendimet dhe qëndrimet e Evropës në aspektin e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, dhe keni vënë re gjatë javëve të fundit se Serbia, në fund vendosi të rreshtohet me disa veprime që kthehen prapa, gjithashtu veprime dhe vendime që kthehen në 2014/2015 në lidhje me Krimenë për shembull, kështu që shpresojmë, presim që Serbia do të harmonizohet gradualisht dhe në mënyrë progresive me këto vendime, sepse kjo nuk është çështje interesi ekonomik, nuk është çështje zgjedhjeje. Kjo është një çështje e një qëndrimi moral. Sanksionet e BE-së janë për të parandaluar Putinin nga financimi i agresionit të tij të vazhdueshëm kundër një shteti të pavarur, sovran dhe popullit të tij. Dhe kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë për sanksionet, dhe kjo është ajo që ne po përpiqemi t’u shpjegojmë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë botën”, tha Stano.

Rusët po shfrytëzojnë një boshllëk të njohur si “dera e pasme serbe”, për të ikur në Evropë dhe për të anashkaluar një ndalim në mbarë BE-në për fluturimet drejt dhe nga Rusia. Vetëm pak javë më parë, Air Serbia, e cila është kryesisht në pronësi të shtetit, ka dyfishuar numrin e fluturimeve direkte nga Moska në Beograd pasi BE-ja ndaloi avionët dhe linjat ajrore ruse.

Gjithashtu, përfaqësuesit e Serbisë kanë shmangur deklarimin e përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës duke mos bërë të njohur votën e saj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera