Lajme

BE-ja ende pa pajtim rreth ndryshimeve të kornizës negociuese për Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 11:29 | 01 April 2024

Edhe pse kanë kaluar plot dy muaj prej kur Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së (EEAS) kishin dorëzuar propozimin e tyre për ndryshimin e kushteve nga kapitulli 35 i kornizës negociuese në procesin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, në Këshillin e BE-së ende nuk është arritur konsensusi i nevojshëm për miratimin e këtyre ndryshimeve.

Radio Evropa e Lirë mëson se mes vendeve anëtare ende ka dallime në qëndrime dhe Presidenca belge e Bashkimit Evropian është duke bërë përpjekje për tejkalimin e këtyre dallimeve. Sipas të njëjtave burime, propozimi i parë i Komisionit Evropian për këto ndryshime nuk ishte pranuar nga disa shtete. Pastaj, disa vende anëtare kishin bërë propozime të veta dhe për to ishte diskutuar në grupet punese të Këshillit që merren me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me procesin e zgjerimit.

Burimet diplomatike në BE pohojnë se gjatë muajin prill kjo çështje do të diskutohet nga ambasadorët e BE-së në COREPER, që është Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare në BE.

-Advertisement-

Qëllimi i ndryshimit të kësaj kornize është që zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, e arritur në shkurt të vitit 2023, të përfshihet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit, si kusht specifik për Serbinë.

Edhe ashtu normalizimi i raporteve me Kosovën për Serbinë është i përfshirë në këtë kapitull, por në të kërkohet përparim në procesin e normalizimit. Synohet që tash si kusht të përmendet zbatimi i marrëveshjes.

Në takimin e fundit në muajin dhjetor të vitit 2023, vendet anëtare kishin kërkuar nga Komisioni Evropian që më së voni deri në fund të muajit janar të këtij viti, të dorëzojnë propozimin për ndryshimin e kornizës negociuese për Serbinë.

Dy ditë pasi kishte skaduar ky afat, në fillim të muajit shkurt, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së kishin dorëzuar propozimin e tyre.

Vonesat në propozimin e Komisionit kishin ardhur, sipas burimeve diplomatike në BE, për shkak të përpjekjeve të komisionarit për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, për të penguar këtë propozim. Hungaria, vend nga i cili vjen ky komisionar, sipas burimeve diplomatike, vazhdon të jetë ndër vendet anëtare që pengojnë miratimin e këtyre ndryshimeve në Këshill të BE-së.

Kapitulli i 35-të i negociatave të anëtarësimit, i cili quhet “çështjet tjera”, nuk ka të bëjë me legjislacionin e BE-së, por në këtë kapitull vendosen gjërat specifike që kërkon BE-ja apo ndonjë vend anëtar. Në rastin e Serbisë ai përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën.

Ky kapitull ishte hapur ndër të parët qysh në dhjetor të vitit 2015, për të përcjellë përmes tij përparimin drejt normalizimit të raporteve. Deri në vjeshtën e vitit të kaluar, Komisioni Evropian zakonisht e ka vlerësuar sjelljen e Serbisë në dialog si “konstruktive” dhe ka konstatuar se në këtë mënyrë ajo përmbush kriteret për të avancuar në procesin e negociatave të anëtarësimit. Por, në Raportin e Progresit nga vjeshta e vitit 2023 është konstatuar se Serbia, në disa fusha, ka bërë hapa prapa në respektimin e obligimeve nga dialogu për normalizimin e raporteve me Kosovën.

Për mungesë të përparimit në zbatimin e obligimeve BE-ja e ka qortuar edhe Kosovën, madje edhe duke vendosur masa restriktive ndaj saj. Këto masa janë ende në fuqi.

Diplomatët e disa vendeve anëtare të BE-së kanë tërhequr vërejtjen se BE-ja duhet sa më shpejt të sigurojë miratimin e ndryshimeve të kornizës negociuese për Serbinë, sepse në të kundërtën do të dalë joserioze rreth zbatimit të Marrëveshjes të cilën vet e kishte ndërmjetësuar dhe e kishte quajtur si sukses të madh.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe Aneksi për zbatimin e saj i arritur në Ohër në marsin e vitit 2023, nuk ishin nënshkruar nga palët sepse këtë e kishte refuzuar pala serbe.

Por, BE-ja vazhdon të insistojë se, edhe pse nuk është nënshkruar, kjo Marrëveshje është pranuar nga palët dhe ajo paraqet obligim ligjor për to. Zbatimi i saj, sipas zyrtarëve të BE-së, është kusht për avancim në procesin e integrimit në BE.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Pikërisht për faktin se kanë kaluar më shumë se një vit prej arritjes së kësaj marrëveshjeje, si dhe nga paralajmërimi i BE-së se zbatimi i saj do të jetë pjesë formale e kornizës negociuese për Serbinë, miratimi i këtyre ndryshimeve në Këshill nga vendet anëtare, konsiderohet i domosdoshëm dhe synohet të arrihet sa më shpejt.

Korniza negociuese e BE-së është dokument bazë, mbi të cilin edhe zhvillohet procesi i negociatave të anëtarësimit me një vend kandidat. Korniza negociuese për Serbinë ishte aprovuar nga këshilli në dhjetorin e vitit 2013, ndërsa Serbia i kishte hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në në janar të vitit 2014. Deri tash Serbia i ka hapur për negocim 22 nga gjithsejtë 35 kapituj. Për shkak të mosmbështetjes së sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, Serbia që nga viti 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera