Bashkëpunimi gjyqësor mes Kosovës dhe Serbisë, kryesisht në letër
Autori: Gazeta inFokus
15:23 | 22 Tetor 2023
Përkundër marrëveshjes që kanë, Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë lehtësisht në çështjet penale.
Këtë vit, madje, Serbia ka ndaluar plotësisht të kërkojë nga Kosova të dhëna për lëndë të caktuara gjyqësore, edhe pse u është përgjigjur disa kërkesave të Kosovës.
Dy vendet kanë arritur Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Marrëveshja është amendamentuar në vitin 2015 dhe, në bazë të saj, palët shkëmbejnë kërkesa gjyqësore përmes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Duke iu përgjigjur Radios Evropa e Lirë, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Prishtinë (EUSR) tha se, gjatë viteve të fundit, “një numër i madh rastesh – qofshin ato kërkesa apo përgjigje – janë shkëmbyer me sukses nga palët, përmes EUSR-së”.
EUSR-ja i ofroi REL-it të dhëna nga viti 2020 deri në shtator të këtij viti, sipas të cilave, Kosova ka bërë 1.460 kërkesa në Serbi për lëndë të ndryshme gjyqësore, ndërsa përgjigje ka marrë në 415 prej tyre.
Serbia, gjatë periudhës së njëjtë kohore, i ka dorëzuar Kosovës 596 kërkesa, ndërsa përgjigje ka marrë për 1.050, pasi shumë prej tyre kanë përfshirë përgjigje në kërkesat e bëra para vitit 2020.
Në nëntë muajt e parë të këtij viti, sipas EUSR-së, Kosova ka bërë 211 kërkesa dhe përgjigje ka marrë për 17. Serbia, në anën tjetër, asnjë kërkesë, asnjë përgjigje.
EUSR-ja nuk komentoi më shumë në lidhje me shifrat, por theksoi se Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike “është e rëndësishme”, sepse “u mundëson palëve ta përmirësojnë bashkëpunimin gjyqësor”.
Marrëveshja u ndërpre “njëanshëm”
Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, Gazmend Çitaku, thotë se zbatimi i marrëveshjes është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga Serbia.
“Kjo çështje është ngritur edhe nga Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë. Informatat që i kam unë, janë se Serbia ka deklaruar se nuk ka hequr dorë nga kjo marrëveshje, por, në anën tjetër, nuk ka ekzekutim të kërkesave, nuk ka përgjigje nga ana e tyre që disa muaj”, thotë Çitaku për Radion Evropa e Lirë.
Brenda një viti, shton ai, në Ministrinë e Drejtësisë arrijnë rreth 200 kërkesa të qytetarëve shqiptarë e serbë, që duan të zgjidhin çështje përmes sistemit të drejtësisë.
Por, shumë të drejta të tyre mbeten pa u realizuar, për shkak të mosbashkëpunimit të Serbisë, thotë Çitaku.
Juristi Ibrahim Ahmeti, nga komuna e Prizrenit, konfirmon se shumë raste gjyqësore kanë mbetur pezull së voni, për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga Serbia.
“Tash e kam një rast, ku është marrë aktvendimi i trashëgimisë në Serbi. Këtu në Kosovë nuk e pranojnë. Kam kërkuar që me anë të Ministrisë së Drejtësisë të vij deri te pranimi i atyre dokumenteve, por tash për tash kemi stagnuar. Kështu që kemi probleme”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.
Në bazë të Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, pala e bën fillimisht kërkesën për zgjidhje në njërën prej gjykatave të Kosovës, e cila e përcjell në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo e fundit, pastaj, e dërgon në Zyrën e BE-së në Kosovë, nga ku kalon te Zyra e BE-së në Serbi dhe prej aty te Ministria e Drejtësisë e Serbisë. Përgjigjja, po ashtu, duhet të shkojë në këtë formë.
REL-i iu drejtua Ministrisë serbe të Drejtësisë në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike me Kosovën, por nuk mori përgjigje.
Bashkëpunim kryesisht në rastet civile
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, po ashtu, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar në këtë temë.
Në Këshillin Prokurorial thanë se asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë raport nga ndonjëri prej institucioneve – pa përjashtuar Ministrinë e Drejtësisë – në lidhje me zbatimin e marrëveshjes në fjalë.
Sipas organizatave që monitorojnë drejtësinë në Kosovë, Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike me Serbinë është zbatuar kryesisht në raste civile.
Sipas tyre, Serbia nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast që lidhet me krime lufte ose që përfshin individë të profilit të lartë.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se “Serbia nuk ka pasur vullnet për të bashkëpunuar në çështjet e transferimit të personave të dënuar apo arrestimit dhe ekstradimit të qindra personave që kanë kryer krime në Kosovë dhe kanë ikur në Serbi”.
Rrjedhimisht, Serbia, sipas tij, “është bërë parajsë për kriminelët”.
Strehimi” në Serbi
Aktualisht, Kosova është duke bërë thirrje që Serbia t’i dorëzojë pjesëmarrësit në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, që besohet se gjenden atje.
Millan Radoiçiq, organizator i dyshuar i sulmit që la të vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku, është marrë në pyetje nga prokuroria serbe dhe është ngarkuar me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Radoiçiq – serb nga Kosova – ka gjetur strehim në Serbi edhe vitin e kaluar, kur autoritetet kosovare e kanë shpallur të dyshuar në një rast që lidhej me disa ndërtime pa leje, i njohur si Brezovica.
Serbia vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008. Rrjedhimisht, dy vendet nuk kanë marrëveshje ekstradimi./REL/.

T� tjera
-
“As vràsjes time nuk pres t’i përgjigjeni” – Letra që Arlinda Zekaj, e vràrë mbrëmë me sëpatë, ia kishte drejtuar kryetarit të Gjykatës në Pejë
Arlinda Zekaj, 49-vjeçarja që u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës, kishte ...
-
PDK e LDK kërkojnë raportim urgjent nesër të kryesuesve të KPK-së dhe KGJK-së
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratik e Kosovës, kanë kërkuar që...
-
Presidentja kërkon hetim urgjent për gruan që u vra në Pejë: Çdo dyshim për dështim, të marrë përgjigje
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar ashpër pas vrasjes së...
-
Tentim-vras*je në Prishtinë, një person përfundon në spital
Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një rrahjeje që ka ndodhur në Pris...
-
Kryeprokurori i Shtetit kërkon raport për trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka ndërmarrë veprime konkrete instit...
-
Policia thotë se Arlinda u kthye në shtëpi me dëshirën e saj, avokatja e kundërshton: “Nuk ka qenë vullneti i viktimës!”
Policia e Kosovës deklaroi se Arlinda Zekaj, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetor...
-
Rasti në Pejë: VV-ja thërret seancë të jashtëzakonshme, kërkohet themelimi i një komisioni hetimor
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka vënë në lëvizje i...
-
Kryetarja e Kuvendit kërkon hetim të plotë për vra*sjen e gruas në Pejë
Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për rastin e ...
-
Pas ndarjes së parakohshme nga jeta, hapet GoFundMe për riatdhesimin e Rinesa Qeriqit
Është hapur një fushatë për mbledhjen e donacioneve në platformën GoFundMe, m...
-
ALARMANTE: 8 gra u vrạnë në Kosovë vetëm këtë vit- Rastet që tronditën vendin
Tri ditë para se të vritej, Arlinda Sylaj Zekaj u kishte shkruar institucione...
-
Avokati Jashari: Reagimet e Policisë dhe Prokurorisë për vrasjen në Vitromiricë e shpërfaqin edhe më shumë amatorizmin e institucioneve tona
Avokati Arbër Jashari ka reaguar për mënyrën se si Policia dhe Prokuroria e P...
-
Qorolli akuzon prokuroren për rastin e Arlinda Zekajt: Ajo duhet të jap llogari, para ligjit dhe para Zotit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit, kryetari i Komisionit Parlamen...






























