Lajme

Bashkimi Evropian: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha angazhimet, rezultati i dialogut varet nga të dyja palët

Autori: Gazeta inFokus 19:25 | 27 July 2022

Pak ditë më parë janë bërë një vit që nga takimi i fundit që kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, patën së bashku në kuadër të zhvillimeve të dialogut në Bruksel.

E një takim në mes dy përfaqësuesve të dy shteteve parashihej të zhvillohej më 19 korrik, apo gjatë ditëve të fundit të korrikut.

Pavarësisht se ishte mjaft e sigurt që një takim i tillë të zhvillohej, kjo nuk ndodhi.

E për moszhvillimin e këtij takimi, fajtor doli të jetë pala serbe.

Lidhur me këtë dhe me zhvillimin e procesit të dialogut në përgjithësi, lajmi.net ka kontaktuar Bashkimin Evropian, nga ku kanë deklaruar se BE do të njoftojë në kohë për çdo takim të mundshëm në kuadër të dialogut.

Gjithashtu u theksua se përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak janë duke vazhduar angazhimin e tyre për një marrëveshje në mes dy vendeve.
“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të dialogut nëse dhe kur është e nevojshme. Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell si dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak,

vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u tha në përgjigjen e BE-së.

Përpos kësaj u tha se Bashkimi Evropian, vazhdimisht e ka bërë të qartë se agjenda, ritmi dhe rezultati i dialogut Kosovë-Serbi varet nga palët, të cilat janë edhe “bashkëpronarë” të dialogut.

“Rezultati i procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një zgjidhje e qëndrueshme, e cila është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, e kjo varet nga palët për të rënë dakord”, u shtua tutje nga zyra për media e BE-së.

Nga Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje të dyja palëve, asaj të Kosovës dhe palës serbe që të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet e tyre në kuadër të dialogut.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet e tyre në dialog”.

E lidhur me moszhvillimin e takimit të paralajmëruar në mes Kurtit dhe Vuçiq, kryeministri Kurti ditë më parë deklaroi se çfarëdo pretekstesh që përdoren nga ana e Serbisë nuk janë të vërteta, por që sipas tij janë vetëm përpjekje për t’u shfajësuar.

“Ka pasur që të ndodhë në këtë javë një takim midis Kosovës dhe Serbisë në nivelin më të lartë në Bruksel, midis meje dhe Serbisë, por ata sërish kanë kërkuar që të shtyhet kjo gjë, ata po e shtyjnë dorëzimin e listave të konsumatorëve në Veri, po e shtyjnë takimin e radhës në Bruksel, janë ata që nuk po i përgjigjen pozitivisht bisedimeve që zhvillohen atje për çështjet e raportet midis nesh.

Ndërkaq, çfarëdo pretekstesh që përdoren nuk janë të vërteta, janë praktikisht veçse përpjekje për t’u shfajësuar në kohën e në rastin në të cilën fajësia nuk ka qenë kurrë më e qartë”, është shprehur Kurti.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, javë më parë zv/kryeministri i vendit, Besnik Bislimi si dhe përfaqësuesi i palës serbe në dialog, Petar Petkoviq është nënshkruar marrëveshja për energjinë.
Por pavarësisht nënshkrimit të saj, vërejtje ka patur në drejtim të palës serbe, për mos përmbushjen e detyrimeve në kuadër të kësaj marrëveshje.

Kompania serbe e energjisë elektrike Elektrosever deri me 1 korrik do të duhej t’ia dërgonte Bashkimit Evropian të gjitha të dhënat e konsumatorëve të energjisë elektrike në veri të Kosovës që më pas BE-ja t’ia përcillte Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës dhe KEDS-it, por diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Dialogu Kosovë-Serbi edhe pse me disa ndërprerje të shpeshta gjatë dy viteve të fundit, po vazhdon të zhvillohet.
Madje një kërkesë e tillë që dialogu të vazhdojë e që të dyja shtetet t’u përmbahen marrëveshjeve vie vazhdimisht nga Bashkimi Evropian, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Derisa nuk është paraparë ndonjë zhvillim i afërt nga dialogu, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nga dje janë duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për nënshkrimin e Marrëveshjes për programin Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit zhvillohet gjatë ditës në një Departament të Kongresit.

Kjo marrëveshje në vlerë 200 milionë dollarë shihet si një investim tejet i madh në kuadër të energjisë në Kosovë.

Të tjera