BE-ja synon të ashpërsojë regjimin e vizave, rrezikohet edhe Kosova

Autori: Gazeta inFokus
08:29 | 16 April 2025
Këtë vit, Bashkimi Evropian pritet të ashpërsojë mekanizmin e pezullimit të vizave, duke ia bërë më të lehtë Brukselit të heqë regjimin pa viza për qytetarët e 61 vendeve që aktualisht e gëzojnë atë – përfshirë të gjitha vendet aspirante për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor, si dhe Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Propozimi për të shtuar më shumë arsye në mesin e atyre ekzistuese për pezullimin e udhëtimit pa viza ishte iniciuar nga Komisioni Evropian qysh në vitin 2023, dhe Këshilli i BE-së – i cili përfaqëson 27 vendet anëtare – e miratoi qëndrimin e tij për këtë çështje një vit më parë. Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve parlamentare evropiane në qershor të vitit 2024 dhe ngarkesës së madhe legjislative, Parlamenti Evropian vetëm së fundi ka marrë mandatin për të negociuar.
Javën e kaluar, u mbajt dialogu i parë ndërmjet tri institucioneve mbi legjislacionin e propozuar, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjatë Presidencës polake të Këshillit të BE-së, e cila zgjat deri në fund të qershorit. Nëse gjithçka shkon mirë, ligji i ri pritet të hyjë në fuqi në fillim të vjeshtës.
Pse po ndodh kjo tani?
Në thelb, blloku po bëhet shumë më i ashpër ndaj liberalizimit të vizave, duke reflektuar një ndryshim më të gjerë: së pari, për të luftuar çdo formë migracioni të paligjshëm në BE; dhe së dyti, për të përdorur potencialisht regjimin e vizave si mjet politik për të ushtruar presion mbi vendet e treta.
Liberalizimi i vizave – i cili në këtë rast përfshin të gjitha vendet anëtare të BE-së përveç Irlandës, si dhe vendet joanëtare Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra – ka qenë prej kohësh një nga mjetet më të rëndësishme politike të Brukselit.
Ai u lejon shtetasve nga vende të treta të vizitojnë BE-në deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh pa pasur nevojë për vizë. Kosova u përfshi në këtë listë në fillim të vitit 2024 dhe Gjeorgjia e Ukraina në vitin 2017 – lëvizje që u mirëpritën në këto vende.
Kërcënimi për të tërhequr këtë privilegj, për rrjedhojë, mund të shihet si një masë e vërtetë ndëshkuese.
Mekanizmi aktual i pezullimit, në fuqi që nga viti 2018, mund të aktivizohet në rastet e abuzimit të qartë – për shembull, një rritje e numrit të qytetarëve të vendeve të treta që qëndrojnë më gjatë se limiti 90-ditor apo që përdorin udhëtimin pa viza për të kërkuar azil në BE. Deri tani, blloku ka pezulluar liberalizimin e vizave vetëm një herë: fillimisht përkohësisht, më pas përfundimisht, për shtetin e Paqësorit Jugor, Vanuatu.
Cilat janë ndryshimet e pritura?
Në terma të përgjithshëm, ka katër fusha kryesore ndryshimesh, pasi Brukseli synon ta bëjë mekanizmin e pezullimit të vizave një mjet ndëshkimi më të besueshëm. Së pari, liberalizimi i vizave mund të pezullohet nëse ekziston një perceptim për mospërputhje midis politikës së përgjithshme të vizave të BE-së dhe vendit të tretë pa viza.
Ky ishte rasti në vitin 2022, kur Serbia lejoi udhëtim pa viza për shtetasit e vendeve si Burundi, India dhe Kuba. Brukseli sugjeroi se shumë prej këtyre individëve po përdornin Serbinë si një “derë të pasme” drejt BE-së. Pas presionit nga Komisioni Evropian, Beogradi hoqi disa nga këto marrëveshje. Megjithatë, sipas legjislacionit të propozuar, sjellje të tilla mund të ndëshkohen më lehtësisht.
Kërcënimet hibride
Një tjetër arsye për pezullim të vizave janë të ashtuquajturat kërcënime hibride. Edhe pse ende teorike, kjo dispozitë është frymëzuar nga vendet si Rusia dhe Bjellorusia, të cilat BE-ja i ka akuzuar për transportimin e emigrantëve nga Afrika dhe Azia drejt kufijve të BE-së, si të Polonisë dhe Lituanisë.
Tashmë, marrëveshjet për lehtësimin e vizave të BE-së me Moskën dhe Minskun janë pezulluar për disa vite, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe shtypjes së opozitës nga lideri autoritar bjellorus, Alayksandr Lukashenka. Megjithatë, nëse një vend tjetër pa viza ndjek një taktikë të ngjashme, mekanizmi i ri mund të aktivizohet si përgjigje.
Së treti, nëse një vend operon një skemë të shtetësisë për investitorë – duke i lejuar individët të blejnë shtetësi pa ndonjë lidhje të vërtetë me vendin – atëherë liberalizimi i vizave me BE-në mund të pezullohet në të ardhmen.
Megjithatë, baza e katërt për pezullim është ndoshta më interesantja, pasi lidhet me marrëdhëniet politike të BE-së me vendet e treta. Legjislacioni, që është ende në fazën e draftit, parasheh që mekanizmi i pezullimit mund të aktivizohet në rastet e “shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe abuzimeve” apo “shkeljeve serioze të të drejtës dhe standardeve ndërkombëtare, përfshirë të drejtat e njeriut dhe mosrespektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.”
Kriteri i demokracisë
Nëse i pyesni zyrtarët e BE-së, leximi i tyre ka qenë gjithmonë se ekziston një “kriter demokracie” kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave – por kurrë nuk është shpjeguar qartë se çfarë përfshin saktësisht.
Një aspekt tjetër interesant dhe i ri është se aktivizimi i mekanizmit në këtë rast duhet të jetë kompetencë ekskluzive e Komisionit Evropian, pas konsultimeve me vendet anëtare të BE-së, pasi lidhet me marrëdhëniet e jashtme të bllokut.
Megjithatë, në fund, do të jenë vendet anëtare – përmes një shumice të kualifikuar – që do të vendosin për pezullimin e liberalizimit të vizave me një vend të tretë. Siç e përshkruajnë zyrtarët e BE-së, ky mbetet “opsioni bërthamor kur të gjitha opsionet e tjera janë shteruar”, pasi blloku zakonisht është i kujdesshëm për të mos ndëshkuar një popull të tërë në vend të qeverisë së tij.
Kjo është arsyeja pse, më herët këtë vit, BE zgjodhi të pezullojë liberalizimin e vizave vetëm për mbajtësit e pasaportave diplomatike të Gjeorgjisë, pas ngecjeve demokratike në vendin e Kaukazit. Megjithatë, opsioni për të shënjestruar gjithë popullsinë mbetet në tavolinë – dhe me zgjerimin e mundshëm të fushës së mekanizmit të pezullimit, blloku po mpreh qartazi armët e veta./rel

Të tjera
-
Lirohet nga akuza për terro*rizëm, Hadi Nura
Është liruar nga akuza për terrorizëm i akuzuari për Hadi Nura, pasi që nuk ë...
-
Caktohen gjyqtarët që do të vendosin mbi kërkesën e Mustafës në Kushtetuese kundër vendimit përfundimtar të Supremes
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë caktuar gjyqtaret e ...
-
KDI: Presidentja t’i thërrasë liderët e partive në takim për të diskutuar zgjidhjen
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas dështimit për herë të gja...
-
KQZ: Të hënën përfundon afati për partitë që të deklarojnë shpenzimet në fushatë
E hëna e 28 prillit është afati i fundit kur subjektet politike janë të oblig...
-
Su*lmi ndaj futbollistit 15 vjeçar, Belgin Jasharit vetëm se ishte pjesë e komunitetit ashkali, ”Është një plagë që duhet ta shërojmë si shoqëri”
Futbollisti i grupmoshave U15 të ShF Fushë Kosovës, Belgin Jashari, më 21 pri...
-
Duda Balje padit Sadri Ramabajën që tha se ajo ishte “takuar me Radoiçiqin”: Shpresoj të më ruhet imazhi
Deputetja Duda Balje ka paditur për shpifje analistin Sadri Ramabaja për dekl...
-
“Enver Sekiraqa e kishte rrahur Adelina Ismajlin”, çka tha dëshmitari në rastin e vrasjes së Triumf Rizës?
Dëshmitari Blerim Shala, gjatë dhënies së dëshmisë në procesin gjyqësor ndaj ...
-
Fakulteti Juridik dhe Presidentja Osmani nderojnë jetën dhe veprën e prof. Asllan Bilallit
Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës u mbajt sot mbledhja kom...
-
Nasim Haradinaj thumbon deputetët: Janë të zënë me luftëra politike, qytetarët ta kenë krejt fokusin te Specialja
Nasim Haradinaj thumbon deputetët: Janë të zënë me luftëra politike, qytetarë...
-
Kurti priti në takim drejtues dhe përfaqësues të Odës Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Zëvend...
-
Bahtiri i dha biberonin me qumësht në Kuvend, Paris Guri i përgjigjet: As kjo s’i paska 61
Seanca e gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është shoqëruar me nj...
-
Zbulohet përmbajtja e propozimeve në bisedimet SHBA-Evropë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Zyrtarët ukrainas dhe evropianë kundërshtuan këtë javë disa propozime të SHBA...