Lajme

Bashkimi i doganave ndikon në rritjen ekonomike të të dyja shteteve

Autori: Gazeta inFokus 21:46 | 28 November 2018

Shqipëria dhe Kosova pritet që shumë shpejt të kenë një doganë të përbashkët, të paktën kështu janë marr vesh shefat e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Pejë ditën e hënë.

“Njohje e plotë e gjithë dokumenteve brenda gjashtëmujorit. Boll u bënë vite të tëra pavarësi, u bënë vite të tëra mbledhje dhe shprehje qëllimesh të mira dhe sot vazhdojnë kërkohen dy palë dokumente për lopët, për viçat, për delet andej e këtej. Një palë dokumente dhe brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm, çfarë jepet në Kosovë si dokument, duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Shqipëri”, citohet të ketë thënë kryeministri shqiptar, Edi Rama gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për unifikimin doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për dogana dhe tatime tha për Indeksonline se një marrëveshje e tillë do fillojë të implemenohet më 1 janar të vitit 2019.

-Advertisement-

“Ky është vetëm hapi i parë, ne do të avancojmë me modelin më të mirë që bashkimi doganor të jetë shembull në Evropë, së shpejti do të kalojmë në fazë më të avancuar të bashkimit doganor në mes të dy shteteve tona. Marrëveshja do të fillojë të implementohet nga data 1 janar 2019”, u shpreh ai.

Kurse, zhvillimi ekonomik si rezultat i bashkimit doganor po konsiderohet nga Rafuna të jetë i pashmangshëm.

“Jam i lumtur që pas një pune të madhe për dy vite tani me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama dhe me marrjen e mandatit të Ministrit të Financave të Kosovës z. Bedri Hamza kemi arritur që ta ndërtojmë infrastrukturën e cila po na dërgon drejt një Bashkimi Doganor duke e ofruar edhe më shumë integrimin ekonomik ndërmjet dy vendeve tona. Qe pa dyshim do te ndikojë ne rritje te zhvillimit ekonomike” ka thënë Rafuna.

Rafuna ka shpjeguar edhe disa nga hapat të cilët do të ndërmarrin të dyja vendet për të bërë të “gjallë” bashkimin doganor, të gjitha ato do të ndikojnë për të mirë në ekonominë e shqiptarëve.

“… Qeveria e Kosovës ka marr vendim për fillimin e procedurave doganore të Kosovës në portin e Durrësit për fillim me tranzit dhe duke u rritur kapacitetet e Doganës së Kosovës për të avancuar edhe me procedura tjera. Më pas protokolli i bashkërendimit të kontrollit doganor në Vërmicë – Morinë do të ketë vetëm një kontroll të vetëm gjë që automatikisht e eliminon komplet një burokraci në letër dhe kohë, që do të ketë ndikim në ulje të kostos për biznesin si në eliminim të dokumentacionit të panevojshëm po ashtu edhe në kursim të kohës, që prapë është një kosto e ulët për biznesin e për më shumë është edhe arritje në konceptin e BE –së ” nje ndalje një kontroll”, u shpreh Rafuna.

Sipas tij, numri i përbashkët i konsumatorëve të të dyja shteteve do të arrij shifrën e pesë milionë konsumatorëve, duke bërë kështu të jemi më shumë tërheqës për investime të huaja.

“Të gjitha këto do të kenë efekt pozitiv në ekonominë tonë për arsye se në këtë mënyrë po ecim drejt bashkimit doganor dhe integrimin ekonomik, do ta kemi një treg prej përafërsisht 5 milionë konsumator, i dytë më i madhi në rajon që menjëherë na bënë të jemi faktor i rëndësishëm në këtë pjesë të Evropës. Në këtë mënyrë do të jemi konkurrues për të qenë më tërheqës për investime të huaja si një treg me 5 milionë konsumator. E një rëndësie të veçantë është edhe fakti se prodhuesit tanë të Kosovës dhe Shqipërisë do të kenë mundësi më të madhe për të plasuar produktet e tyre në tregun tonë të brendshëm me një kosto më të ulët”, ka thënë Rafuna.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshje po e konsideron shumë të rëndësishme për ekonominë e të dyja shteteve edhe ekonomisti Lulzim Beqiri.

Ai ka thënë se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj produkteve serbe, vendimi për bashkimin e doganave Kosovë Shqipëri ndikon jashtëzakonisht shumë në ekonominë e Kosovës.

“Vendimi për bashkim të doganave Kosovë-Shqipëri ndikon jashtëzakonisht në ekonominë e Kosovës sidomos në situatën aktuale që Kosova ndodhet lidhur me taksen ndaj produkteve serbe”, ka thënë Beqiri.

Sipas tij, ky bashkim lehtëson procedurat e pa nevojshme në të dy anët e kufirit, gjithashtu rritë mundësinë e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.

“Ky bashkim lehtëson procedurat e pa nevojshme në të dy anët e kufirit, andaj pres një lehtësim të madh, gjithashtu ky bashkim do të rrisë mundësinë e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve, dhe gradualisht mendoj se duhet që edhe odat ekonomike të bashkohen”, ka thënë ekonomisti Beqiri.

Kurse, përveç bashkimit doganor sipas ekonomistit Beqiri edhe qeveria dhe çdo sipërmarrës e qytetar mund të kontribuojnë në ekonominë e vendit.

“Të jesh patriot në ekonomi do të thotë të kontribuosh në nxitjen e prodhimit vendor, të stimulosh kërkesën e brendshme për mallra dhe shërbime, të inkurajosh dhe të ndikosh në rritjen e eksporteve të cilat janë në nivel shumë të ulët në krahasim me importet sidomos në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, duke i bërë kështu mallrat tona më konkurruese. Këtë duhet ta bëjë para së gjithash qeveria dhe çdo sipërmarrës dhe qytetar i përgjegjshëm i vendit tonë”.

Rikujtojmë se vitin e kaluar në Kosovë janë importuar rreth 151 milionë euro produkte nga Shqipëria, kurse vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri ka arritur më 60 milionë euro në vitin 2017. Ani pse, të gjitha këto shkëmbime tregtare mes dy shteteve shqiptare nuk kanë kaluar pa vështirësi burokratike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera