Fokus

Bashkimi Evropian “ndahet” shkaku i Kosovës e shkëmbimit të territoreve

Autori: Halil Berisha 10:26 | 12 May 2020

Bashkimi Evropian, si duket nuk është edhe aq i bashkuar sa i përket një teme e cila ka dy dekada që nuk po gjen zgjidhje, Çështja Kosovë – Serbi.

E tash kur po flitet edhe për një marrëveshje finale e cila do të ndalte këtë maratonë bisedimesh e tentimesh, ideja e shkëmbimit të territoreve që shpesh quhet edhe me emra tjerë, ka sjellë ndasi të mëdha në mes liderëve, shkruan gazeta inFokus.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti thotë që kjo ide është e bërë nga dy Presidentët, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

-Advertisement-

Madje, është thënë që edhe SHBA-të, nuk janë kundër kësaj ideje, nëse dy vendet pajtohen.

E kjo çështje thuhej edhe që ka sjellë kundërshti të mëdha në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Evropian.

Por, si duket, tash kundërshtitë janë edhe në mesin e kësaj të fundit.

Ditë më parë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë që nëse Kosova e Serbia arrin marrëveshje, çoftë edhe me shkëmbim të territoreve, kjo nuk do të kundërshtohet.

“Siç thash kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Unë nuk shoh nevojën që ne të jemi më katolik se Papa. Nuk na takon neve t’u themi serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen ata apo jo”, është një pjesë e përgjigjes së Borrell kur u pyet nëse është kundër një marrëveshjeje që përfshinë shkëmbimin e territoreve.

“Le të them se unë jam më shumë eklaktik. Ne duhet ta lehtësojmë dialogun dhe, siç thash, t’i marrim parasysh efektet kolaterale të çfarëdo lloj marrëveshje në pjesë tjera të rajonit, ku problemi i lëvizjes së kufijve ka qenë gjithmonë i ndjeshëm. Unë e kuptoj personalisht pozicionin e Gjermanisë dhe të tjerëve, por roli im, dhe i Përfaqësuesit tim të posaçëm është që ta lehtësojmë dialogun”.

Por, kundër kësaj ideje është i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

“Javën e kaluar fola për APA për dialogun e mundësuar nga BE, i cili ka për qëllim arritjen e një marrëveshje normalizimi në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të jetë në linjë me ligjin ndërkombëtar dhe t’i kontribuoj stabilitetit në regjion. Ideja e shkëmbimit të territoreve e bën të kundërtën”, ka shkruar në një postin në Tëitter, Lajçak.

E këtë e ka shpërndarë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, vendi i të cilit ka qëndrim të njohur dhe strikt kundër prekjes së çfarëdoshme të kufijve, shkruan gazeta inFokus.

E në shkrimin e Lajçak ka komentuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi.

“Mbështes plotësisht dhe miratoj qasjen tuaj. Evropianizimi i Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme për të siguruar demokracinë e ligjin ndërkombëtar dhe ruajtjen e natyrës multietnike të Kosovës, Serbisë dhe krejt regjionit. Ndryshimi i kufijve na kthen në konfliktet e të kaluarës, ne na nevojitet një e ardhme e ndritur dhe paqësore”, ka shkruar Abazi./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera